“Robert College” e ka nisur jetën akademike në lagjen e pasur të quajtur Bebek në Stamboll më 2 prill 1862. Drejtues fillestar i kësaj shkolle ishte dr. Cyrus Hamlin. Nw kwtw ndwrmarrje arsimore ai pati mbështetjen materiale të biznesmenit njujorkez Christofer Rhinelander Robert, ndihmën e pakufishme të Bordit të Misioneve Protestante Amerikane, si dhe përkrahjen zyrtare të ministrit osman të arsimit Ahmed Vefik Pasha. Pas pak vitesh kjo shkollë u bë një kompleks universitar, një campus që u pasurua dhe u shtua vazhdimisht me disa godina të tjera si, biblioteka, konvikte, salla studimi e salla lojrash etj. Kusht për fillimin e kësaj shkolle ishte mosha jo më pak se 12 vjeç, të cilët duhet të kishin kryer në gjuhët e tyre amtare njohuritë fillestare në arithmetikë, histori e gjeografi.
Sistemi pedagogjik i “Robert College”:
Deri në vitin 1929 ishte i tillë: shkolla ndahej në dy kategori,
-a- Përgatitore ose pjesa e ulët, elementare e cila quhej edhe “akademia”. Kishte 6 klasa mësimore ku merreshin njohuritë fillestare.
-b- Kolegji (gjimnazi ose liceu) ku vijonte mësimi me 4 klasa të mesme.
Deri në vitin 1912 “Robert College” kishte tre degë kryesore studimi;
-I- Dega klasike, në mbarim të së cilës student merrte maturën për arte (Bachelor of arts).
-II- Dega Teknike e Shkencore ku studentët diploheshin për shkenca të ndryshme.
-III- Dega Tregtare ku studentët diplomoheshin për tregti.
Në vitin 1912 çelet fakulteti i inxhinierisë në “Robert College”.
Gjuha bazë e studimeve në këtë kolegj ka qenë anglishtja, ndërsa gjuhë e dytë ishte frëngjishtja ose gjermanishtja.
Fillimisht kjo ishte shkollë vetëm për djem të krishterë që banonin me familjet e tyre në Perandorinë Osmane. Pas ‘Hürriyet”-it (Lirisë) në vitin 1908, hyrja në këtë shkollë u bë masive dhe pa dallime fetare.
Duhet theksuar se në vitin 1894 në krejt Perandorinë Osmane ishin çelur me lejen e autoriteve, 892 shkolla e kolegje amerikane me 23.000 nxënës, shkolla këto me ndikim goxha të madh në jetën shoqërore dhe shpirtërore të Perandorisë Osmane. Midis këtyre studentëve nga Bullgaria, Greqia, Armenia e të tjerë, kishte një numër modest të studentëve nga Shqipëria dhe nga Elbasani. Studentët elbasanas qe kanë kryer këtë shkollë kanë pasur ndihmën morale dhe financiare të filantropit amerikan Charles Crane nëpërmjet fondacionit me të njëjtin emër, Fondacioni Crane. Ky personalitet dashamirës i kombit tonë ka ndikuar edhe tek presidenti amerikan Willson në mbrojtje të çështjes shqiptare fill pas shpalljes së Pavarsisë.

1. Alfred ANDONI 1910 – 1986

Është I biri I tregtarit Nikollë dhe I Savetës nga lagja “Kala” Elbasan. Arsimin bazë e kryen në vendindjen e tij. Shkollën Plotore e mbaron në shkollën e kishën “Shën Maria” në Kala, ndërsa në vitin 1930 kryen Normalen. Niset në Stamboll po atë vit dhe regjistrohet në “Robert College” vetëm për dy vitet e fundit në degën e inxhinierisë civile, me numër amze 331. Pas dy viteve në këtë shkollë, niset mes 100 studentëve shqiptarë me bursë nga shteti Italian në Universitetin Politeknik të Torinos, dega inxhinieri civile. I ndërpritet bursa pak muaj më vonë dhe rikthehet në “Robert College”. Pas diplomimit ai punon mësues i kësaj shkolle deri në vitin 1943. Zhvendoset në Londër ku kishte motrën Naftalinë dhe inkuadrohet në Forcat Aleate të Mesdheut gjatë Luftës -II- Botërore. Pas Luftës, Alfredi është pjestar i kampeve ku trajnoheshin antarë të emigracionit politik shqiptar që kundërshtonin regjimin komunist. Vdes në Londër në moshën 76 vjeçare.

