Nga Hyqmet ZANE

Për opinionin qytetar shqiptar dhe veçanërisht atë elbasanas, ka mbetur i pashlyer emri i Xhaferr Mirakut, pinjollit të familjes Miraku, njerës prej familjeve të respektuara të Elbasanit. Ishte ky njeri me prejadhje nga një familje atdhetarësh që do të luante një rol të madh në konsolidimin e një opinioni se lufta partizane do të sillte një “Shqipëri të lirë dhe demokratike”.

Si një pjestar i një familjeje të pasur me florinjtë e tij Xhafa ndihmoi Shtabin e Përgjithshëm të asaj kohe, anëtar i së cilës ishte edhe vetë. Kurrë nuk do ta mendonte majori i Luftës së Spanjës, se fundi i tij do të ishte tragjik, se do të zhdukej pa lënë gjurmë. E gjithë kjo vetëm e vetëm se përkrahu mendimin e “Grupit të deputetëve”.

Nuk do kalonin shumë kohë dhe ditët e fillimit të dhjetorit 1947 me urdhër të Enver Hoxhës, edhe Xhafë Miraku si edhe disa bashkëqytetarë të tij si Zija Luniku e Kamer Kazazi e të tjerë, në prangat e policisë sekrete të modelit UDB që survejonte gjithçka dhe jepte udhëzime në gjithçka që ishte në shërbim të shqiptarëve dhe kundër interesave jugosllavëve, do të merrnin vendimin e cilësuar si “armiq” edhe pse ishin miqtë më të mëdhenj të luftës së cilës i dhanë gjithçka.

Xhaferr Miraku, si një nga elitistët e luftës antifashiste, gjatë Luftës II Botërore, do të përbënte edhe bërthamën e atyre njerëzve së bashku me Qemal Stafën, Vasil Shanton e bij të tjerë që ishin vërtet komunistë, por më shumë shquheshin për shpirtin atdhetar dhe antijugosllav dhe që fatkeqësisht patën fund të hidhur, u vranë në prita të ngritura nga fashistët ose nga vetë komunistët.

Për Xhafë Mirakun, ishte e pabesueshme, po aq sa edhe e kishte paralajmëruar babai i tij, Ibrahim Miraku, një tregtar i njohur dhe që nuk kishte asnjë besim tek idetë komuniste, se nuk mund t’i zihej besë komunistëve. Paralajmërim për Xhafën ishte edhe ikja e dy vëllezërve të tij në SHBA, Shefkiut dhe Faikut që e nuhatën dhe e ndjenë zhgënjimin. Në një kuptim mund të thuhet se Xhafë Miraku është modeli i njeriut që më herët se kushdo tjetër e kuptoi se pjesëmarrja në Luftën Anifashiste ndërkombëtare dhe atë kombëtare ishte një detyrim, po aq sa kuptoi se sa pabesi do të kishte mes komunistëve që koha do ta vërtetonte katërcipërisht.

Duke parë aktivitetin e Xhafë Mirakut, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si major dhe pjesëmarrës në Luftën e Spanjës ish komandanti i batalionit “Dobrovski” bashkë me të tjerë që historia i ka shkruar shpesh, kupton se kemi të bëjmë me një prej atyre intelektualëve që mbaruan studimet në perëndim dhe që dashurinë për atdheun e kishin më të shtrenjtë se gjithçka, dhe kjo dashuri i kushtoi shtrenjte: jetën e tyre.

Pasi ishte arrestuar që më 7 maj 1947, me vendimin nr. 493, datë 15. 12. 1947 Gjykata Ushtarake Elbasan e dënoi Xhaferr Mirakun për pjesëmarrje në organizatën e deputetëve, dhe në bazë të nenit 3, nr. 123, 7, 8, 10, të ligjit nr. 372, me vdekje, humbjen e përhershme të të drejtave politike e civile dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme. Në atë kohë Xhaferr Miraku ishte vetëm 41 vjeç dhe në kulmin e potencës së tij intelektuale dhe me kontribute të mëdha gjatë luftës. Në fjalët e fundit të tij para togës së pushaktimit, më 9 mars 1948, Xhafa ka pohuar “Rroftë pushteti, Shqipërinë ta trashëgojnë shokët e vendosur. Amanet djalin që ta edukoni dhe ta bani njeri të vlefshëm”. Kështu përfundoi karriera e një normalisti të dalluar të Elbasanit, pinjoll i një familjeje qytetarësh të nderuar, intelektuali të niveleve të larta, miku dhe bashkëpunëtori i shumë personaliteteve të mirënjohur të Luftës.

