Deri në shkatërrimin e saj pak vite më parë, kjo xhami ka qenë e dyta për nga rëndësia në Elbasan dhe e vetmja e cila është e datuar me anën e një mbishkrimi. Ajo ndodhej në skajin lindor të Uzun Çarshisë së vjetër, përballë me Kullën e Sahatit dhe me kullën e skajit juglindor të kështjellës. Pak para vitit 1967, kjo zonë u transformua në një park që lidhej me parkun e ri përpara kështjellës. Xhamia u restaurua në një mënyrë shumë elegante. Megjithatë, në fillim të viteve ’70 ajo u shemb pothuajse krejtësisht. Në vitin 1978 vetëm mihrabi dhe një pjesë e murit të mihrabit ekzistonin akoma, si gërmadhë në oborrin e pasmë të një mapoje industriale. Ne do ta përshkruajmë këtë monument me vlerë ashtu siç e kishte pamjen në vitin 1967.

Xhamia e Ballijes

Xhamia e Ballijes

Evlia Çelebiu ka përmendur gjithashtu, se kjo xhami ndodhej në Uzun Çarshi dhe se ka qenë ndër më të mirat e qytetit.

Xhamia kishte një sipërfaqe katrore prej 10.60m, e pajisur me një kube që qëndronte mbi një tambur tetëkëndor. Katër qoshet e themelit kubik janë hequr për të lehtësuar linjat e ashpra të xhamisë. Këto kënde kanë qenë të mbuluara me panele trekëndore, pak a shumë të të njëjtit lloj me ato të xhamisë së Plumbit në Berat, ndonëse konturet e xhamisë së Elbasanit ishin më të ulëta sesa ato të Beratit, të cilat i përkasin një pune të periudhës klasike. Kubeja e xhamisë Balizade ka qenë e mbuluar me çimento, që mund të ketë zëvendësuar shtresën origjinale prej plumbi. Dy muret anësore dhe muri i pasëm kanë patur vetëm një rresht me dritare. Mbi këto ndodhej një dritare e rrallë e vogël në formë rrethore, e vendosur lart në secilin prej mureve, ngjitur me tamburin.

Porta ka qenë e thjeshtë, e zbukuruar me një hark Bursa, poshtë të cilit ndodhej një mbishkrim i ruajtur mirë. Deri kohët e fundit salla e faljes ka qenë e paraprirë nga një portik, i cili mbështetej mbi një arkadë guri të një forme joosmane. Kjo shtesë e shëmtuar e shekullit XIX u hoq gjatë restaurimit të xhamisë në vitet 1960, restaurim i cili ktheu pamjen origjinale të shekullit XVII të ndërtesës. Portiku, siç ishte në vitin 1967, ka qenë produkt i këtij restaurimi. Ai është rikonstruktuar sipas gjurmëve të strukturës origjinale, të gjetura tek vetë ndërtesa. Ky lloj portiku prej druri nuk ka qenë një element i pazakonshëm; shumë modele të mirëruajtura janë gjetur në Edrene dhe i përkasin shekullit XV. Proporcionet e xhamisë së Elbasanit tregojnë fillimet e rënies të arkitekturës osmane në provincat periferike.

Pjesa e hyrjes ne xhaminë e Ballijes

Pjesa e hyrjes ne xhaminë e Ballijes

Asgjë nuk mund të shihej nga struktura e ndërtimit, e cila ishte plotësisht e fshehur pas suvasë dhe me siguri ka qenë e tillë qysh nga ndërtimi e xhamisë.

Minarja ka qenë pjesa më origjinale e ndërtesës. Ajo ishte më e mira në llojin e vet në Shqipëri. Kjo minare mbështetej mbi një thundër, pesëfaqësh që vazhdonte në trupin e minares në formë poligonale pesëfaqëshe. Trupi i saj ka qenë i zbukuruar me korniza të holla vertikale në këndet që mbaronin me një frizë harqesh dhe figurash gjeometrike. Gjithashtu, parmaku i ballkonit ka patur motive gjeometrike dekorative, të realizuara me stuko. Pjesa e sipërme e minares ka qenë shumë më e vogël në perimetër dhe në formë spiraleje. Vetëm pjesa më e lartë dhe pjesa konike i përkisnin një periudhe më të vonë. Mbishkrimi i ndodhur mbi hyrjen është ruajtur plotësisht dhe na tregon datën e ndërtimit dhe emrin e ndërtuesit me një gjuhë lulesh, të mbushur me persizma dhe emrin e poetit që ka bërë vargjet. Mbishkrimi është “publikuar” me pak ndryshime të vogla nga Evlia Çelebiu, por gjithsesi, ka mbetur i panjohur. Ai ka përmbajtjen e mëposhtme:

Sene 1017

  • Hasan Bali e bëri në rrugën e Zotit
  • Këtë shtëpi të Allahut që i përngjan parajsës
  • Me lavdërimin e Zotit, ai e mbaroi këtë ndërtesë
  • Duke mundësuar lidhjen e njeriut me Zotin
  • Sa i lumtur është ky, mund të thotë ndokush deri në Ditën e Gjykimit
  • Natë e ditë “mirësi për shpirtin”

La ‘âlî i Manastirit e ka treguar datën:

  • “madhështor u bë vendi i faljes të komunitetit”. Viti 1017. (17.4. 1608-5.5. 1609)

Kronograma Vendi ku falemi, sa i bukur është bërë. jep datën 1017, ashtu sikurse shkruhet në numrat poshtë vargjeve.

Për poetin e mbishkrimit, mund të thuhet shumë pak. Ai ishte La ‘lini nga Manastiri (Bitola) dhe duket të jetë i njëjtë me La ‘li Hasan Efendiun, poetin dhe dijetarin nga Manastiri, në lidhje me jetën e të cilit dihet pak.

Xhamia e Ballijes

Xhamia e Ballijes