2. Petër ANDONI 1904 – 1983

Është I biri I tregtarit Nikollë dhe I Savetës nga lagja “Kala” Elbasan. Arsimin bazë e kryen në vendindjen e tij. Shkollën fillore e nisi tek shkolla amerikane e Telford Erickson dhe e vijoi në shkollën e kishën “Shën Maria” në Kala. Në vitin 1920 në kuadër të Fondacionit Charles Crane, ai u regjistrua si student në “Robert College” në Stamboll, me numër amze 25. Në vitin 1928 ai diplomohet mësues I edukatës fizike dhe fillon punë në Normalen e Elbasanit. Pas pushtimit Italian në vitin 1939, Petri kundërshton programet fashiste në shkollat tona dhe emigroi në Stamboll. Punësohet menjëherë në si mësues në “Robert College” deri sa doli në pension në vitin 1964. Petër Andoni ishte bërë një nga veprimtarët më aktivë të jetës politico-shoqërore të kolonisë shqiptare në Stamboll ku krijoi edhe shoqërinë “Besa” të cilën e drejtoi vetë për vite me radhë. Vdes në Stamboll në moshën 79 vjeçare.

3. Vasil ANDONI 1901 – 1994

Është i biri i tregtarit Nikollë dhe i Savetës nga lagja “Kala” Elbasan. Arsimin bazë e kryen në vendindjen e tij. Shkollën fillore e nisi tek shkolla amerikane e dr. Telford Erickson dhe e vijoi në shkollën e kishën “Shën Maria” në Kala. Në vitet 1916-1918 Vasili ndoqi kurset pedagogjike në Elbasan që u hapën nga Administrate Shqiptare e Shkodrës me mbështetjen financiare të komandës ushtarake Austro-Hungareze. Në vitet 1918-1924 ai kreu studimet në “Robert College” të Stambollit për pedagogji dhe psikologji. Punësohet në këtë kolegj si mësues i gjeometrisë dhe algjebrës për klasat e ulëta dhe punoi aty deri në vitin 1926. Vasil Andoni ka qenë një aktivist i spikatur politik në dobi të çështjes shqiptare, nga pozitat e nacionalizmit. Ai ka qenë sekretar i përgjithshëm i kolonisë shqiptare të Stambollit. U zgjodh kryetar i shoqërisë sportive “Ylli i Shpresës Shqiptare”. Pasi diplomohet në vitin 1928 u kthye në Shqipëri dhe u emërua mësues në Normalen e Elbasanit e pas tre viteve emërohet n/drejtor i kësaj shkolle. Bashkë me mësuesin tjetër Teki Tela nxorrën revistën “Normalisti”. Në vitet 1935-1936 shpërngulet në Liceun Kombëtar të Korçës ku fillon punë si mësues i pedagogjisë dhe i psikologjisë. Pas vitit 1936 Vasili shkon në Tiranë dhe fillon punë njëkohësisht në dy institucione, në Institutin Teknik në degën e mësuesisë, si dhe në Gjimnazin e Shtetit. Ai ishte një nacionalist i betuar dhe antifashist i vendosur. Kundërshton hapur pushtimin Italian të vendit dhe burgoset prej tyre pas organizimit dhe pjesëmarrjes në demonstratën e 28 Nëntorit 1939 në Tiranë. Internohet në Itali (ishulli Ventotene). Pas dy vjet internimi ai lirohet dhe shkon vullnetarisht mësues në Normalen e sapo hapur të Prishtinës, Kosovë. Edhe atje nuk resht së propaganduari urrejtjen për fashizmin dhe çlirimin e vendit. Ai ka qenë një nga themeluesit e Partisë Balli Kombëtar në vitet 1942-1944, ka organizuar dhe marrë pjesë në mbledhjet midis komunistëve dhe nacionalistëve në Mukje, Tapizë, Pezë, Berat dhe Tiranë. Në vitin 1944 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës. Largohet nga atdheu pas ardhjes në pushtet të komunistëve dhe kalon në Itali. Ai e ka vazhduar pandërprerë aktivitetin politik në emigracion. Kthehet në Shqipëri pas ndryshimeve politike në vitin 1992. Vdes në Romë, Itali në vitin 1994 dhe sipas amanetit u varros në Elbasan.

