Shkrim nga Heral Alush Saraçi

Natyrshëm, gjithkush interesohet për historinë e familjes, të vendlindjes, të qytetit e të kombit. Secili kërkon të dijë e të mësojë gjithnjë më shumë rreth shkaqeve, rrethanave dhe figurave pjesëmarrëse në këto ngjarje historike. Kur rastis të zbulojmë ndihmesën e paraardhësve tanë në ndodhi të rëndësishme kombëtare, vetvetiu krenohemi me ta. Diçka e tillë më ndodhi me stërgjyshin tim, Ruzhdi Alush Saraçin, Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit të 25 nëntorit 1912, Qytetar Nderi i vendlindjes së tij (pas vdekjes, 2012).
Vlen të theksohet se përpjekjet dhe veprimtaria e nacionalistëve shqiptarë shtrihen në një hark kohor më të gjerë nga sa mendohet. Më duhet të hedh dritë mbi një ngjarje madhore të historisë së arsimit kombëtar, atë të themelimit të Shkollës Normale të Elbasanit (SHNE) në vitin 1909. Më mirëkuptoni, pasi nuk mëtoj të bëj një studim të mirëfilltë bazuar në dokumente të shkruara, por do të ndalem në vështrimin e disa fotografive të njohura kryesisht vitet e fundit, njëra prej të cilave e zbuluar nga unë rastësisht në Arkivin e Muzeut Etnografik të Elbasanit. Falënderoj drejtorin e këtij institucioni z. Kreshnik Belegu për gatishmërinë dhe ndihmesën e dhënë gjatë hulumtimit tim.
Fotografia nr. 1., e cila, para vitit 1990, nuk është botuar asnjëherë e plotë, paraqet Pleqësinë Kujdestare apo Këshillin Mbikëqyrës të SHNE-së. Në foto shfaqen 16 persona. Në punë e sipër, gjatë shqyrtimit të publikimeve të ndryshme të kësaj fotografie, mundëm të identifikonim tetë prej tyre, të cilët janë: Sotir Peci, Luigj Gurakuqi, Simon Shuteriqi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Hajdar Blloshmi dhe Dervish Biçaku. Kjo fotografi haset në disa formate të cunguara me numra të ndryshëm personash gjithmonë të krahut të majtë të saj.
2 Retushim i Fotos te Keshillit Mbikeqyres te Shkolles Normale te Elbasanit
Këto retushime nuk po i publikojmë, sepse shpjegimi i tyre do të na shmangte nga thelbi i shkrimit. Në të majtë të fotografisë gjenden mësuesit e parë të Shkollës Normale. Në botimet përkujtimore të Normales, para viteve ’90-të, bie në sy se nuk shfaqet asnjëherë qendra dhe krahu i djathtë i fotografisë së plotë. Siç shihet, në qendër të fotografisë, pranë globit, qëndron ulur Dervish bej Biçaku me dorën mbështetur në tëmth dhe me vështrim të mendueshëm. Ai, veprimtar i lëvizjes kombëtare, shfaqet në kronikat e shtypit shqiptar të mërgimit që në vitin 1898. Në vitin 1909, Dervishi, njëri prej tre njerëzve më të fuqishëm të qytetit të Elbasanit ndihmon me entuziazëm për themelimin e SHNE-së. Dervish beu, feudal tipik i Shqipërisë së Mesme, me një veprimtari politike deri në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të ishte assesi pjesë përbërëse e historisë marksiste të shkruar pas vitit 1945. Për këtë arsye fshirja e Dervish beut nga fotografia është e kuptueshme, po përse duheshin qethur gjithashtu edhe gjithë shokët që shfaqen në të djathtë të tij. Ata nuk janë mësues të Normales, por anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të po asaj shkolle, qytetarë të Elbasanit. Siç duket, retushuesit nuk janë menduar dy herë për pasqyrimin e vërtetë të kësaj ngjarjeje, sidomos në lidhje me qytetarët anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Shkollës Normale. Rrjedhimisht, bashkë me Dervishin u qethën edhe bashkëqytetarët e tij.
Nëse i referohemi shtypit të shkruar të viteve 1909 e 1910, njoftimet e Normales nënshkruheshin nga Dervish beu me cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të SHNE-së, atëherë del qartë roli i tij drejtues në këtë institucion.
Gjatë këtyre 100 viteve është shkruar e do të vazhdojë të shkruhet histori e pafund për SHNE, por duhet pohuar se roli i Dervish Biçakut në këtë veprimtari kombëtare nuk mund të diskutohet, sepse, ky institucion kulturor e historik kombëtar, nuk mund të themelohej pa ndihmën dhe përkrahjen e tij. Këtë fakt e shënoj për të dritësuar ndihmesën e Dervish beut në lëvizjen kombëtare të para vitit 1912, e cila vijon të mbetet e pastudiuar e njëherazi e mohuar.

