Është e vërtetë se në Elbasan janë disa vende të shenjta që mbahen mend për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur vite më parë. Mali i Vashës, Tyrbja e Gocës apo Ullini i Qejfit  janë kthyer në simbole të banorëve të trevës së Elbasanit, dashuritë në këto vende kanë njohur lumturitë dhe tragjeditë e tyre.

Historia e dy protagonistëve nuk dihet se në ç’kohë ka ndodhur, por ka ardhur brez pas brezi deri ditët e sotme. Bëhet fjalë për dy të rinj, një djalë ortodoks nga Shelcani, i cili me një shikim zemre ka fituar dashurinë e vajzës muslimane nga Shushica në trevën e Elbasanit. Të dy u bënë xhelozia e njerëzisë dhe syri i keq është bërë shkak i një tragjedie.

Prindërit e vajzës kërkuan e gjetën një burrë për bijën e tyre. Askush nuk kishte forcë të ndalte këtë vendim kanunor. Atat gjetën një burrë për vajzën e tyre, siç e donte zakoni dhe bënë dasmë. Hipur mbi një kalë dhe shoqëruar nga krushq dhe dasmorë, vajzës iu prenë në mes ëndrrat dhe zemra. Djali fatzi gjeti rastin të shoqërojë fshehurazi karvanin që i mori dashurinë dhe ia shkeli me këmbë. Fshehurazi dhe me mijëra ofshama e ndoqi vajzën e zemrës, deri sa e kaloi edhe lumin Shkumbin. E dashura e tij e kaloi lumin, ndërsa ai vetë ndjeu për herë të parë një ligështi të madhe matan bregut. Sytë që i lotonin, shpirti që i digjej, mendja që i ziente e hidhëruan pa masë. Ndërkohë që kali me robinën kishte prekur bregun e përtej lumit për në Elbasan, vajza kthen kokën dhe shikon për të fundit herë bregun e përtejmë ku qëndronte i zhytur në ngashërime djali i zemrës së saj. Ai qëndroi dhe pak në këmbë dhe u shemb përtokë duke plasur në vend nga marazi i zi që e vrau përjetë. Si nëpër në një tel korenti hidhërimi kaloi sa në një anë në anën tjetër të lumit dhe ndodhi ajo që nuk ishte parë dhe as dëgjuar asaj ane. Vajza bie vërtik mbi tokë, duke pasur edhe ajo fatin e të dashurit.

Krushq e dasmorë panë njëri-tjetrin në sy dhe u shokuan nga kjo që ndodhi.

Që nga ajo kohë e deri sot ky vend do të konsiderohej i shenjtë dhe do të quhej “Tyrbja e Gocës”. Ai ndër vite do të shërbente si vend me një simbolikë të veçantë, për të gjithë ata që dashuronin, sepse aty do të gjenin ilaçin e bashkimit të zemrave dhe do të kërkonin shpëtim për dashurinë e tyre. Aty ndizen qirinj prej shumë kohësh dhe sot e kësaj dite ai vend është i shenjtë.