4. Irakli BUDA 1896 – 1923

Është I biri I farmacistit patriot Dhimitër (Taq) Buda dhe I Elenës. nga lagja “Kala” Elbasan. Shkollën fillore e kreu në shkollën e kishën “Shën Maria” në Kala. Familja e dërgon në Selanik, Greqi në Kolegjin Bujqësor Amerikan të atij qyteti. Në vitin 1912 Irakliu bashkë me student shqiptarë të tjerë shkon në Stamboll dhe regjistrohet si student I “Robert College”. Në vitin 1917 ai shkon në Vjenë dhe regjistrohet si student në Fakultetin e Farmacisë të cilin e kryen në vitin 1923 dhe merr titullin doctor. Vdes papritur nga një formë e përshpejtuar e TBC së zorrëve, ndërsa ishte duke udhëtuar me vapor nga Trieste për në Durrës.

5. Ali CUNGU 1898 – 1985

Është i biri I Ibrahimit dhe Hajrijes nga lagjja Kala e Elbasanit. Kryen në vendlindje shkollën fillore turke, ndërsa në vitet 1909-1910 ndjek shkollën amerikane të dr . Telford Erickson. Në vitin 1912 regjistrohet si student në “Robert College” të Stambollit. Veç frekuentimit të rregullt të mësimit, Aliu ishte mjaft aktiv edhe në organizimet patriotike, letrare dhe sportive të studentëve shqiptarë duke u bërë nismëtar i themelimit të “Qarku Letrar” bashkë me mësuesin Sali Nivica e studentin Thoma Frashëri. Mbaron maturën (bakaloriatin) për shkencë në vitin 1921 dhe kthehet shpejt në atdhe për shkaqe ekonomike duke mos e shfrytëzuar bursën për studime të mëtutjeshme në Austri. Punon si mësues i lëndëve, gjuhë angleze, matematikë, gjimnastikë, muzikë etj, në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Punon mësues dhe drejtor i shkollës tjetër amerikane, Instituti Bujqësor në Golem, Kavajë. Shkëlqen si mësimdhënës dhe cilësohet si mësuesi më i talentuar shqiptar në shkollat e atëhershme amerikane në Shqipëri. Kryen detyra shtetërore në Gjenevë të Zvicrës i dërguar nga qeveria e kohës. Në vitin shkollor 1939-1940 transferohet në Elbasan si drejtor i shkollës profesionale duke e shndërruar atë shkollë të prapambetur në një model të mësimdhënies. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 12 vite burg për veprimtari politike kundër vendit tonë (!?). Në burg merret me përkthime shqip-anglisht e anasjelltas. Vazhdon të përkthejë edhe pas daljes nga burgu në vitin 1958. Për 20 vjet do të përkthejë me korrektesë dhe stil të lartë artistic literaturë politike dhe artistike si përkthyes i Shtëpisë Botuese në Tiranë, por pa iu përmendur dhe pa iu shkruar emri askund. Ndër përkthimet e tij duhen përmendur vepra e plotë e De Radës, Naim Frashërit, Migjeni, Ismail Kadares, të cilat iu servirën lexuesit anglo-sakson përplot mjeshtëri. Në moshën e pleqërisë së thellë 80 vjeçare Ali Cungu ndërsa përshkonte çdo ditë me biçikletë 20 km rrugë, rrëzohet dhe thyen këmbën. Për shkak të këtij incidenti ai pothuajse izolohet në shtëpi dhe pas pak vitesh vdes i rrethuar vetëm nga të afërmit e ngushtë. Varroset pa iu bërë asnjë homazh dhe ceremoni dinjitoze.

6. Mahmud CUNGU 1913 – 1983

Është I biri I Ibrahimit dhe Hajrijes nga lagjja Kala e Elbasanit. Në vitin 1926 ai përfundon arsimin fillestar në shkollën “Naim Frashëri” në vendlindje. Po atë vit fiton konkursin për të ndjekur Shkollën Teknike të Tiranës. Në vitin 1929 ndërsa frekuentonte këtë shkollë, ai fiton të drejtën e studimit në “Robert College” të Stambollit. pas dhjetë vitesh studime në këtë kolegj, M. Cungu diplomohet inxhinier I ndërtimeve civile. Një vit më pas, pra më 1940, ai u diplomua sërish për inxhinier hekurudhash. Nuk ka shumë të dhëna për Mahmud Trungun pasi ai gjithë jetën ka punuar e jetuar jashtë. Dihet që nga Turqia ai shkon në Siri dhe drejton ndërtimin e hekurudhave siriane për shumë vjet. Më pas shkon në Egjypt dhe punon në të njëjtin profesion, atë të inxhinierit të hekurudhave. Rreth vitit 1960 zhvendoset në Nju Jork, Sh.B.A. vdes në vitin 1983.