Fotografia Nr. 3

Fotografia Nr. 3

Nëse vërehet me kujdes sfondi i fotografisë në fjalë, dallohet që në të dy versionet e saj (foto. nr. 1 dhe foto. nr. 3) ai është i ndryshëm. Fotografia nr. 3 është versioni që qarkullon më shpesh në media. Krijohet përshtypja sikur kemi të bëjmë me dy foto të ndryshme. Kështu, sfondi i fotografisë nr. 1 është me bimësi apo lulishte, ndërsa sfondi i fotografisë nr. 3 është një ndërtesë dhe nxënës. Është e kuptueshme se të njëjtët persona, në po të njëjtën ditë, nuk mund të kenë dalë në dy fotografi, për më tepër në dy vende të ndryshme. Vlen të nënvizohet se deri më sot fotografia me 16 anëtarët e Këshillit apo Pleqësisë të SHNE-së me nxënës është pranuar shkencërisht. Madje, ajo gjendet edhe në mbulesën e studimit monografik “Shkolla Normale e Elbasanit”, Tiranë, 2004 (foto. nr. 4).

Fotografia Nr. 4

Fotografia Nr. 4

Zbulimi
Arsyen e mospërputhjes së dy fotove të Këshillit Mbikëqyrës të SHNE-së e zbulova krejt rastësisht në arkivin e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit nga një foto tjetër (foto nr. 5). Besoj se kjo fotografi po publikohet sot për herë të parë. Nën kornizën e saj shënohet me shkrim dore Krijimi i Shkollës Normale.

Themelimi i Shkolles Normale te Elbasanit

Themelimi i Shkolles Normale te Elbasanit

Në sfond të fotografisë shfaqen e njëjta ndërtesë dhe fëmijë që shfaqen edhe në fotografinë nr. 3 dhe 4. Si është e mundur? Fotografia nr. 3 dhe ajo nr. 4 janë stisje. Ato bashkojnë në një kuadër ndërtesën dhe nxënësit e fotografisë nr. 5 me Këshillin Mbikëqyrës të fotografisë nr. 1 pa lulishten, duke fshirë kështu një grup personash nga fotografia nr. 5. Fatkeqësisht, ky është veçse një montazh fotografik që shtrembëron të vërtetën e një ngjarjeje historike.
Çfarë mund të themi sot për këtë fotografi të zbuluar (foto. nr. 5)? Është çasti i pranimit institucional të Shkollës Normale të Elbasanit. Paria qeveritare e qytetit të Elbasanit ka ngrirë në fotografi pikërisht ceremonialin e këtij çasti historik. Në rreshtin e parë (9 persona), në krahun e djathtë të saj, shquhen 3 priftërinj ortodoksë, ndërsa në qendër të fotografisë dallohen 4 nëpunës të rëndësishëm osmanë. Sipas gjasës, njëri duhet të jetë prefekti, ndërsa, pak më tej, personi veshur me rroba ushtarake, ka mundësi të jetë komandanti i xhandarmërisë së Elbasanit. S’mund të flasim me siguri për emrat e tyre, megjithëse, nëse bëjmë një analogji të thjeshtë me periudhën e qeverisjes së tyre, mund t’i hamendësojmë ata. Ka shumë mundësi që disa nga këta dinjitarë të jenë shqiptarë. Në krahun e majtë të fotografisë, po në rreshtin e parë, ndodhen dy persona. Të dytin, nga e majta në të djathtë, unë e njoh, sepse është stërgjyshi im, Ruzhdi Alush Saraçi. Në vitin 1909, ai ishte Drejtori i Korrespondencës së Sanxhakut të Elbasanit, ose me terminologjinë e sotme administrative Sekretari i Prefekturës së Elbasanit. Siç shihet, në çastin e themelimit të SHNE-së, Alushi, jurist me përvojë 20 e ca vjeçare, i cili mban funksionin më të lartë administrativ mes bashkëqytetarëve të tij, është i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Shkollës Normale në vendlindje. Jam krenar për zbulimin e këtij dokumenti, i cili vetëm vërtetoi thëniet familjare.
Prania e qeveritarëve të qytetit në fotografi dëshmon miratimin e arsimimit në gjuhën shqipe nga ana e tyre në një shkallë të atillë që nuk ishte arritur më parë nga lëvizja kombëtare në Shqipëri. Arsyeja se përse priftërinjtë gjenden në atë fotografi shpjegohet me ndërtesën ku u shpall themelimi i SHNE-së, e cila vijon të jetë plotësisht e dallueshme edhe në ditët e sotme. Bëhet fjalë për ndërtesën e shkollës pranë Kishës së Shën Mërisë në Kala të Elbasanit (foto. nr. 6).

