Tiranë, 1930 Elbasanasi Sofokli Paparisto para se të shkonte në një koncert me shokun e tij të fëmijërisë Llazar Popa që i binte flautit.
Fotoja është bërë tek rruga e Kavajës aty ku ka qenë një shkollë muzike përballë, ku është ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve (sot Minsistria e Kulturës). Mësuesi i tij i parë i muzikës ka qenë profesor Ludovik Naraçi para se Sofokli Paparisto të shkonte jashtë shtetit për studime.
Shkolla e violinës është iniciuar në Shqipëri nga Ludovik Naraçi, i cili ka qenë në vitet 20 – 30 ndër studentët më të shquar në konservatorin e Pragës, ishte nga Shkodra (1903- 2shkurt1999)

Sofokli Jorgji Paparisto lindi në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit, më 29 janar 1912, në një familje me tradita kulturore e patriotike. Ai rridhte nga familja e Paparistove nga i ati dhe familja e Nosëve nga e ëma.

Shkollimin në fëmijëri dhe në rini e kreu në Elbasan në shkollën Normale dhe më pas ai punoi po në këtë shkollë si mësues i muzikës.

Ia kushtoi jetën instrumentit të violinës, për të cilën studioi në Bukuresht 4 vite, rreth viteve ’30 dhe më pas në Konservatorin e Parmës në Itali, në vitet 1939-1943 ku dhe u diplomua. Dijet që mori ua transmetoi nxënësve dhe studentëve të tij , fillimisht si mësues i muzikës në Normalen e Elbasanit, në redaksinë e muzikës në  Radio Tirana e më pas në Liceun Artistik “J.Misja” dhe në “Institutin e Lartë të Arteve” në atë kohë.

Sofokli Paparsito është një pedagog i njohur për kontributin e tij pedagogjik në lëmin e gjinisë violinistike dhe të kulturës muzikore. Nuk lodhej kurrë së ndihmuari fëmijët që kishin talent, por s’kishin mundësi financiare, dhe këtë e bënte pa kurrfarë interesi. Interesi i tij i vetëm ishte shkollimi në lëmin e muzikës i talenteve të reja në vendin tonë. Ish studentët e tij, (Jani Papadhimitri, Zhani Ciko, Robert Papavrami, Didi Tartari, Gjergj Pekmezi, Bexhet Darsia, Enrik Mikopli etj), sot kontribuojnë si muzikantë e pedagogë të njohur si brënda ashtu dhe jashtë vendit.

Përveç kësaj, ai punoi shumë për hartimin e metodave të violinës e solfezhit, historisë së muzikës botërore, si dhe përktheu nga autorë të huaj, pasi ai zotëronte shumë mirë 4 gjuhë të huaja. Sofokliu kompozoi këngën e njohur “Dëshmorët e Pojskës” të kënduar nga mbretëresha e muzikës sonë të lehtë, Vaçe Zela. Kjo kengë ka një histori  qe ai ua tregonte gjithmonë familjarëve të tij dhe rrethit shoqëror. Kjo këngë u kompozua prej tij ditën që ranë dëshmorët e Pojskës, Reshit Çollaku e të tjerë, por ajo që e frymëzoi me shumë në betejën e Pojskës, ishte rënia e dëshmorit Ptoleme Xhuvani, shokut të tij të fëmijërisë. Kjo gjë e vrau shumë shpirtërisht dhe ai krijoi për gjithë natën këtë këngë që mbeti si himn i dëshmorëve të atdheut.

Sofokli Paparisto ishte një njeri i thjeshtë  e i përkushtuar për familjen, studentët e tij dhe për të gjithë njerëzit që e rrethonin. Kishte një vullnet të hekurt. Studionte shume orë në ditë violinë për t’ua u bërë sa më të lehtë mësimin studentëve të tij, duke ja demostruar vetë me violinën e tij qe e dashuronte aq shumë.

“Dashurinë për muzikën na e rrënjosi edhe ne fëmijëve të tij duke studiuar për piano e violinë, por vetëm unë ndoqa rrugën e artit ne fushën e kantos. Me tim atë kisha një lidhje tepër të veçantë. Merrej shumë me edukimin tim muzikor. Dëshironte qe unë të bëhesha nje artiste skene, pasi shihte tek mua talentin dhe pasionin për artin”- thotë e bija Genciana

Ai ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë në moshën 61-vjeçare në 04 maj 1973 në Tiranë. Do të kujtohet gjithmonë me respekt e nderim per kontributin si muzikant, pedagog e metodist.

(Sipas kujtimeve të së bijës: Genciana Paparisto)