Lindi më 1 maj 1921 në një familje të lagjes “Kala” në Elbasan. Nga i ati trashëgoi vetëm emrin, se ai vdiq para se të lindte Vasili. Xhaxhai e rriti atë në vështirësi ekonomike. Megjithatë, ai u rrit me një inteligjencë natyrale, kujtesë fenomenale, vullnet të çeliktë dhe durim anglez. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm shkollën Normale, fitoi vendin e parë në një konkurs të Ministrisë së Arsimit për të ndjekur studimet në Itali. Më 1 Dhjetor 1940 u paraqit në Magistero të Romës. Për 4 muaj jep provomin e gjuhës italiane me rezultatet më të larta ndër gjithë studentët, duke fituar edhe një bursë speciale. Më pas, vazhdon studimet për gjuhë e letërsi italiane në Romë e Firence dhe tërë provimet i merr shkëlqyeshëm. Në pushimet e verës së vitit 1942 kthehet në Shqipëri dhe  merr pjesë në Demonstratën e Bukës, ku goditet në kokë, pas daljes nga spitali internohet në Porto Palermo. Studimet mbetën në mes dhe diploma nuk u mbrojt.

Por ai vazhdonte të punonte e mësonte, dhe si autodidakt, mësoi gjuhën frënge.

Pas Çlirimit, si njeri i ndershëm, emërohet si përgjegjës i zyrës ekonomike të qarkut, ku ndaheshin ndihmat për të varfërit e familjet e dëshmorëve. Në prill 1945 filloi punën si mësues në Liceun e Korçës e më pas në Normalen e Elbasanit, ku nga viti 1946 deri më 1954 bëri detyrën e mësuesit, drejtorit, nëndrejtorit në këtë shkollë dhe nga data 1 gusht 1954 punoi si drejtor i saj deri më 1971 kur dhe emërohet drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik. Për 17 vjet ai qe timonieri I sukseseve, arritjeve, ndryshimeve të planeve dhe teksteve jo vetëm të Normales së Elbasanit, por i të gjitha hallkave ku përgatiteshin mësues në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, për merita të larta në punë dekorohet disa herë, ku duhet përmendur titulli “Mësues i Merituar” (1 mars 1961) dhe “Hero i Punës Socialiste” (22 nëntor 1969).

Vasili ishte në vetvete hero jo politik, sepse, në atë kohë, nuk ka qenë anëtar i Partisë së Punës, por ai punonte ditë e natë për arsimin e popullit. Ai shkonte në fshatra e qytete të ndryshëm të Shqipërisë, ku interesohej për jetën e mësuesve, për nivelin e tyre arsimor, bënte çmos që të rriste nr e nxënësve në shkollën pedagogjike dhe të kalonta sa më shumë mësues pa arsimin përkatës në shkollën e kualifikimit.

Lufta ia ndërpreu studimet, por ai e mbaroi shkollën e lartë në degën gjuhë letërsi në Universitetin e Tiranës, me korrespondencë, me rezultate të shkëlqyera. Kur Vasili kishte provim, ai kishte një “ves”: ulej menjhëherë para pedagogut dhe fillonte të përgjigjej, pa shënuar asnjë fjalë më parë.

Kur jepte provimin pasuniversitar të pedagogjisë, përgjigja qe kaq e gjerë, e plotë dhe interesante, sa njëri nga anëtarët e komisionit i thotë: “Tani Vasil, na pyet ti ne, sepse nga përgjigja jote mësova edhe gjëra të padëgjuara, sidomos për veprën e Rusoit”.

Vasilin kanë kërkuar ta emërojnë disa herë në detyra të rëndësishme shtetërore, por ai asnjëherë nuk pranoi dhe tërë jetën e lidhi me Normalen e Elbasanit, që aq shumë e donte.

