Historiani dhe diplomati Xhaferr Belegu,u lind më 11 janar të vitit 1904 në Elbasan.

Kreu shkollën e mesme “Naim Frashëri” në qytetin e lindjes. Pastaj mes viteve 1920 – 1928 kreu studimet e larta për ekonomi, në Akademinë Tregtare në Linz të Austrisë.

Në foto: Xhafer Belegu

Në foto: Xhafer Belegu

Pasi mbaroi studimet në vitin 1928 dhe diplomohet, u kthye në Shqipëri. Fillimisht punoi në kryeministri, si kryellogaritar. Martohet me shtetasen me kombësi gjermane, znj.Leopoldina Stadelbauer, me të cilën ishin njohur në Linz, kur kryente studimet e larta.

Një vit më vonë, pra më 1929, emërohet korrier diplomatik në Ministrinë e jashtme. Më 1938 u emërua kryekonsull i Shqipërisë në Bari, Itali, detyrë që e kreu deri më 1939.

Po në këtë vit, boton librin “Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj ”Edhe sot vazhdon te jetë, vepra më e plote dhe e arrirë për këtë ngjarje. Duke ditur disa gjuhë, ai hulumtoi dhe punoi në arkiva, për të ndriçuar më tej historinë e kombit shqiptar. Kjo është vepra që e rrjeshton Xhaferr Belegun midis historianëve, me një potencial të padiskutueshëm.

Më tej merr detyrën e konsullit, për problemet shqiptare në qytetin e Manastirit në Maqedoni. Puna e tij e lavderueshme dhe me profesionalizëm e kompetencë, ishte në mbrojte të të drejtave mbi pronat e shqiptarëve të përzënë nga trojet e tyre, nga shovinizmi nacionalist, bullgaro-maqedon.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga nazistët, u kthye në atdhe, në Tiranë. Ishte antifashist e antinazist, përkrahu lëvizjen, por pas lufte, kjo nuk e ndihmoi, por përkundrazi, u përçmua dhe u përndoq. Kësisoj, punoi me detyra të thjeshta, si llogaritar e revizor në Cerrik e Elbasan.

Regjimi më vonë e dërgoi si punëtor krahu në fidanishten e ndërmarrjes pyjore.

Në vite të ndryshme, ai shkroi vepra, në doreshkrime, që një pjesë edhe janë botuar, si: ”Jeta e Ali Pashë Tepelenës”, ”Principatat shqiptare”, “Origjina e Aleksandrit te Maqedonise”, ”Si e cilësonte shqiptarin, gjermani Wirth”, ”Mendime filozofike mbi klasikët grekë” etj.

Nga martesa e tij pati një djalë, Luanin dhe një vajzë, Marlenën, të cilët, punuan me nder, kudo ku ishin.

Arkivi i qytetit tonë, mban emrin e tij “Xhafer Belegu”.

U arrestua më 1945 si autor i veprës antijugosllave «Lidhja e Prizrenit e veprimet e saj, 1878-1881». U lirua tre vjet më vonë më 1948.

Ndërroi jetë më 1 janar të vitit 1962 në Elbasan.