Deri në shkatërrimin e saj pak vite më parë, kjo xhami ka qenë e dyta për nga rëndësia në Elbasan dhe e vetmja e cila është e datuar me anën e një mbishkrimi. Ajo ndodhej në skajin lindor të Uzun Çarshisë së vjetër, përballë me Kullën e Sahatit dhe me kullën e skajit juglindor të kështjellës. Pak para vitit 1967, kjo zonë u transformua në një park që lidhej me parkun e ri përpara kështjellës. Xhamia u restaurua në një mënyrë shumë elegante. Megjithatë, në fillim të viteve ’70 ajo u shemb pothuajse krejtësisht. Në vitin 1978 vetëm mihrabi dhe një pjesë e murit të mihrabit ekzistonin akoma, si gërmadhë në oborrin e pasmë të një mapoje industriale. Ne do ta përshkruajmë këtë monument me vlerë ashtu siç e kishte pamjen në vitin 1967. Evlia Çelebiu ka përmendur gjithashtu, se kjo xhami ndodhej në Uzun Çarshi dhe se ka qenë ndër më të mirat e qytetit.
Xhamia kishte një sipërfaqe katrore prej 10.60m, e pajisur me një kube që qëndronte mbi një tambur tetëkëndor. Katër qoshet e themelit kubik janë hequr për të lehtësuar linjat e ashpra të xhamisë. Këto kënde kanë qenë të mbuluara me panele trekëndore, pak a shumë të të njëjtit lloj me ato të xhamisë së Plumbit në Berat, ndonëse konturet e xhamisë së Elbasanit ishin më të ulëta sesa ato të Beratit, të cilat i përkasin një pune të periudhës klasike. Kubeja e xhamisë Balizade ka qenë e mbuluar me çimento, që mund të ketë zëvendësuar shtresën origjinale prej plumbi. Dy muret anësore dhe muri i pasëm kanë patur vetëm një rresht me dritare. Mbi këto ndodhej një dritare e rrallë e vogël në formë rrethore, e vendosur lart në secilin prej mureve, ngjitur me tamburin.
Porta ka qenë e thjeshtë, e zbukuruar me një hark Bursa, poshtë të cilit ndodhej një mbishkrim i ruajtur mirë. Deri kohët e fundit salla e faljes ka qenë e paraprirë nga një portik, i cili mbështetej mbi një arkadë guri të një forme joosmane. Kjo shtesë e shëmtuar e shekullit XIX u hoq gjatë restaurimit të xhamisë në vitet 1960, restaurim i cili ktheu pamjen origjinale të shekullit XVII të ndërtesës. Portiku, siç ishte në vitin 1967, ka qenë produkt i këtij restaurimi. Ai është rikonstruktuar sipas gjurmëve të strukturës origjinale, të gjetura tek vetë ndërtesa. Ky lloj portiku prej druri nuk ka qenë një element i pazakonshëm; shumë modele të mirëruajtura janë gjetur në Edrene dhe i përkasin shekullit XV. Proporcionet e xhamisë së Elbasanit tregojnë fillimet e rënies të arkitekturës osmane në provincat periferike.
Asgjë nuk mund të shihej nga struktura e ndërtimit, e cila ishte plotësisht e fshehur pas suvasë dhe me siguri ka qenë e tillë qysh nga ndërtimi e xhamisë.
Minarja ka qenë pjesa më origjinale e ndërtesës. Ajo ishte më e mira në llojin e vet në Shqipëri. Kjo minare mbështetej mbi një thundër, pesëfaqësh që vazhdonte në trupin e minares në formë poligonale pesëfaqëshe. Trupi i saj ka qenë i zbukuruar me korniza të holla vertikale në këndet që mbaronin me një frizë harqesh dhe figurash gjeometrike. Gjithashtu, parmaku i ballkonit ka patur motive gjeometrike dekorative, të realizuara me stuko. Pjesa e sipërme e minares ka qenë shumë më e vogël në perimetër dhe në formë spiraleje. Vetëm pjesa më e lartë dhe pjesa konike i përkisnin një periudhe më të vonë. Mbishkrimi i ndodhur mbi hyrjen është ruajtur plotësisht dhe na tregon datën e ndërtimit dhe emrin e ndërtuesit me një gjuhë lulesh, të mbushur me persizma dhe emrin e poetit që ka bërë vargjet. Mbishkrimi është “publikuar” me pak ndryshime të vogla nga Evlia Çelebiu, por gjithsesi, ka mbetur i panjohur. Ai ka përmbajtjen e mëposhtme:

Metrum: një variacion Hezek. v—/v—/v—

Yapup hasan bâlî rah-ý hudâda
Bu beytu’llâhý çun mânand-ý cennet
Bihamdi’llâh tamâm etdi o hayrî
Kabűl ede bi- hakki-ý zât-ý vahdet
4
Machiel Chiel Arkitektura Osmane në Shqipëri
ne devletdir bu kim tâ rűz-ý mahşer diyeler rűz u serb rűhýna rahmet manâstýrî la’âlî dedi târîh
“zehî oldý ‘ibâdetgâh-i ümmet”

Sene 1017
1) Hasan Bali e bëri në rrugën e Zotit
2) këtë shtëpi të Allahut që i përngjan parajsës
3) Me lavdërimin e Zotit, ai e mbaroi këtë ndërtesë
4) duke mundësuar lidhjen e njeriut me Zotin
5) Sa i lumtur është ky, mund të thotë ndokush deri në Ditën e Gjykimit
6) natë e ditë “mirësi për shpirtin”
7) La ‘âlî i Manastirit e ka treguar datën:
8) “madhështor u bë vendi i faljes të komunitetit”. Viti 1017. (17.4. 1608-5.5. 1609)
9) Vendi ku falemi, sa i bukur është bërë.

Kronograma Vendi ku falemi, sa i bukur është bërë. jep datën 1017, ashtu sikurse shkruhet në numrat poshtë vargjeve. Llogaritja është si më poshtë:

Për poetin e mbishkrimit, mund të thuhet shumë pak. Ai ishte La ‘lini nga Manastiri (Bitola) dhe duket të jetë i njëjtë me La ‘li Hasan Efendiun, poetin dhe dijetarin nga Manastiri, në lidhje me jetën e të cilit dihet pak (43). Një nga veprat e tij mban datën 1022 H (1613/14). Në lidhje me Hasan Balizâden nuk kishim mundësi të gjenim ndonjë gjë më shumë sesa ndonjë informacion të vogël të dhënë më sipër.

(Për Referencat shiko librin ARKITEKTURA ISLAME NË SHQIPËRI të Makiel Kiel të postuar në faqen tonë)