Mjeshtëria e terzinjve përfshinte punimin e jelekëve, xhamadanëve, mitanave, kaporanave, xhybeve, dollomave, anterive e tjerë të bëra me copa të kushtueshme, zbukuruar me ornamente dhe thurur me gajtana e tel argjendi ose ari.

Lënda e parë përbëhej nga copa e kuqe, jeshile, gur kali, bezhë, gri e zezë ose prej kadife mëndafshi (e kuqe, e zezë, jeshile) si dhe bykme ari, sermaqesh, bykme mëndafshi, gajtana po me këto ngjyra e tjerë.

Gërshëra, gjilpëra, kuti, hekuri me zjarr e shaplonet, ishin veglat kryesore të punës.

Kostumet e burave dhe të grave dalloheshin për bukurinë dhe elegancën e tyre dhe çmoheshin shumë.

Një dollaman ose xhybe e kategorisë së parë e punuar me copë kadifeje të kuqe që përdorej për raste të veçanta, arrinte një shumë të madhe.

Në gjysmën e shek. XIX në punimin e rrobave kombëtare përmenden mjeshtrat e talentuar: Hasan Dilja, Bim Terziu, Dervish Ismaili, Hasan Rroseni.

Nga fillimi i shek. XX, zejen e terzijve e ushtronin Hasan Peqini, Muç Toska, Haxhi Toska dhe Arif Avllaçaushit. Tre të fundit nuk e përdornin mirë sermaqeshin.

Në përhapjen e veshjeve europiane aty nga vitet 70 te shek. XIX si dhe me përdorimin e maqinave qepëse të importuara, shkëlqimi kësaj zeje filloi të bjerë.

Postoi: Enxhi Dylgjeri, Elbasan, prill 2016.