Emërtohet nga Çelebiu si xhamia e Hasan Balizades (74). Ajo ndodhej në jug të kalasë, në brendësi të pazarit, në një vijë me xhamitë e Pazarit dhe Agait, duke u bërë, me vëllimin dhe minaret e tyre, një element përcaktues në siluetën e qytetit mesjetar të vonë. Për fatin e keq të kulturës shqiptarexhamia u shkatërrua barbarisht në vitin 1967 edhe pse sapo ishte restauruar. Xhamia, siç e mësojmë nga mbishkrimi mbi portën e hyrjes për në sallën e lutjeve, është ndërtuar në vitin 1608- 1609 (1017 H)(75). Mbishkrimi, është shkruar prej poetit La’ali nga Manastiri(76). Xhamia përbëhej nga salla e lutjeve, me përmasa të planit 9.05 x 9.15 m dhe vëllimi kubik i saj mbulohet me kupolë mbi trompa në qoshet, të cilat mbështeteshin mbi stalaktite të formuara nga panele trekëndëshe. Në sallë hyhej nga porta në anën veriore, mbuluar me hark të ulët, brenda një portali. Përballë hyrjes ndodhej mihrabi, i ndërtuar me stalaktite në pjesën e sipërme, ndërsa  më djathtas  ishte  mafili, dhe ai mbi struktura të drunjta. Menjëherë pas hyrjes ishte mafili prej strukturash të drunjta, që lidhej  me minaren. Në këtë xhami, gjithashtu, kishte edhe një ballkon, në një nike të krijuar për të në murin perëndimor.

Brendësia ndriçohej bollshëm me nga pesë dritare të vendosura në tri radhë në secilën nga faqet.  Përjashtim bën faqja veriore që kishte vetëm dy dritare në pjesën e poshtme, anash portës. Gjithashtu, dy dritare të vogla rrethore   ishin   anash   dritares   së   sipërme në pjesën jugore. Dritaret e poshtme ishin drejtkëndore, ndërsa të tjerat mbuloheshin me hark gjysmërrethi. Për  formën  e  tyre  të dikurshme  qe  e  vështirë  të  gjykohej,  sepse ishin mbuluar nga një suvatim i vonë. Muret e xhamisë ishin ndërtuar me gurë të çrregullt e të lidhur me llaç gëlqereje, ndërsa kupola me tulla. Një kornizë tullash të vendosura në formë dhëmbësharre përfundonte muraturën e vëllimit kubik, që në qoshet ulej me pjesë trekëndëshe. Vëllimin kubik e kurorëzonte tamburi tetëfaqësh me kupolën.

Minarja e xhamisë së Ballies ndryshonte nga minaret e kësaj periudhe në përmasat, përpjesëtimet dhe zbukurimin. Ajo është pjesa më origjinale e xhamisë(77). Minarja përbëhej prej disa pjesësh, të ndryshme nga njëra-tjetra, në aspektet e mësipërme, në përputhje me vendin e tyre. Bazamenti i minares, që si zakonisht arrinte deri në lartësinë e kornizës së çatisë së portikut, ishte shumëfaqësh dhe i ndërtuar me gurë të skuadruar çmërsi. Ai përfundonte me një kornizë të profiluar lehtë, ku fillonte pjesa trungpiramide që bie kalimin për në trupin e minares.

Elbasan, Xhamia e Ballies, Minarja, Arkivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia e Ballies, Minarja

Trupi i minares ishte i ulët e me prerje tërthore më të mëdha se zakonisht dhe ishte një prizëm tetëmbëdhjetëfaqësh prej gurësh të skuadruar dhe me një shirit vertikal në secilën brinjë. Shiritat kurorëzoheshin nga një arkadë dhe një frizë zbukuruese me motive të artit islamik bashkëkohës dhe kufizohej nga një kornizë, pak a shumë e trashë, e gdhendur në formë gërsheti. Mbi të kishte një zbukurim në formë arkade me yje pesëcepësh në secilën nga fushat. Më lart fillonte kazani, elegant e interesant nga ana e zbukurimores që është i veçantë në arkitekturën tonë të xhamive dhe që dëshmon për zhvillimin artistik të qytetit në këtë kohë dhe kërkesat e porositësit. Pjesa e minares mbi kazan ishte e ulët dhe me kanelyra spirale, duke përfunduar me një pjesë cilindrike prej tullash.

Në anën e hyrjes për në xhami ishte portiku, forma arkitektonike e të cilit i takonte shek. XIX dhe ka mjaft afri me arkitekturën popullore të kohës. Me strukturë të drunjtë duhet të ketë qenë dhe portiku i mëparshëm, i njëkohshëm me xhaminë. Roli i tij, siç kuptohet nga trajtimi si mihrabë shtesë i dy dritareve të zbukuruara me stalaktite anash portalit të hyrjes, ka qenë sigurimi për besimtarët i një ambienti shtesë për falje.

Xhamia e Ballies, Elbasan 1967, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Xhamia e Ballies, Elbasan 1967

Përshtypja e përgjithshme për këtë xhami, në krahasim me atë të Nazireshës, është ndjesia e një pamje më të rëndë, me një hedhje vertikale më të pakët, me minare të ulët. Por harmonizimi i vëllimit të sallës së lutjeve me minaren, zbukurimi i saj, flet për një vepër të realizuar arkitektonikisht.

Elbasan, Xhamia e Ballies, prerja në planin vertikal

Elbasan, Xhamia e Ballies, prerja në planin vertikal

Xhamia e Ballies, prerje në planin horizontal, Arkivi Digjital Elbasan

Xhamia e Ballies, prerje në planin horizontal

Elbasan, Xhamia e Ballies, Pamja V, Skicë, Arivi Digjital Elbasan

Elbasan, Xhamia e Ballies, Pamja V, Skicë

 

Materiali është marrë nga libri “Xhamitë e Shqipërisë, Historia, Arkitektura , shekulli XV – XIX”, me autor Prof. Dr. Aleksandër Meksi, botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë  2015