7. Jakov DELIANA 1896 – 1959

Është I biri I klerikut orthodox Venemin dhe I Anës. Arsimin fillestar e kryen në gjuhën greke në shkollën e kishës “Shën Maria” në Kala, në vendlindjen e tij Elbasan. Më 1909 ndjek për një vit shkollën amerikane të dr. Telford Erickson. Në vitin 1912 Jakovi regjistrohet si student në “Robert College” të Stambollit dhe e përfundon atë në vitin 1921. Ishte mjaft aktiv në organizimet studentore me qasje patriotike, letrare dhe sportive, si përdorimi I shqipes në shkollë, ngritja e flamurit kombëtar në oborrin e shkollës, krijimin e “Qarku Letrar” etj. Po në këtë vit ai shkon në Vjenë, Austri, dhe ndjek studime universitare për shkenca politike dhe diplomohet duke mbrojtur doktoraturën në vitin 1928. Edhe në Austri ai aktivizohet në rrethet studentore duke u bërë pjestar aktiv I jetës politike, kulturore dhe shoqërore. Kthehet në atdhe dhe emërohet sekretar I përgjithshëm I Ministrisë së Punëve të Brendëshme ku punon deri në janar të vitit 1936, pasi dekretohet më pas Kryesekretar I Këshillit të Lartë të Shtetit. Në qershor të atij viti ndërsa ishte me shërbim shtetëror në Francë, plagoset rëndë nga kriminelë ordinerë, gjë që I shkaktoi humbjen e pjesëshme të shikimit dhe shprehjen normale të të folurit. Kështu, Jakovi mbeti invalid për tërë jetën. Në vitin 1951 Jakovi u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg për akuza politike kundra atdheut (!?). për shkak të gjendjes së përkeqsuar shëndetsore në burgun e Burrelit, lirohet në vitin 1957 dhe pas dy viteve sëmundje të rëndë, vdes në vetmi dhe pa komunikuar me asnjë.

8. Sokrat DODBIBA 1898 – 1956

Nuk ka shumë të dhëna për të për shkak të jetës së trishtë që ai pati. Dimë që lindi në Elbasan me 17 mars 1898, I biri i Anastasit dhe Poliksenit (Nosi), në lagjen “Kala”.
Ishte një djalosh simpatik dhe mjaft inteligjent. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën “Qendrore” (sot “Naim Frashëri”), ndërsa në vitin 1912 i nxitur dhe përkrahur nga miku i Shqipërisë, amerikani Charles Crane, shkon në Stamboll ku kryen shkollën e mesme “Robert College”. Krahas vijimit të mësimeve me rezultate të mrekullueshme, Sokrati shquhet edhe për aktivitetin politiko-atdhetar. Gjatë viteve të studimit në këtë kolegj, ai bashkë me nxënësit e tjerë shqiptarë bëhet nismëtar i futjes së gjuhës shqipe në këtë kolegj dhe vendosjen e flamurit shqiptar në oborrin e shkollës.
Në vitin 1921 Sokrat Dodbiba merr diplomën me rezultate të shkëlqyeshme nga ky kolegj prestigjioz dhe niset për vazhduar studimet e larta ekonomike në Vjenë të Austrisë. Edhe këtu, ai vijon studimet me rezultatet shumë të mira, si dhe aktivizohet në veprimtaritë atdhetare të shoqatës studentore “Albania” të studentëve shqiptarë në Vjenë. Merret me publicistikë dhe shkruan disa artikuj profesionalë mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në revistën e tyre “Djalëria”. Në vitin 1928 Sokrati diplomohet shkëlqyeshëm për ekonomi politike dhe merr gradën “Doktor” në ekonomi.
Kthehet në atdhe për të dhënë mundin dhe dijet e tij në ndihmë të vendit. Fillon punë menjëherë në Ministrinë e Financave, si dhe shkruan disa disa artikuj në shtypin e kohës “Shekulli i ri”, “Bota” etj. mbi ekonominë shqiptare dhe rrugët e përmirësimit të saj. Në vitin 1932 Ministria e Financave nxjerr një revistë me titull “Ekonomisti shqiptar” të cilën e drejton dr. Sokrat Dodbiba. Po në këtë vit ai emërohet drejtor i departamentit të të ardhurave deri në vitin 1936. Caktohet Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave të cilën e mban deri në vitin 1943. Në qeverinë e Rexhep Mitrovicës emërohet Ministër i Financave. Kurdoherë Dr. Sokrati ishte i lavdëruar dhe i vlerësuar nga eprorët e tij për rezultate të shkëlqyera. Pikërisht në këtë periudhë dr. Sokrati shkëlqen me aktin e tij patriotik që pas shumë mundimeve dhe përpjekjeve arrin të tërheqë nga Banka Italiane në Romë thesarin shqiptar prej 120 milion franga ari dhe ta sjellë në Shqipëri, bashkë me makineritë e prerjes së kartëmonedhave. Në çdo vend të botës ky njeri do të ishte shpallur hero, por me dr. Sokratin ndodhi e kundërta. Pas luftës, ai burgoset menjëherë dhe më 1 mars 1945 dënohet me 30 vjet burg. Pas 11 vjet tortura dhe izolim, vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1956 dhe ende nuk i dihet varri. Kjo është historia e Sokrat Dodbibës, një elbasanasi të shquar, por për fat të keq i harruar.

