ELBASANI dhe PAVARËSIA

Nga Shefqet DELIALLISI

Shpallja e Pavarësisë në Elbasan

Të dhëna të rëndësishme për këtë ngjarje, atmosferën në Elbasan, jep bashkëkohësi, qytetari i shquar i Elbasanit, dëshmitari okular, Qamil Çelirama. Ja si e përshkruan Çelirama :

“Bash në panikun e vërshimit të ushtërive serbo-greke-malazeze mbi Shqipninë u përhapën lajmet gazmore, mbi shpalljen e Shqipnisë indipendente. Patriotët tanë të shquem me Ismail Qemalin në krye, kishin korrë suksese diplomatike, dhe kishin ardhë në Shqipni për me ngritë flamurin kombëtar e me shpall indipendencën tonë. Si mbarë populli shqiptar, ai lajm i gëzueshëm ngrofi edhe zemrat e ngrime t’Elbasanasve qi pritshin me sot me nesër invadimin e vendit nga ushtëritë serbe. Të gjithë patriotët e Elbasanit, sidomos neve rinia patriotike, u aktivizuam për me pregatitë flamurë e shqiponja, për me e festue sa më mirë atë ditë. Filluen me kalue nëpër Elbasan delegacione të Shqipnisë së sipërme, të përbamë nga Is Buletini me shokë, për me shkue ne Vlorë, ku po mblidhesh Kuvendi qi do të shpallte indipendencën shqiptare, do të ngrinte flamurin e Shqipnisë, dhe do të formonte qeverinë shqiptare. Ushtëria turke,qi u thye në Kosovë e në Manastir, filloi të tërhiqet nga drejtime të ndryshëm, drejt detit Adriatik, për me u inbarkue në Turqi. Ushtëritë e thyeme qi kaluen nëpër Elbasan, të komandueme nga Xhevit Pasha, insistuen qi të luftojshin për me mbrojt Elbasanin, por patriotët e vendit, qi ishin në dijeni për shpalljen e indipendencës, e detyruen komandën turke qi të hjekë dorë nga nji veprimtari e rrezikshme dhe e damshme. Serbët, tue mos gjet resistencë në marshimin e tyne, po i afroheshin Elbasanit, prandaj patriotët e qytetit tonë shpejtun me e ngritë flamurin e Shqipnisë n’Elbasan më 25.11.1912, para se të ngrihesh në Vlorë. Ai gëzim qe çashtje orësh, qyshse ushtëritë serbe, edhe se u lajmëruen pse po shpallesh indipendenca shqiptare, e se n’Elbasan u ngrit flamuri i Shqipnisë, vazhduen marshimin e tyne për me dalë në Adriatik. Si rrjedhim, ata pushtuen Elbasanin dhe e ulën flamurin tonë tue e zavendësue me të tynin. Elbasani i priti serbët si miq të paftuem, tue nxjerr nji komison pritës të përbamë prej parisë së vendit, disa orë larg Elbasanit. Të sigurtë, se qëndrimi i serbëve n’Elbasan e në vise tjerë t’atdheut ishte i përkohshëm, neve bamë durim për me e përballue zgjedhën e re, qi na dukesh edhe ma e randë se ajo e Turqisë………”

Qamil Çela (Çelirama), Arkivi Digjital Elbasan

Qamil Çela (Çelirama)

 

Flamuri i shpërndarë në Elbasan në 25 Nëndor 1912, Arkivi Digjital Elbasan

Flamuri i shpërndarë në Elbasan në 25 Nëndor 1912