Nga Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi më 28.01.2014

“…..Tradita elbasanase në fushën e publicistikës është me të vërtetë shumë e pasur dhe ka njohur pena të forta e të talentuara. Gazeta e parë, mesa dimë, qe “Tomori” (10 mars – 10 korrik 1910, gjithësej 13 numra), e cila dilte tri herë në muaj dhe drejtohej nga atdhetari Lef Nosi.
Pas shpalljes së Pavarësisë, e sidomos në vitet ’20 të shekullit të kaluar, numri i organeve publicistike periodike u rrit. Përmendim organet: “Kopështi letrar” (gusht 1918 – korrik 1919, gjithësej12 numra), revistë e përmuajshme, botim i Qarkut Letrar të qytetit tonë; “Shkumini” (21 janar 1921 – 20 janar 1922, gjithësej 47 numra), e drejtuar fillimisht nga Filip Papajani e pastaj nga Emin Matraxhiu, gazetë e përjavshme, politike e letrare; Gazeta “Elbasani” (25 nëntor 1922 – 26 tetor 1925, gjithësej 52 numra), e përjavshme politike, shoqërore dhe letrare, drejtuar nga publicisti Ahmet Hostopalli që pati studiuar për drejtësi; Gazeta “Ku vemi?” (1922, gjithësej 5 numra); po kjo gazetë filloi të botohej edhe dy vjet më vonë (12 janar – 19 tetor 1924, gjithësej 20 numra), nën drejtimin e demokratit Sali Çeka; Gazeta “Ura e Shkuminit” (23 mars 1923 – 30 prill 1924, gjithësej 46 numra), e përjavshme, nën drejtimin e Ahmet Daklit; Buletini “Dokumenta historike” (1924, disa numra) me drejtues Lef Nosin, që botohej një herë në muaj; Revista “Normalisti” (1929-1937) e përkohshme mujore, pedagogjike, letrare e shkencore, organ i nxënësve dhe i kolektivit pedagogjik të shkollës Normale të qytetit tonë.
Botimet zyrtare të Elbasanit në vitet ’30 kanë patur edhe një botim informativ të Bashkisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në sistemin diktatorial, në qytetin tonë rol primar iu ngarkua gazetës lokale “Shkumbini” (17 gusht 1967 – 30 gusht 1991), organ i komitetit të PPSH-s për Elbasanin, e cila dilte rregullisht dy herë në javë. Kryeredaktorë: fillimisht Adriatik Kanani, më pas – Mefail Pupuleku.
Gjithashtu në atë periudhë përmendim edhe publikimin e gazetës minore “Metalurgu” (1973 ), e përjavshme, organ i komitetit të PPSh të Kombinatit Metalurgjik, e cila pati jetë për disa vjet me radhë. Kryeredaktor, fillimisht e për një kohë të gjatë qe Luan Narazani.
Me ndërrimin e sistemeve dhe vendosjen e Demokracisë, në Elbasan panë dritën e botimit disa gazeta të reja:
Ish-gazeta “Shkumbini” tani u bë organ i Partisë Demokratike të rrethit tonë dhe u pagëzua “Fjala e lirë”. Numri i parë i saj doli më 21 shtator 1991 dhe vazhdoi disa vjet, deri në dhjetor 1996, si e përjavshme, pluraliste. Fillimisht kryeredaktor i saj, gati për nja dy vjet, qe Bujar Hudhri, të cilin e zëvendësuan pastaj me Tomor Jolldashin. Ajo gazetë luajti rol parësor në zhvillimin e proceseve demokratike të qytetit e të ish-qarkut tonë.
Por koha me zhvillimet e shpejta e të vrullshme të saj, si në çdo fushë të jetës, kërkonte edhe alternativa në publicistikë. Kështu shpërthyen edhe organe të tjera.
Bujar Hudhri hapi një gazetë tjetër, me titull të huazuar nga tradita, “Ku vemi?”. E mbajti këtë gazetë për një periudhë të shkurtër dhe pastaj e mbylli, duke iu përkushtuar një ndërmarrjeje tjetër më të fuqishme, shtypshkronjës e shtëpisë botuese “Onufri”. Kjo gazetë doli rishtazi pas disa vjetësh (2009-2010), e drejtuar tanimë nga publicisti Arben Boriçi.
Edhe Tomorr Jolldashi, pas tri-katër vjetësh drejtimi të “Fjalës së lirë”, hyri në kontradikta me financuesit e saj dhe e kuptoi se nuk mund ta thoshte lirshëm dhe siç duhet fjalën e tij në të. Ndaj ndoqi shembullin e Bujar Hudhrit, ia la atë gazetë publicistit Fatmir Terziu (më 1995 -’96-n, i cili më pas do të emigronte në Angli dhe që nga Londra do ta vazhdonte ta botonte me sukses në internet atë gazetë) dhe vetë filloi të nxirrte gazetën “Elbasani”;
”Intelektuali” (shkurt 1996 – gusht 1996, gjithsej 21 numra), gazetë politike dhe letrare e intelektualëve antikomunistë, drejtuar nga Tomor Himçi (redaktorë: Hiqmet Zani e Hektor Çiftja);
Buletini shkencor “UNIEL”, botim i Universitetit “A. Xhuvani”(1997-), i përgjashtëmuajshëm, që edhe sot e kësaj dite vazhdon me sukses të pasqyrojë punën kërkimore e studiuese të këtij institucioni të lartë arsimor;
Gazeta “Egnatia” (shtator 1998 – qershor 2001, gjithësej 15 numra), drejtuar nga Pëllumb Zekthi (më tej, me ndërprerje, nga Besim Dybeli).
