Sokrat-Dodbiba

Doktor i shkencave ekonomike, ministër i sukseshëm.

Nuk ka shumë të dhëna për të për shkak të jetës së trishtë që ai pati. Dimë që lindi në Elbasan me 17 mars 1898 në një familje atdhetarësh dhe intelektualësh në lagjen “Kala”.

Ishte një djalosh simpatik dhe mjaft inteligjent. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën “Qendrore” (sot “Naim Frashëri”), ndërsa në vitin 1912 i nxitur dhe përkrahur nga miku i Shqipërisë, amerikani Charles Crane, shkon në Stamboll ku kryen shkollën e mesme “Robert College”. Krahas vijimit të mësimeve me rezultate të mrekullueshme, Sokrati shquhet edhe për aktivitetin politiko-atdhetar. Gjatë viteve të studimit në këtë kolegj, ai bashkë me nxënësit e tjerë shqiptarë bëhet nismëtar i futjes së gjuhës shqipe në këtë kolegj dhe vendosjen e flamurit shqiptar në oborrin e shkollës.

Në vitin 1921 Sokrat Dodbiba merr diplomën me rezultate të shkëlqyeshme nga ky kolegj prestigjioz dhe niset për vazhduar studimet e larta ekonomike në Vjenë të Austrisë. Edhe këtu, ai vijon studimet me rezultatet shumë të mira, si dhe aktivizohet në veprimtaritë atdhetare të shoqatës studentore “Albania” të studentëve shqiptarë në Vjenë. Merret me publicistikë dhe shkruan disa artikuj profesionalë mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në revistën e tyre “Djalëria”. Në vitin 1928 Sokrati diplomohet shkëlqyeshëm për ekonomi politike dhe merr gradën “Doktor” në ekonomi.

Kthehet në atdhe për të dhënë mundin dhe dijet e tij në ndihmë të vendit. Fillon punë menjëherë në Ministrinë e Financave, si dhe shkruan disa disa artikuj në shtypin e kohës “Shekulli i ri”, “Bota” etj. mbi ekonominë shqiptare dhe rrugët e përmirësimit të saj. Në vitin 1932 Ministria e Financave nxjerr një revistë me titull “Ekonomisti shqiptar” të cilën e drejton dr. Sokrat Dodbiba. Po në këtë vit ai emërohet drejtor i departamentit të të ardhurave deri në virtin 1936. Caktohet Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave të cilën e mban deri në vitin 1943. Në qeverinë e Rexhep Mitrovicës emërohet Ministër i Financave. Kurdoherë Dr. Sokrati ishte i lavdëruar dhe i vlerësuar nga eprorët e tij për rezultate të shkëlqyera. Pikërisht në këtë periudhë dr. Sokrati shkëlqen me aktin e tij patriotik që pas shumë mundimeve dhe përpjekjeve arrin të tërheqë nga Banka Italiane në Romë thesarin shqiptar prej 120 milion franga ari dhe ta sjellë në Shqipëri, bashkë me makineritë e prerjes së kartëmonedhave. Në çdo vend të botës ky njeri do të ishte shpallur hero, por me dr. Sokratin ndodhi e kundërta. Pas luftës, ai burgoset menjëherë dhe më 1 mars 1945 dënohet me 30 vjet burg. Pas 11 vjet tortura dhe izolim, vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1956 dhe ende nuk i dihet varri. Kjo është historia e Sokrat Dodbibës, një elbasanasi të shquar, por për fat të keq i harruar.

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, mars 2015 (shfrytëzuar arkivi i shkollës “Naim Frashëri).