Behexhet  Garunja me autovetura e parë në Elbasan

Elbasani është i çertifikuar në kujtesën historike si qyteti që ka patur evenimente, jo vetëm në ngjarje madhore me karakter kombëtar, por edhe në drejtime të tjera të jetës publike. Në këtë kuptim kur themi që cilët kanë qenë të parët në këto drejtime një e tillë është edhe futja e makinave të para në Elbasan. Për këtë nga të dhënat historike bëhet e ditur se vëllezërit Garunja: Hasani(i pari shofer në Elbasan), Aliu, Behexheti dhe Sula janë të parët që formuan edhe shoqërinë e makinave.

Nga dëshmitë që ekzistojnë, thuhet se garazhi ku mbaheshin makinat (1 veturë dhe 2-3 kamionë) i parkonion tek vendi ku ka qenë shtëpia e familjes Qorri, që sot ndodhet në pjesën jugore  të pallatit të sportit “Tomorr Sinani”.

Nipi i kësaj familjeje Lirim Garunja (i biri i Behexhetit)  kujton nga biseda që ka bërë me babain e tij në lidhje me këtë fakt historik: “Makina ka ardhur nga Italia në Durrës dhe me sakrifica të mëdha për shkak të rrugëve automobilistike të pakta dhe jo të mira, ka arritur ne Elbasan rreth periudhës së viteve 1921-1923. Fillimisht një makinë, me kalimin e viteve u bënë me 1 veturë dhe 2-3 kamionë. Mbaj mend që babai më tregonte që kjo u bë ngjarje në qytet dhe qytetarët elbasanas, pak nga gëzimi e pak nga kurioziteti bënin xhiro me kamion nga Rrapi i Bobollës (Sot në Bulevardin “Aqif Pasha”) dhe deri tek Rrapi i Vojvodës (Pranë Stadiumit).

Ali Garunja, njëri nga shoferët e parë në Elbasan

Në këtë kohë makinat shërbyen edhe për t’i ardhur në ndihmë aktiviteteve  të tjera siç ishte transportimi i mallrave, duke zëvendësuar atë me karvanë me kafshë dhe po ashtu transportimin e njerëzve për në Llixhat e Elbasanit. Për fatin e veturës dhe kamionëve nuk di të them me siguri, por mendoj se vetura ka qenë pjesë e arsenalit të veturave të Kinostudios “Shqipëria Sot”, të cilat u përdorën si pjesë të filmave shqiptarë për të pasqyruar realitetin e kohës.

Duke pasur parasysh që kanë qenë shoferët e parë në qytet, babai (Behexheti) dhe xhaxhai (Ali Garunja) drejtuan kurset e parë të përgatitjes së shoferëve”.

Në këtë mënyrë nisi rrugëtimi i domosdoshmërisë për përgatitjen e shoferëve të ardhshëm dhe këtu vlen për tu shënuar kontributi i familjes Garunja në këtë ngjarje për qytetin e Elbasanit.