Më 1 shtator 1971, atij i ngarkohet një tjetër detyrë sa e vështirë aq dhe e rëndësishme, emërohet drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik, që më vonë merr emrin e nderuar “Aleksandër Xhuvani”. Dy vitet e para të punës ishin tepër të lodhshme, duheshin ndërtuar godinat mësimore dhe godina e konviktit.

Një ditë të nxëhtë të korrikut 1972, po punonim në zyrë. Ai më thotë: “Qeveria na hapi një një kredi prej 11 milionë lekë. Të ndërtojmë shkollë apo konvikt?” Unë ngula këmbë për ndërtimin e një godine shkollore. Ai më tha: “Unë mendoj të ndërtojmë konvikt, sepse shkollën, mos sot, nesër do të na e japin, por konvikt nuk na japin më.”

Dhë kështu bëri. Pas 2 vitesh ne na akorduan sërish një kredi prej 20 milionë lekësh, me të cilën ndërtuam një godinë mjaft të mirë shkollore, ndryshe nga ILP Gjirokastër, të cilët ndërtuan godinë mësimore dhe pas 10 vite orvatjesh nëpër konvikte të tjera, u bë me konvikt.

Vasili ishte personaliteti më i njohur në fushën e arsimit. Në çdo instancë ku ai shkonte, pritej me respekt. Kishte lindur domosdoshmëria për një automjet. Pas hezitimesh të gjata, Vasili merr në telefon sekretaren e zëvendëskryeministrit dhe i kërkon një takim me eprorin e saj. Sekretarja hezitonte me justifikimin që shefi ka punë. Vasili lë vetëm një porosi: Vasil Kamami kërkon një takim pune. Pas 30 minutash bie zilja e telefonit, sekretarja, duke kërkuar ndjesë përcjell porosinë e shefit të saj: Mund të vini në çdo kohë”.

Ai tregonte një kujdes të veçantë për kuadrot e rinj që I zgjidhte me mjaft kujdes dhe I trajtonte me dashamirësi për t’u bërë mësues të mirë.

Gjashtë vjet pasi mbarova shkollën e mesme pedagogjike, unë u ktheva mësues në të. Isha mjaft I ndrojtur, do më kontrollonte drejtori ynë “i rreptë”, sipas opinionit të nxënësve. Ai nuk më erdhi për 2 muaj në kontroll, kohë gjatë së cilës unë e mora veten, u ambjentova me lëndën, nxënësit, shkollën.

Në javën e parë të Nëntorit më erdhi 1 orë. Unë I shkova pas në pushim, për të bërë analizën, duke pritur kritikat. Ai më hodhi dorën në sup dhe më tha: “S’kam asnjë vërejtje, vazhdo”. Kjo më dha krahë. Pas disa ditësh më erdhi përsëri një orë. Përsëri asnjë vërejtje. Pasi më kontrolloi 4 orë rresht, më thirri në drejtori e më bëri tërë analizat e orëve të vëzhguara. Ai më bëri analizën e marëdhënieve të mia me shokët, me nxënësit, më bëri vërejtje si të punoja me dokumentacionin, etj. Pra ai më kishte vëzhguar me imtësi në tërë drejtimet. Në fund më përgëzoi. Pas kësaj u bëmë miq të ngushtë për 25 vjet si mësues dhe drejtues.

Për të treguar se sa e respektonte populli drejtorin, kemi një ngjarje të jetuar.

Ai, çdo ditë në ora 7.15 min. kalonte para dyqaneve të briskpunuesve që ishin në radhë tek Porta e Kalasë kur shkonte në shkollë. Sapo I pari e përshëndeste drejtorin, të tjerët linin çekiçët, ngriheshin në këmbë dhe me respekt e përshëndesnin atë. Ky veprim e shoqëronte atë tërë rrugës. Kur ai kalonte , lëvizja ndërpritej dhe njerëzit me kënaqësi merrnin përshëndetjen e ngrohtë, të ëmbël dhe dashamirëse të tij.

