Vasil Llapushi_optArsimtar i dalluar, patriot i zjarrtë, mbledhës i folklorit dhe aktivist i lëvizjes teatrore në Elbasan.
Lindi në lagjen “Shën Koll” Elbasan dhe mësimet e para i mori në shkollën greke të lagjes. Ishte fëmijë mjaft kureshtar dhe prindërit e stimuluan këtë dhunti tek Vasili i vogël. E dërguan për të ndjekur shkollën e mesme në gjimnazin e dëgjuar “Zosimea” në Janinë, të cilën e përfundoi në Manastir më 1910. Që kur ishte student ai u angazhua në çdo lëvizje studentore që kishte synim forcimin e identitetit shqiptar. Mos harrojmë se ishte periudha e pushtimit osman dhe çdo lëvizje më karakter nacionalist ndalohej dhe përndiqej nga xhandarmëria. Që në vitin 1908 u regjistrua në Klubin e Studentëve Shqiptarë të Manastirit. Ishte dëshmitar dhe aktivist në mbrojtje të zhvillimit të punimeve të këtij Kongresi, ku patriotët shqiptarë vendosën përdorimin e alfabetit latin për gjuhën shqipe. Kjo ngjarje i bëri mjaft përshtypje dhe i përcaktoi të ardhmen Vasilit të ri. E përvetësoi menjëherë këtë alfabet dhe shpejt nisi t’ua mësojë edhe miqve e të afërmve. Kthehet në Elbasan dhe nis punën e mësuesit të gjuhës greke në shkollën vllahe të lagjes “Shën Koll” që ishte çelur që në shtatorin e vitit 1899. Vasili bashkë me aktivistët e tjerë të zgjimit kombëtar në Elbasan, Hysen Ceka, Losh Papamihali, Simon Shuteriqi, Dhimitër Paparisto, Xhemë Biçoku, Alush Saraçi, Ali Hysen Çaushi, Amina Bibaja, Fetah Ceka, Gori Leka, Emin Haxhiademi, Petër Dodbiba, Ali Hasan Çiftja etj, mbajnë lidhje me komitin Ymer Dervishi dhe mësuesit e zonës së Shpatit si Ibrahim Panxhi, Dule Dervishi e Kodhel Dedja dhe i përkrahin fuqishëm ata për mbajtjen e meshave shqip në kishë dhe çeljen e shkollave shqipe. (Abedin Çaushi “Si u përhap mësimi në gjuhën shqipe në Elbasan”, Arsimi Popullor, Nr.2, v. 1963). Vasil Llapushi shprehej shpesh se grekët nuk kanë punë as në kishën shqiptare dhe as në kishën vllahe. Ja ç’thotë një raport i konsullit austro-hungarez të Manastirit më 5 prill 1900: “Mitropoliti orthodoks grek përpiqet këtu me e shtue numrin e shkollave greke, sidomos në Shpat. Atij i ka marrë koka erë që kur e dekoroi princi i Malit të Zi”. (Hysni Myzyri, “Shkollat e para kombëtare shqipe 1887-1908”, fq. 170, Tiranë, v. 1973).
Pas Kongresit të Lushnjës patriotët shqiptarë me parullën Kishë-Shqiptare në Shtet-Shqiptar, vendosën për pavarsimin e Kishës Orthodhokse nga ajo greke dhe Vasili ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të kësaj lëvizje kishtare-atdhetare. Për këto kontribute zgjidhet delegat në Kongresin -I- të Kishës Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare që u mbajt në Berat në vitin 1922. Kongresi në fjalë e zgjodhi sekretar dhe pas dy vjetësh e dekorojnë për ndihmesën e tij të vlefshme.

Vasili përkrahu gjithashtu çdo lëvizje në Elbasan që kishte të bënte me përparimin, shkollën shqipe, teatrin, dhe ishte antar mjaft aktiv i shoqërisë kulturore-patriotike “Bashkimi”, me mjaft peshë në Elbasan. Bashkë me Abedin Çaushin ai ishte ndër themeluesit e parë të teatrit amator në Elbasan. Po kështu, ai ishte ndër përkrahësit e palëkundur të mbarëvajtjes së punëve në kishën e “Shën Kollit” dhe kundër ndikimit të kishës greke atje.

Në vitin 1920 Vasili ishte n/kryetar i Komitetit të ngritur në Elbasan për të ndihmuar Luftën e Vlorës me rekrutimin e vullnetarëve të armatosur, mbledhjen e të hollave, armëve, veshjeve etj.
Në vitin 1927 Vasil Llapushi u burgos për pak kohë pasi nipi i tij (djali i motrës) studenti elbasanas Alqiviadh Bebi vrau në Pragë të Çekosllovakisë ministrin Ceno bej Kryeziun, që ishte kunati i Presidentit të atëhershëm shqiptar Ahmet Zogu. Ngjarje kjo e pa sqaruar mirë asnjëherë.
Sapo del nga burgu vazhdoi punën e nderuar të mësuesit të gjuhë dhe letërsisë shqipe në shumë shkolla të qytetit dhe atë të inspektorit të arsimit deri në vitin 1942. Për shkak se e kundërshtoi hapur pushtimin fashist italian të Shqipërisë që në vitin 1939 dhe ishte kundër fashistizimit të teksteve mësimore shqiptare, Vasil Llapushi u dorëhoq nga ai funksion. Me ndërhyrjen e Lef Nosit, emërohet drejtor i jetimores në Elbasan deri në vitin 1945. Ai ishte shumë i dhembshur dhe gojëmbël me fatkeqët e vegjël dhe ata me dashuri e thërrisnin “papu”. Gjatë Luftës -II- Botërore Vasili përkrahu forcat NACl dhe pas luftës e zgjedhin antar të Këshillit Popullor në Elbasan.
Por, krahas mësuesisë dhe aktiviteteve mjaft të dobishme e atdhetare, Vasil Llapushi ishte edhe një mbledhës mjaft i pasionuar i krijimtarisë popullore të zonës së Shpatit, veçanërisht i këngëve epike dhe lirike, kostumeve popullore, përrallave e legjendave etj. Vasil Llapushi është autori i gjetjes së dokumentit me Alfabetin e Elbasanit. Ky alfabet i përbërë prej 52 shkronjash që mendohet se i përket Dhaskal Todrit, të cilin shpatarakët patriotë e fshehën që të mos bjerë në duart e kishës greke apo autoriteteve osmane. Për afro 200 vjet ata e ruajtën brez pas brezi këtë të fshehtë që ndodhej në shpellën e Kabashit, në malësinë e Zavalinës e që kufizohet më përroin e Holtës në Gramsh. Ky alfabet paraqet një vlerë mjaft të madhe studimore. Po kështu ai boton vëllimin me kujtime “ Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912”.
Në vitin 1953 Vasili del në pension dhe vitet e fundit të jetës i kalonte në sallën e bibliotekës “Q. Baholli” duke u marrë me studime dhe ndihmuar në sistemimin e fondit të pasur të këtij institucioni publik. Pas vdekjes Vasil Llapushi u nderua me titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Mblodhi dhe përgatiti: B. Dylgjeri, dhjetor 2015