9. Ali HAXHIHYSENI 1898 – 1954

Lindi në Elbasan dhe është I biri I Sulejman Haxhihyseni, një arsimdashës I përmendur. Arsimin fillor e nis në vitin 1906 në shkollën e “Tebojës” dhe në vitin 1909 vijon shkollën amerikane të dr. Telford Erickson. Në vitet 1912-1923 ai kryen studimet e mesme dhe inxhinierike në “Robert College” të Stambollit. krahas mësimeve, Aliu aktivizohet në veprimtaritë atdhetare që zhvillohen në këtë kolegj. Në vitet 1923-1927 ai kryen me bursë amerikane inxhinieri ndërtimi dhe mirëmbajtje minierash në Universitetin e shtetit Utah në Sh.B.A. Në vitin 1930 u kthye në Shqipëri dhe pas pak muajsh u dekretua inxhinier minierash. Aliu është inxhinieri I parë shqiptar që themeloi sektorin e minierave në Ministrinë e Ekonomisë. Pas dy vite punë, Aliu kthehet përsëri në Sh.B.A. për arsye shëndetsore. Del në pension në vitin 1947 ose 1948 dhe pas pak vitesh vdiq në Boston, Sh.B.A.

10. Hysni KOTHERJA 1898 – 1958

Lindi në Elbasan dhe është I biri I Mehmet Kotheres. Arsimin fillor e kryen në shkollën turke “Ruzhdi-je” dhe e vijoi në shkollën amerikane të dr. Telford Erickson në vendlindje. Në vitin 1912 regjistrohet si student I “Robert College” të Stambollit. Për shkaqe ekonomike, në vitin 1917 ai e ndërpret arsimimin dhe kthehet në Elbasan. Nis punën si administrator në Komunën e Çermenikës dhe më pas mësues në shkollën arumune në lagjen “Shën Koll” të Elbasanit. Punon gjithashtu si përkthyes I misionit amerikan të arsimit të drejtuar nga Ruddy Norol deri në vitin 1921. Në trazirat politike të verës së vitit 1924 Hysniu pozicionohet me opozitën kundër Mbretit A. Zogu. Në teatrin politik elbasanas të kohës, ai përkrah grupimin “As I Pashës e as I Beut”. Përkrah gjithashtu zhvillimet modeste të kapitalizmit shqiptar dhe punon financier I shoqërisë anonime të duhanit “SAIDE” në Elbasan, deri në vitin 1939. Më pas punon financier I “Banca di Napoli”, filiali Elbasan, deri në vitin 1946 kur kjo bankë u shtetëzua. Në vitet 1946-1952 ngeli pa punë dhe I “shikuar shtrembër” nga pushtetarët e kohës, për shkak të arsimimit amerikan. Fillon punë në vitin 1952 në një ndërmarrje shtetërore në Gramsh. Pak muaj pasi kishte filluar punë, Hysniu dëmtohet nga një aksident automobilistik dhe kalon në gjendje invaliditeti. Vdes në Elbasan në moshën 60 vjeçare.