Fati i zi i mërgimit do të përfshinte edhe dy vëllëzërit e Xhafë Mirakut, Faikun dhe Shefkiun që emigruan në SHBA, pasi e kuptuan se në Shqipëri pas Çlirimit do të niste një “gjueti shtrigash” ndaj intelektualëve dhe shtresës së mesme, siç edhe ishte familja Miraku e Dajë Bimit, babit të tre vëllezërve.

Nga dy vëllezërit e tjerë Faiku dhe Shefkiu ky i fundit, qe do të bëhej redaktor i gazetës “Shqipëria”, organ i komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në New Jork dhe më pas në seksionin shqiptar “Evropa e Lirë”, nuk reshti së punuari për të thënë të vërtetën mbi regjimin stalinist të instaluar në Shqipëri. Shefki Miraku, nuk harroi të kujtonte me dhembje vëllanë e tij të vrarë, Xhafën, po aq sa ndjente keqardhjen e madhe për babën e tij Ibrahimin që sakrifikoi gjithë jetën për të qenë një burrë i nderuar i një familje atdhetare, po aq sa derdhte lot për nënë e tij. Shefkiu mbajti lidhje me Lulin, djalin e Xhafës, duke qenë gjithmonë i preokupuar për për jetën e tij dhe të tërë familjes. Ndërroi jetë jashtë atdheut, me shpirt të djegur që nuk pati rast të shohë edhe një herë familjen, qytetin dhe atdheun e tij.

Çfarë kujton bashkëshortja e Bardhul Mirakut, Mevlutja, nusja e djalit të Xhaferr Mirakut:

– Si e keni përjetuar çastin kur ju e dinit se do të martoheshit me djalin e një njeriut të pushkatuar nga Partia Komuniste e kohës më 8 mars të 1948?

– Ishte koha që familjet vendosnin për martesën tonë dhe martesa ime me Bardhyl Mirakun, djalin e Xhaferr Mirakut, u mirëprit nga familja ime. Luli ishte një djalë nga familje e mirë me një nënë të mirë, por edhe me një gjysh e gjyshe të respektuar. Unë për 5 vjet jetova me vjerrin, Ibrahim Mirakun dhe lindjes së fëmijës sone të parë ishte ai që ia vuri emrin, Saliha, emri i gjyshes së Bardhylit dhe me lindjen e fëmijës së dytë që lindi djalë ai i vuri emrin e vetë Ibrahim. Vetë gjyshi, Ibrahimi sillte biseda për të folur për djemtë e tij, Shyqyriun, Faikun dhe Xhafën. Më shumë ai fliste për Xhafën që ia pushkatuan se dy të tjerët ai i kishte jashtë në Amerikë. Për Xhafën ai ishte nostalgjik. Kujtonte gjithmonë kulturën perëndimore te tij dhe krenohej duke thënë se Xhafa bënte në rradhët e elitës intelektuale, dinte 7 gjuhë. Ai ishte i gojës dhe i pushkës.

– Ç’mund të thuash konkretisht për figurën e Xhafës?

– Xhafa e shkruajti vetë personalitetin e figurës së tij, se dallohej si në diskutimet që bënte, ashtu edhe se ishte një nga ata të pakët shqiptarë që vajtën në Luftën e Spanjës, ku ka qenë bashkë me Asim Vokshin e të tjerë. Atje kishte edhe pseudonimin “Valteri” më pas u kthye në Shqipëri dhe u aktivizua më Lëvizjen dhe, për shkak të nivelit dhe përgatitjes që kishte, duke qenë edhe i lidhur me amerikanët.

– Ç’dini ju për familjen Miraku?

– Mund të them se Xhafa u martua me mbesin e Bajram Currit. Në Itali ai ishte bashkë me nipin e Bajram Currit, Shaqir Currin, djalin e vëllait dhe ishin shumë shokë. Në një kohë që Shaqëiri e merr motrën në Itali për një vizitë, Xhafa i thotë se “jemi shokë dhe dua të bëhemi miq bashkë”, çka nënkuptonte se i kërkoi dorën mostrës së tij për grua. Ashtu u bë dhe Xhafa çoi për shkes të vëllanë, Faikun. Në Shkodër familja e Qemal Stafës ishte shumë afër me familjen e Bajram Currit. Faiku së bashku me prindërit e Qemalit shkojnë dhe i kërkojnë dorën gruas së Bajram Currit për mbesën e burrit, gocën e Myrtezait, se ajo ishte e parë në atë shtëpi. Bile kur kanë ardhur në Elbasan, këtu në shtëpinë e Mirakëve, njerëzit që ishin në kafe çohen në këmbë se gruaja e Bajram Currit ishte një zonjë e bukur. Edhe nëna e Xhafës, sapo e pa, u mahnitet dhe thotë “e hajrit qoftë kjo krushqi”.