Vasili punonte me pasion në shumë fusha të shkollës, por vëmendje të veçantë ai tregonte për të njohur nxënësit, për të ndjekur arritjet e tyre, hallet dhe shqetësimet që kishin. Muaji gusht i çdo viti, kur të tjerët pushonin në plazhe (ai për 17 vjet nuk mori leje të zakonshme) ishte mjaft I ngjeshur. Ai krahas problemeve administrative, disa orë në ditë, merrej me studimin e dokumentacionit të nxënësve të tij. Lexonte karakteristikat, studionte rezultatet, njihte fotografitë.

Gjëja më befasuese, më e çuditshme, më e papritur për nxënësit e rinj ishte fakti që drejtori sapo hynin në shkollë i thërriste në emër dhe i përkëdhelte.

Nuk më harrohet një rast. Në një mbledhje të këshillit pedagogjik, një koleg propozoi për të përjashtuar një nxënës të klasës që kishte në kujdestari. Pasi mbaroi ai, drejtori e pyeti: “A e njeh ti këtë nxënës, çfarë pune ke bërë ti me të? Nga është ky djalë? I kuj është? Sa fëmijë janë në shtëpi? Sa të ardhura marrin? etj”. Mësuesi filloi të belbëzonte. Atëherë drejtori iu përgjigj tërë pyetjeve që bëri duke na habitur të gjithëve. Kjo dukuri nuk ishte një rast. Ai njihte me imtësi çdo nxënës, çdo mësues, çdo punonjës.

Kontributi  shkencor i Vasilit ishte drejtuar, ishte përqëndruar në fushën e pedagogjisë dhe të historisë së shkollës.  Përshtypja e parë të krijohet sikur Vasili nuk ka shume botime e studime. Por ai tërë jetën është marrë me studime, hulumtime, diskutime, përgatitje planesh e programesh për shkollën Pedagogjike, për shkollën e lartë, etj.

Diskutimet e analiza e tij në këshillat shkencorë, në aktivitete në rang kombëtar, në komisionin qëndror të arsimit e gjetkë po të përmblidhen, krijojnë disa volume me përvojë  e shkencë.Ai ka botuar në shtypin pedagogjik e periodik të kohës rreth 60 artikuj. Gjithashtu botimet  e tij në Revistën Pedagogjike, apo në revista të tjera janë me vlera shkencore e pedagogjike. Në këto shkrime dhe në mjaft të tjerë sintetizohet jo vetëm përvoja e shkollës në përgjithësi dhe e Normales në veçanti, por në to gjen mendime me vlerë për ndryshimet e sistemit arsimor, të dokumentacionit bazë të shkollës, të organizimit të praktikave mësimore e pedagogjike, etj.

Por kulmi I veprimtarisë shkencore të Vasil Kamamit është disertacioni me të cilin mori titullin “Kandidat i Shkencave”. Disertacioni mbi “Historiku dhe tradita e shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” është një analizë e thellë, e plotë, jo vetëm e historikut të shkollës, nga themelimi deri në vitin 1971, por dhe ndihmesës së saj në fushën e përgatitjes së mësuesve, në fushën e përhapjes së përvojës didaktiko – pedagogjike me vlera për mësuesit e vjetër e të radhshëm. Aty gjen jetën dhe veprën e figurave kryesore, të drejtuesve e mësuesve që kanë punuar në shkollë, kontributin e normalistëve për arsimin dhe edukimin patriotik të shqiptarëve kudo që ndodheshin: në Çamëri, Kosovë e Maqedoni, për normalistët dëshmorë dhe heronj të LANÇ.

Vasili u nda nga ne në 16 Mars 1991, por ai do të mbetet i paharruar për popullin e Elbasanit dhe 9000 mësuesit në diplomat e të cilëve është vënë firma e tij.

 

Përgatiti Dr. Tomorr Arianiti