(që vjen natyrshëm, duke dëgjuar zërat nga më interesantët që ndjehen e shprehen tashmë për Elbasanin në rrjete të ndryshme sociale, dhe që na sjellin të dhëna, fakte, mbresa që na bëjnë të ndjehemi mirë si elbasanas, por edhe më kureshtarë për të njohur më shumë, për të vepruar më shumë)

Të njohësh të shkuarën, do të thotë të jetosh më intensivisht të tashmen, sepse i shmangesh krizës së modelit, ndihmohesh ta tejkalosh atë, sepse je më i orientuar në hapat që hedh ; do të thotë, gjithashtu, ta synosh më i sigurt të ardhmen, sepse e shkuara dhe e tashmja veçse të nxisin për t’u bërë aktor i situatave që vijnë, kudo : duke filluar nga familja, nga rrethi shoqëror i ngushtë e më gjerë.

Për t’i orientuar dëshirat dhe energjitë e çdo individi drejt një hapësire më të gjerë kontributesh, për të pasur çdo histori individuale e familjare pronë të një komuniteti më të gjerë, që ka nevojë për të, për të plotësuar ato përvoja që s’mund të shqyrtohen e studiohen nga institucionet shkencore, kulturore a arsimore, le të kontribuojmë në këtë faqe interneti për të nxjerrë në pah atë trashëgimi të larmishme jetësore, shpirtërore, kulturore…… që është përvijuar në mjediset intime e më gjerë të Elbasanit e elbasanasve, nga individët, familjet, grupimet qytetare, etj.
Ka shumëçka për të treguar : urtësinë tonë qytetare, fisnikërinë dhe dinjitetin, bamirësinë, respektin për të tjerët, tolerancën, kthjelltësinë në gjykim, talentin në art, letërsi, sport, kulinari e gastronomi, kopshtari, zeje e artizanat, veshje e zbukurim……, etj., etj.

Le të bashkëbisedojmë, t’i shtojmë dhe t’i thellojmë këto tematika, të përgatitemi dhe aftësohemi më tej për t’i dhënë bashkëpunimit tonë vlerën e një komuniteti.

Le të mendojmë së bashku për atë çka shpirti i elbasanasit kultivoi, barti, trashëgoi, për të qenë më të aftë të dimë se ç’duhet të kultivojmë më tej, çduhet të mënjanojmë e ç’duhet të nxisim.
Në këtë botë të sotme të prirur drejt globalizmit, bëhemi më të denjë kur bartim edhe vlerat lokale që me bujari u kultivuan nga të parët tanë.

(Për shoqatën ADE: Prof. Dr. Tomorr Plangarica)