Në mesin e Luftës së Parë Botërore ndonëse në okupacionin e huaj, dëshira e popullit të Elbasanit për arsim e për dije, si kudo nuk u ndal. Vendi i rrënuar dhe niveli ekonomiko – shoqëror tepër i ulët, nuk pengoi hapjen e shkollave për fëmijët e popullit në shtëpi private, thuajse pa orenditë më të domosdoshme. Mësuesit të mësuar me dashurinë e pakufishme për popullin dhe atdheun nga shkolla Normale, iu përkushtuan me ndërgjegje të lartë këtij lloj misioni.Veç shkollës së parë shqipe zyrtare (1908 Naim Frashëri), në vitin 1916 në lagjen Shënkoll hapet shkolla “Zgjimi”, që mbante një emër simbolik dhe kuptimplotë. Në lagjen kala hapet shkolla fillore  (Kristoforidhi) si dhe shkolla femnore e qytetit. Në vitin 1925 në Elbasan numëroheshin këto shkolla: 1) shkolla Plotore (Naim Frashëri) me 6 fuqi mësimore, 2)Ushtrimorja me 5 klasë, 3) shkolla e Qoshes “Agimi” me 3 klasë, 4) shkolla e Shënkollit “Zgjimi” me 3 klasë, 5) Shkolla femërore me 4 klasë.

Pas vitit 1930 ishin këto shkolla: Plotore, Naim Frashëri me 5 klasë, Ushtrimorja me 5 klasë, Femërore me 5 klasë, Agimi me 5 klasë (Shkolla Qoshes), Zgjimi me 5 klasë dhe Sheh Hyseni me 3 klasë.

Elbasan - 1939, Shkolla Zgjimi, klasa fillore në lagjen Shënkoll me mësues Vasil Llapushi (Mësues i Popullit)

Elbasan – 1939, Shkolla Zgjimi, klasa fillore në lagjen Shënkoll me mësues Vasil Llapushi (Mësues i Popullit)

Sipas një proçesverbali të gjendur në muzeun e shkollës “Naim Frashëri”, në vitin 1935 – 1936 është vënë emri nga shkolla Plotore në Naim Frashëri. Aty jepet edhe njoftimi se në veri të qytetit do ngrihet edhe një shkollë e re. Është fjala për shkollën Sheh Hyseni në Lagjen Hysen – Dylgjer, tek pusi që lahet vetë, në rrapin shekullor. Sheh Hysen Sula ka qenë patriot elbasanas që veprimtarinë e tij në dobi të atdheut e ka shfaq me rilindasit e shquar.

Mësuesët që shërbyen në këto shkolla ishin: Abedin Çaushi, Vasil Llapushi, Shefqet Bejtja, Spiro Popa, Ali Tola, Margarita Dema, E.Paparisto, Hysni Stringa, Sejdin Vyshka, Marie Papajani, Shyqyri Domi, Adem Jahja, Ali Myftiu, Abdyl Kajanaku.

Mësuesi Abdyl Kajanaku solli një risi që më vonë u kthye në traditë të bukur në shkollat e qytetit tonë.

Në vitin shkollor 1928-1929 A.Kajanaku emërohet mësues  në qytetin e Durrësit në shkollën mashkullore. Lindi ideja që me nxënësit e klasës së 4-të dhe të 5-të fillore të ngrinte një grup me mandolina (vegla muzikore)  që do të shoqëronte ceremoninë e mbylljes të vitit shkollor, teatrin e veprimtari të tjera.

Në vitin 1931-1932 transferohet në Elbasan dhe punon në shkollën Agimi. Ai ngriti grupin me mandolinë të shkollës duke punuar me grupin e nxënësve 1 deri në 2 herë në javë mbas ditës, jashtë orëve të mësimit.

Ai ngriti edhe një grup tjetër në shkollën fillore femërore .

Mësuesi Spiro Popa në shkollën e tij Zgjimi ngriti grupin e tij. Në shkollën Plotore (Naim Frashëri) grupin e ngritën mësuesët: Adem Jahja dhe Ali Myftiu.

Elbasan - 1939, Klasa e parë në shkollën Sheh Hyseni me mësuese Marie Shuteriqi, nëna e Fatos Nanos

Klasa e parë në shkollën Sheh Hyseni me mësuese Marie Shuteriqi