Sidomos në kohë fushatash elektorale, lindën disa gazeta jetëshkurtëra. Përmendim: Rinelba (=Rinia e Elbasanit), kulturore e përmuajshme gjatë vitit 2000, e cila nxorri nja 3-4 numra, drejtuar nga Pëllumb Zekthi; Java Elbasan (2007, e drejtuar nga Lorenc Vavla); Skampa, drejtuar nga Hektor Çiftja, pati jetë më të gjatë, për gati një vit (2010); Nevv Elbasan (2010-‘11) me nja dhjetë numra, botues Ilir Sadiku e gazetarë: Miranda Sadiku e Arben Boriçi; “Gazeta shqip”, me gazetar shkrimtarin Hyjni Ceka, e cila vegjetoi vetëm me tre numra, si dhe ndonjë kërpudhë tjetër. Në vitin 2000, Klub¬haiku Shqiptar nxori kohë pas kohe në disa numra revistën “Haiku”, drejtor i së cilës qe poeti Milianov Kallupi;
Gjithashtu, buletinin zyrtar informativ i përmuajshëm “Tribuna bashkiake”, organ i Bashkisë së Elbasanit (prill 2001 – ), që më vonë, edhe sot e kësaj dite, vazhdon (sipas traditës të botimit të viteve ’30) nën emrin Almanaku i Bashkisë.
Për herë të parë në historinë e trevës sonë, në vitet e tranzicionit demokratik (më saktë, në vitin 1998) edhe lexuesit e vegjël njohën një organ lokal të tyre. Kjo qe gazeta e përmuajshme për fëmijë “Xixëllonjat”, me kryeredaktor A. Bishqemin. Jeta e saj nuk e mbushi vitin, sepse iu pre suvencionimi nga SOROS-i. Pas një pauze atë e zëvendësoi simotra e saj “Flatra“, botuar nga Milianov Kallupi, gazetë edhe kjo jetëshkurtër, me disa numra përgjatë dy viteve, 1999-2000.
Në fillimshekullin e ri nga të gjitha gazetat e lartpërmendura mundi të mbijetonte vetëm “Elbasani” me drejtues gazetarin me përvojë Tomor Jolldashi.
Numri i parë i gazetës “Elbasani” doli në muajin tetor 1995. Ky organi nisi jetën si gazetë lokale, e pavarur e prefekturës sonë. U bë tribunë e mendimit të lirë demokratik. Qe organ i hapur, pa dallim bindjesh politike, u ngrit mbi mendësitë e partive të majta apo të djathta. Të majtët e akuzuan për “djathtizëm”, kurse të djathtët për “majtizëm”. Por kryeredaktori ynë nuk mbajti asnjëherë teserë partie në xhep dhe në kokë, në gjykimin e dukurive sociale. Ai përkrahu pozitiven, atë që e çonte përpara shoqërinë dhe e pati shpatën të mprehtë duke mbajtur qëndrim kritik ndaj prefekturës e bashkive të qytetit tonë, po edhe të Librazhit, Gramshit, Peqinit e Cërrikut.
Siç shkruhet në enciklopedinë “Elbasani” (SEJKO, 2003), gazeta “Elbasani” “ u bë tribunë e mendimit të lirë demokratik, e hapur, pa dallim bindjeje politike e partiake. Mban qëndrim kritik ndaj prefekturës e bashkive. U bën jehonë traditës, kulturës qytetare, arsimit dhe synon edukimin atdhetar ndër brezat e rinj”.
Gazeta “Elbasani”, për 18 vjet me radhë, me plot 735 numrat e saj, u bë me të vërtetë Ditari i Madh i qytetit tonë. Edhe sot e kësaj dite, kërkon të rikujtosh diçka, se kur ka ndodhur kjo apo ajo ngjarje në qytetin e Elbasanit, cila qe dinamika e zhvillimit të saj, personat që u implikuan në të etj. etj.? Drejtoju koleksionit të gazetës në fjalë! Aty do të gjesh gjithçka. Kësisoj, megjithëse ajo gazetë heshti, vlera e saj nuk resht, por veçse rritet me kalimin e kohës, në rrjedhë të viteve, si një verë kur stazhionohet. Së bashku me atë botim, do të përmëndet e do të jetojë në kujtesën tonë edhe emri i gazetarit, kryeredaktorit e njeriut-redaksi, Tomor Jolldashi.
…Ka mëse dy muaj që “Elbasani” ia la stafetën sivëllait të vet “Infoelbasani” (gazetë që e nisi jetën 14 vjet pas tij, në tetor 2009), drejtuar nga publicisti Fatos Salliu. Urojmë që ai ta mbajë mirë mbi supe këtë peshë tanimë të dyfishuar, ta vazhdojë ditarin e qytetit e të trevës sonë, të pasqyrojë si duhet jetën tonë e të na shoqërojë në udhën përgjatë shtigjeve të reja demokratike.

Mblodhi (me shkurtime): B. Dylgjeri, Elbasan, mars 2016.