Vera Blloshmi lindi më 19 prill të vitit 1923, në qytetin e Tiranës, në një familje me tradita e patriote.

Në foto: Vera Blloshmi

Në foto: Vera Blloshmi

Shkollën fillore e kreu në shkollën “Motrat Qiriazi”, të mesmen tek shkolla “Nëna Mbretëreshë”, kurse studimet e larta i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, në akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Më pas, në vitin 1945, u largua për në Angli, ku vazhdoi punën e saj si piktore dhe u përkushtua në hapjen e ekspozitave me punët e krijimet personale, në Angli dhe jashtë saj.

Vera Blloshmi njihet e përkujtohet në shtete të ndryshme të botës, për veprimtarinë e saj si piktore. Pikturat e saj janë shpërndarë e shitur në: Itali, Çeki, Zvicër, Kanada, Francë, Angli etj. Dallohet sidomos për punimin e portreteve dhe peisazheve.  Në punimet e saj ka jo vetëm punë e talent, por edhe vërtetësi. Ndër punët e saj më i njohuri është Portreti i Ismail Qemalit, të cilin e ndeshim në libra të shumtë. Ka pikturuar edhe portrete të Skëndërbeut, të vajzave me kostume tradicionale shqiptare, të familjarëve të saj etj. Në vitin 1983 fiton çmin e parë, në një nga galeritë më të mëdha të Londrës, me portretin e gruas me kostum kombëtar.

Portreti i vajzës me kostume kombëtare, punuar nga Vera Blloshmi

Portreti i vajzës me kostume kombëtare, punuar nga Vera Blloshmi, me të cilin ka fituar çmimin e parë në vitin 1983.

Vera Blloshmi  Mellett ishte e bija e Selaudin Blloshmit (kolonel në kohën e mbretësrisë zogiste) dhe e Sara Blloshmit (mbesës së Ismail Qemalit). Ishin kushurira të para, vajza tezesh me Nermin Vlorën.

Ajo ka qenë pjesëmarrëse në komunitetin anglo-shqiptar të Londrës. Pas largimit të saj në Angli, është rikthyer për të vizituar Shqipërinë edhe dy herë të tjera, në 28 Nëntor 1992 dhe në nëntorin e vitit 1996. I ka dashur shumë atdhetarët e saj, madje shtëpia e saj, ishte bërë si një bujtinë, ku mirëpriteshin shqiptarët që shkonin në Londër.

Është martuar në vitin 1946, martesë nga e cila pati dy fëmijë, Sarah dhe Sonia.

Ndërroi jetë në 25 maj të vitit 1998.

Portret i Ismail Qemalit, punuar nga Vera Blloshmi

Portret i Ismail Qemalit, punuar nga Vera Blloshmi