Visarion Xhuvani, i biri i Joanit dhe i Efthimies, lindi në Elbasan në vitin 1890, në lagjen Kala. Mësimet e para i mori në shkollën greke të lagjes së tij. Shkrimin e leximin në gjuhën shqipe e mësoi në mënyrë ilegale.
Shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë, në shkollën fetare “Rizarios”. Po në Athinë, kreu edhe Universitetin për Teologji, ku u diplomua si Klerik i lartë. Në vitin 1919 ishte murg i thjeshtë. Në vitet 1924 – 1928 kreu studimet pasuniversitare për Teologji, në Universitetin e Kembrixhit në Angli, ku mori edhe gradën Doktor. Në 1929 u bë Kryepeshkopi i parë i Shqipërisë.

Viti - 1931, At Visarion Xhuvani

Viti – 1931, At Visarion Xhuvani

Visarion Xhuvani ishte një pesonalitet poliedrik. Dinte disa gjuhë të huaja si: greqishten e vjetër e të re, anglisht, gjermanisht, serbokroatisht, italisht dhe rumanisht.
Si një intelektual i formuar që ishte, dha kontribut të madh edhe si atdhetar dhe figura e tij pati një rëndësi të madhe në vitet ’20 e më vonë në Shqipëri. U mor veçanërisht me çëtjet që lidheshin me arsimin, ndërkohë ishte përfaqësues në Kongresin e Lushnjes, ku edhe u zgjodh senator.
Gjatë luftës Xhuvani ishte mitropolitit i Beratit, Vlorës dhe Fierit. Pjesëmarrës kryesor në Asamblenë Kushtetuese të 12 prillit 1939. Më 16 prill 1939 ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar që i ofroi kurorën Viktor Emanuelit në Romë.
Ishte Peshkop i Beratit në periudhën e viteve 1941-1945.
Botoi edhe një revistë fetare. Përktheu “Meshari” dhe “Jetën e Shën Gjon Vladimirit”.
Në vitin 1946 u arrestua nga diktatura komuniste. Më 22 dhjetor 1947 gjykata e kishte dënuar me 20 vjet burg, dënim të cilin në pjesën më të madhe e ka vuajtur në repartin nr.321 Burrel. I sjellë nga seksioni i Sigurimit të Shtetit në Vlorë para Gjykatës Ushtarake të Vlorës si “armik i popullit”, përbri emrit të tij shënoheshin fjalët se “kishte ndihmuar lëvizjen gjatë luftës”, ndërsa ishte në gjendje të keqe ekonomike.
Pasi vuan më shumë se 15 vjet burg, duke përfituar 5 vjet nga dekretet e viteve 1957, 1959 dhe 1962, lirohet nga burgu më 27 nëntor 1962.
Xhuvani ndërroi jetë 3 vjet pasi doli nga burgu, më 1965 dhe u varros në Shijon, ku prehet edhe sot.

Ishte jo vetëm personaliteti që mundi të organizojë për herë të parë një Kishë Ortodokse vendore në Shqipëri dhe që fytyroi KOASh-in në histori, por dhe dëshmori që u përndoq nga regjimi komunist dhe vuajti dy dekada në burg.

Visarion Xhuvani

Visarion Xhuvani