– Njihet tashmë se mes Xhafës dhe të jatit, Ibrahimit, ka pasur një debat se përse duhen dhënë florinjtë për luftën, me argumentin se do hamë me lugë floriri pas Çlirimit. Dihet se babai i Xhafës nuk ishte dakord, duke thënë se ne po hamë me lugë floriri dhe në fakt në vend të lugës së floririt, Xhafa hëngri plumbin. Si është përjetuar në familjen Miraku ky debat?

Në kohën kur u martova unë, gjyshi, domethënë, Ibrahimi, ishte në shtëpi dhe Xhafën e kishte pikë të dobët dhe thoshte se më iku çuni kot duke nxjerrë në pah vlerat e tij si intelektual, i kulturuar, me dije të shumta. Kujtonte se kur ishin gjatë luftës Xhafa, i biri, vinte bashkë me shokët e vet, si me Ilia Trëndafilin dhe ua mbushnin mushkat me manifakturë se kjo ishte tregtia e punës së tyre për t’i çuar në mal. Ishte një ndihmë e madhe në kohë të vështira. Vrasjen e të birit gjyshi e përjetoi shumë keq dhe me dhembje të madhe, edhe pse e dinte që kishte dhe dy djem të tjerë jashtë, përsëri për Xhafën kishte dobësi.

Gjatë kohës që na bënin luftë klasash dhe na shikonin mesyrin e armikut, kur na hoqën nga arsimi, unë punoja në ndërmarrjen e vjetërsirave dhe Luli në komunale, atje ishte sekretar partie Ilia Trëndafili, miku dhe shoku i Xhafës. Atij dhe drejtorit i vinte shumë keq që mua më hoqën nga arsimi me shkollë të lartë dhe punoja në një punë të rëndomtë. Ilia e kujtonte me nostalgji atë kohë kur vinin bashkë me Xhafën dhe ngarkonin mushkat me mall. Përpara u dilnin ballistët dhe Xhafa u jepte florinj dhe ata nuk na ngisnin. “Unë e vlersoja shumë Xhafën- thoshte Ilia -, ishte njeri me kulturë”.

– Ç’dini ju për arsyen kryesore për vrasjen e Xhafës?

– Mesa kam dëgjuar edhe nga gjyshi, Xhafa nuk ishte dakord për këtë drejtim që mori pushteti pas Çlirimit. Xhafa, sipas gjyshit, thoshte se ne vërtet luftuam, por Xhafa ishte për një Shqipëri demokratike dhe për këtë ai përkrahu edhe Grupin e Deputetëve. Kur është vrarë Xhafa, e ëma është tronditur jashtë mase. Atë natë, ka mbyllur dyert e shtëpisë dhe gjithçka, ka marrë djalin, Bardhulin, gjyshin dhe të shoqen dhe e kanë gdhirë. Më pas nuk pranoi asnjë ngushëllim, as kushërinjtë e Bardhulit.

– Ajo ishte e mbesa e Bajram Currit dhe si nuk arriti të bënte asnjë përçapje për të shpëtuar burrin e vet?

– Ajo nuk ishte ndonjë vajzë me shkollë, kishin diferenca në këtë drejtim dhe nuk dinte se ku të shkonte dhe çfarë të bënte. Edhe frika e madhe ishte prezente në atë kohë. Ajo jetoi gjithë kohës duke respektuar bënte respekt vjerrit dhe vjerrës. Vdiq në vitin 1982. për të rritur djalin ajo shiti shumë nga pasuria e shtëpisë, punoi edhe punëtore në lavanterinë e qytetit që u ndërtua këtu në kopshtin e shtëpisë. Asnjë lehtësi nuk pati ajo edhe pse ishte mbesa e Bajram Currit. Vetëm pas ardhjes së të mirënjohurës Bije Vokshit në Shqipëri, vajzës së tezes së nënës së Bardhulit, Bedrie Miraku (Curri) dhe ndërhyrjes së saj Bardhuli u rikthye në arsim në një fshat të rrethit të Elbasanit deri sa doli në pension.

Epilog

Shumë pllaka përkujtimore janë vendosur në muret e qytetit të Elbasanit dhe shumë emërtesa rrugësh e lagjesh, institucionesh dhe shkollash janë bërë në vite, por emrat e njerëzve që persekutoi diktatura mbeten tabu të përmenden edhe sot e kësaj dite. Këtu duket se futet edhe Xhaferr Miraku, rruga e të cilit ishte për fitoren e Shqipërisë së Lirë dhe Demokratike që u shkatërrua nga Shqipëria e Diktaturës Komuniste. Ky mesazh është i qartë për autoritetet e një shteti që prosperon për demokracinë e vërtetë.