Shyqyri Hyskja, Arkivi Digjital Elbasan

Shyqyri Hyskja

Shyqyri Hyskja lindi në qytetin e Elbasanit, më 18 tetor të vitit 1931, në një familje qytetare. Shyqyri apo Profesor Riu siç njihej nga qyetatarët e Elbasanit, ishte fëmija i pestë nga 6 fëmijët efamiljes Hyskja.

Rrugën e sportit e nisi që në fëmijëri, i ndikuar edhe nga vëllai Faiku, po ashtu edhe ai shumë i taletuar në sport. Riu arriti që me punën e talentin e tij të mbahej mend gjatë në zemrat e admiruesve dhe sport-dashësve të kohës.

Shkollen fillore dhe të mesme e kreu në Elbasan. Më pas do të përfundonte studimet e larta në Institutin e Lartë “Vojo Kushi” në Tiranë.

Riu njihet në të gjithë qytetin si një njeri me një jetë të pasur sportive dhe me veprimtari të gjithanëshme: mësues i edukimit fizik, polisportist, trajner basketbolli dhe drejtues i institucioneve sportive.

Pothuajse gjithë kohën ai e kalonte pranë fushës së sportit duke ushtruar shumë sporte. Është marrë me futboll (ka qenë portier i shoqërisë “ Puna “ 1949 – 1951), basketboll, volejboll, atletike, pin – pong, handboll,  vaterpol dhe boks. Në sportin e boksit ka qenë nën kampion kombëtar për ushtrinë, në vitin 1953 dhe kampion i shoqërive “ Spartak “ ku pas 32 fitoreve rradhazi të ndeshjeve zyrtare humbjen e parë e ka provuar në Shkodër për shkak të një vendimi jo të drejtë të gjygjtarisë.

Riu ka qene njeri i zyrës dhe i terrenit.

Në vitin 1953 ushtron detyrën e Sekretarit të shoqërise sportive “ Sparak “,  po në këtë vit ushtron detyrën e trajnerit të basketbollit për shumë ekipe të moshave duke arritur suksese të ndryshme me këto ekipe. Më vonë emërohet Kryetar i komitetit të Fiskulturës, shef i klubit sportiv “ Labinoti “ deri në vitin 1976, vit ky në të cilin emërohet trajner i ekipit të basketbollit të femrave deri sa doli në pension në vitin 1997.

Përgatitjes dhe disiplinës së tij të përgjithëshme do t’i shtohen edhe pjesmarrja në disa seminare kualifikuese me trajneret më të mirë të Shqipërisë dhe të huaj. Profesor Riu njihej si njeriu më energjik dhe ndër sportistët  e spikatur të këtij qyteti.

Si trajner karakteristikë e Riut ka qenë se ai ka stërvitur ekipe të moshave të ndryshme ku ka fituar një eksperiencë dhe kualifikim të lartë.

Nga viti 1954 ka qenë trajner dhe ka stërvitur ekipin e basketbollit të femrave dhe të meshkujve të Elbasanit. Me talentin e tij si drejtues ka arritur rezultate të mira me ekipe të moshave të ndryshme. Dhimitër Bardhi, autor i librit Basketbolli femra (1947-1997) , njëkohësisht një ndër kolegët dhe miqtë e tij të afërt, do të shkruante se me punen e tij të mirë si trajner , ekipi i basketbollit që ai drejtonte ka zënë vendin e parë në basketbollin e femrave në spartakiadën kombëtare të shkollave të mesme.

Në vitin 1958 u shpall kampion me ekipin e të rinjve në kampionatin kombëtar të këtij viti. Në sparkiadën kombëtare të pionierëve zuri vendin e parë.

Në vitin 1992, trajneri i palodhur Shyqyri Hyskja do të shpërblehet për përkushtimin maksimal që i kishte dhënë sportit të basketbollit të qytetit të tij për disa dekada. Ekipi i basketbollit i Sport Klub Elbasanit i drejtuar nga trajner Riu do të jete pa dyshim më i miri i Kupës së Shqipërise. Mimoza Fusha (kapitene e skuadres), Violeta Dobra, Mamica Isak, Mirela Ceka , Elvira Xhyra etj do të spikasnin dhe do të ishin protagonistet kryesore të ekipit fitues të Kupës së Shqipërisë të basketbollit për vitin 1992. Arritjet e mira të ekipit të basketbollit të femrave gjatë viteve të tranzicionit pa diskutim ishin meritë e trajner Riu Hyskja, i cili me punen e tij të palodhur, duke i bërë ballë kushteve të vështira në të cilat realizohej stërvitja, me nje disiplinë gati në vetmohim  bëri që ekipi i basketbollit të femrave të Elbasanit jo vetëm të mbijetonte, por edhe të radhitej ndër ekipet më të mira në Shqipëri dhe të fitonte Kupën e Shqipërisë në vitin 1992,  pas 19 vitesh.

Puna e tij e mirë organizative e drejtuese në Klubin Sportiv “ Labinoti” në   vitet 1970-1976 bëri të mundur një rritje në shumë sporte dhe i dhanë tonin kampionateve kombëtare si në futboll, vollejboll, basketboll, atletike, ping-pong, gjimnastikë, qitje, shah etj, sporte këto që deri në vitet 1970 ose lëkundeshin në fund të tabelës së klasifikimit ose nuk ekzistonin në kategorinë e parë. Në sajë të punës së kryesisë së këtij klubi dhe organizma të tjera vullnetare që drejtoheshin nga Riu, shumë sportistë cilësorë të këtij klubi arritën të përfaqesonin vendin tonë në veprimtari ndërkombëtare.

Profesor Riu edhe në moshe pensioni do të punonte me të njëjtin pasion dhe dashuri si në rininë e tij. Sporti ishte energjia dhe kuptimi i jetës së tij. Ai do të gjendej çdo ditë në krye të ekipit të femrave të Elbasanit, ashtu energjik si dikur.

Deri pak para se të shkëputej nga jeta në moshën 85 vjeçare “Mjeshtri i Sportit” Riu Hyskja do të ndiqte nga afër stërvitjen e brezave të rinj në Pallatin e sportit “Tomor Sinani” duke këshilluar nga afër basketbollistët e grupmoshave të ndryshme me dëshiren për të frymëzuar të rinjtë për të dashur sportin e për t’a bërë atë një mënyrë jetese për tu ndjekur.

Ndërroi jetë më 15 gusht të vitit 2017.

Shyqyri Hyskja - trajner i ekipit të basketbollit për femra.

Shyqyri Hyskja – trajner i ekipit të basketbollit për femra.