Ndertesa historike e themelimit te Shkolles Normale te Elbasanit

Ndertesa historike e themelimit te Shkolles Normale te Elbasanit

Ndonjërit mund t’i duket e çuditshme një ndërthurje e tillë, mirëpo, nëse e shikojmë ngjarjen qetësisht, kuptojmë se në Elbasan nuk kishte vend më të përshtatshëm për shpalljen e themelimit të Shkollës Normale, përveçse ndërtesa e një shkolle ekzistuese, ku disa muaj më përpara ishte zhvilluar Kongresi i Elbasanit. Pra, zyrtarët e qytetit shpallën krijimin e SHNE-së në prani të autoriteteve kishtare dhe nxënësve. Në rrafshin kombëtar, kjo është një fitore e madhe, sepse dëshmon qartazi se administrata osmane dhe autoritetet kishtare njihnin dhe pranonin zyrtarisht jo vetëm arsimimin në gjuhën shqipe, por dhe përgatitjen e mësuesve nga një shkollë laike shqiptare. Kjo ndodhi në Elbasan, në vitin 1909. Ky fakt, megjithëse nuk është fshehur asnjëherë, nuk është parë nga ky këndvështrim dhe kjo mund të jetë dhe arsyeja e mospublikimit të kësaj fotografie deri sot.
Deri më tash nuk njohim ndonjë akt administrativ osman që dokumenton themelimin e SHNE-së, ndërkohë që fotografia në fjalë ka ngrirë përjetësisht pranimin zyrtar të Normales nga administrata e atëhershme shtetërore otomane. Kësisoj, dy fotografitë përkatëse, ajo me Dervish beun dhe kjo me Ruzhdi Alushin, na ndihmojnë të krijojmë një përfytyrim tjetër rreth themelimit të Shkollës Normale të Elbasanit që ndoshta një ditë koha do ta vërtetojë dhe me dokumente.

Një histori e shkurtër
Me këtë rast po përmbledhim me pak fjalë historinë e themelimit të SHNE-së, duke përfshirë si pjesë përbërëse të saj edhe dy patriotët: Ruzhdi Alush Saraçi (foto. nr. 7) dhe Dervish bej Biçaku (foto nr. 8).

Ruzhdi Alush Saraci

                          Ruzhdi Alush Saraci

Dervish bej Bicaku

                            Dervish bej Bicaku

Ata janë dy të fotografuarit e vitit 1909, në themelimin e Shkollës Normale, të mohuar rregullisht gjatë 45 viteve të diktaturës enveriste, madje vazhdojnë të jenë edhe sot në botimet historike.

Ishte Kongresi i Elbasanit, me përfaqësues nga shoqëri patriotike anekënd Shqipërisë, që vendosi themelimin e Shkollës Normale në Elbasan, si dhe krijimin e shoqërisë “Përparimi” (Shoqnia e mësonjëtorevet shqiptare) në Korçë “që do të kujdeset për të përmbajturit e Shkollës Normale në Elbasan”.
Këshilli Mbikëqyrës i SHNE-së, i kryesuar nga Dervish bej Biçaku, i parashtron Sanxhakbeut të Elbasanit kërkesën për themelimin e SHNE-së. Ruzhdi Alush Saraçi argumenton para prefektit nomin (ligjshmërinë) e kërkesës, duke argumentuar gjithashtu se financimi i këtij institucioni arsimor do të realizohej me fonde të qytetarëve privatë shqiptarë (jo nga buxheti i shtetit). Sanxhakbeu i Elbasanit e pranoi kërkesën e Këshillit Mbikëqyrës të SHNE-së.
Shqiptarë nga të gjitha viset e Shqipërisë dhuruan të holla për financimin e SHNE-së.
Shpura e parë pedagogjike e SHNE-së përbëhej nga profesorët: Luigj Gurakuqi (Drejtor Pedagogjik), Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Hafiz Ibrahim Dalliu, Simon Shuteriqi, Peter Dodëbiba, Dhimitër Paparisto dhe Hasan Mezja.
Gjatë vitit të parë shkolla u organizua në 4 rende. Ajo kishte 150 nxënës, të cilët vinin nga vise të ndryshme të Shqipërisë.
Duket i jashtëzakonshëm vullneti i gjyshërve tanë për të themeluar një shkollë pedagogjike, ndërkohë që nuk kishin as godinë, as libra shkollorë, as programe, madje as mësues. Një shpirt i tillë nismëtar shpjegohet vetëm me idealin e atdhedashurisë të njerëzve rilindës.
Në këtë shkrim u ndala në dy fotografi historike, njëra e papublikuar më parë, ndërsa tjetra shpeshherë e gjymtuar, për të treguar ndihmesën e pakursyer që paria e qytetit të Elbasanit ka dhënë në themelimin e SHNE-së. Mbetet fakt se kontributi i çmuar i dy patriotëve elbasanas, Ruzhdi Alush Saraçi dhe Dervish bej Biçaku, në themelimin e SHNE-së, i dokumentuar dhe me fotografi, u mohua përgjatë 45 vjetëve nga shteti monist. Mjerisht pasojat e falsifikimeve marksiste vijojnë të jenë të pranishme në literaturën historike, ashtu siç e vërteton dhe publikimi i fotos së themelimit të SHNE-së sot.