Tomorr Himçi lindi në Elbasan, më 20 gusht të vitit 1943.

Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Përfundoi me sukses shkollën pedagogjike dhe më pas vazhdoi Institutin në degën Gjuhë – Letërsi. Më vonë u bë pjesë e Institutit të lartë të Arteve. Tomorr Himçi ishte aktori i parë i Teatrit “Skampa”, i ardhur nga Instituti i lartë i Arteve.

Jeta e tij është e lidhur ngushtë me Teatrin “Skampa”, pjesë e të cilit qëndroi deri në vitin 1990, kur dhe doli në pension. Ishte pjesë e teatrit dhe estradës. Për vite me rradhë luajti në skenë si aktor, vuri në skenë pjesë si regjizor dhe shkroi si dramturg.

Filloi punë si aktori i pari me shkollë, në gusht të vitit 1963.

"Udha e Zavalinajve", viti 1967, aktor Tomor Himçi (rradha e tretë, lart djathtas)

“Udha e Zavalinajve”, viti 1967, aktor Tomor Himçi (rradha e tretë, lart djathtas)

Në vitin 1964 – 1965 interpretoi në pjesët: “Trumbetierja”, “Katër nga armata”, ” I pesti u zu gjallë”, “Udha e Zavalinajve” etj.

Në qershor të 1967 largohet nga teatri për të ndjekur kursin e regjizurës, nën kujdesin e pedagogëve më në zë të kohës.

Në vitin 1968 deri në 1973 ka punuar si regjizor në Estradë.

Në vitin 1973 – 1974 ve në skenë në Istitutin e Lartë Aleksandër Xhuvani dramat: “Mulliri i Kost Bardhit” dhe “Laja”.

Në vitin 1975 u rikthye  në Teatrin “Skampa” si autor dhe regjizor i pjesës “Gërma në gur” dhe përfundoi së shkruari e vuri në skenë komedinë “Familjet e mëdha”.

Në vitin 1976 deri në 1978 e emërojnë mësues letërsie në shkollën pedagogjike.

Rikthehet në estradë në vitet 1978 – 1984.

Vlejnë të përmenden premierat e tij të suksesëshme, “Këndojmë e thumbojmë” dhe “Çështja e ditës”, e cila u dha me shumë sukses ja vetëm në Elbasan, por në të gjithë Republikën. Kjo shfaqje u filmua dhe u transmetua, në programet e humorit nga Radio Televizioni Shqiptar.

Nga viti 1984 deri në 1990 punon si aktor pranë Teatrit “Skampa”.

Në 1990 del në pension, por vazhdoi të ishte sërish aktiv dhe për disa vite drejtoi gazetën “Intelektuali” dhe me idetë u vu në shërbim dhe kontriboi në regjinë e përzgjedhjen e stafit të televizionit lokal “Dardan”.

Ka shkruar rreth 500 skeçe si: “Arixheshka”, “Filipinko”, Afganistan Afganistan”, “Ne për lekun të luajmë tepelekun” etj.

Ndërroi jetë në 30 korrik të vitit 2006.

Viti 1975 "Zani Partizani", pjesë për fëmijë, regjizor Tomor Himçi

Viti 1975 “Zani Partizani”, pjesë për fëmijë, regjizor Tomor Himçi