(me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 30 vjetorit të vdekjes së normalistit dhe mësuesit të Normales)

Autor: Migena Shyti Kapllani

“Ne shqiptarët jetojmë mbi palimpsete… Nën vetëdijen e sotme kemi një shtresë prej së cilës kemi frikë, pse ajo rrëfen për shlyemje, harresë, tkurrje shpirtnore, letargji…”[1] dhe pavarësisht sa kujtesë ka një popull për historinë e tij, duke kërkuar në “palimpseste”, do të zbulojmë të tjerët, të panjohura që na rrethojnë, por gjithashtu edhe veten. Në  vitet 56-61, Martin Camaj në kërkim të dokumentit më të hershëm në gjuhën amtare, i hedhur edhe mes palimpsesteve, pa kuptuar zbuloi veprën e tij të titulluar “Palimpsest”.

Shpesh jemi në kërkim të vlerave përmes së kaluarës dhe bëhemi një tjetër shtresë e re e shkruar e historisë sonë. Pa kuptuar atë që vlerësojmë më shumë, përmes pjekurisë sonë dhe vlerës shpirtërore, ngadalë si shpërblim koha na rendit ndër ta, shkruar në “pergamenët historikë” .

Ky ishte mendimi i parë që më erdhi posa u hodha të lexoj mbi kontributin e prof Besim Qorrit, mbi jetën e veprën tij, ku zbulohet autori para nesh dhe autori përballë mësuesve të tij të cilëve sot u rri në krah.

Në botimin “Lufta e popullit të Elbasanit për gjuhën dhe shkollën shqipe”, autori Besim Qorri vlerëson kontributin e mjaft dijetarëve e dijedashësve elbasanas si Dhaskal Todri, Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Hysen Ceka, Simon Shuteriqi, Salih Ceka, Filip Papajani, Fejzullah Guranjaku, Kostaq Cipo, Dhimitër Paparisto, Emin Matraxhiu, Pjetër Dodbiba etj. duke u bërë pjesë e kësaj “lufte” e pa e kuptuar e sheh sot veten në radhën e këtyre njerëzve të mëdhenj. Duke dashur të flasë për krenaritë e qytetit të tij, prof Besim Qorri, përmes punës dhe vetëmohimit me një dashuri të madhe për qytetin e lindjes, arrin të jetë sot pjesë e kësaj krenarie.

Në punimin e tij “Shkolla shqipe, qendër mendimi dhe zhvillimi patriotik e revolucionar” si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor, përmes kërkimeve në materiale e dokumente të Arkivit Qendror Shtetëror, Bibliotekës së Shtetit Elbasan, Bibliotekës Kombëtare Tiranë, Shtëpisë Muze të Arsimit Elbasan si dhe mjaft kumtimeve verbale të mjaft njerëzve që kanë lidhje me zhvillimin e arsimit, ai solli përmes 350 faqeve në 8 kapituj, luftën për zhvillimin e arsimit në Elbasan nga okupimi turk deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ndër faktet historike që sjell, ai me një krenari të legjitimuar, na kujton punën e Dhaskal Todrit, si i pari ndër shqiptarë që pati ndërmend t’i japë atdheut të vet “një alfabet shqip me vlerën më të kulluar të kësaj fjale…”[2], duke qenë, thekson prof Besimi,[3] padyshim më i përsosuri e më i ploti i alfabeteve të vjetër e të rinj, me 57 shkronja për të shënuar secilin tingull të shqipes, një alfabet kursiv i shek XVIII i stilizuar e me individualitet. Mbi historizimin që i bën punës së Kristoforidhit, si krijuesi ndër të tjera i dy abetareve në toskërisht e gegërisht, jep mesazhe për gjithë mësuesit, të cilët duhet të shohin tek vepra e puna e tij mësuesin e gjuhës shqipe të pastër, pa fjalë të huaja, të vlerësuar edhe nga albanologë me emër si Veigandi apo Dozoni, të cilët janë takuar me të dhe e kanë vlerësuar për fjalorin e tij. (Besim Qorri: 30)

Pas një rrugëtimi të gjatë dhe vështirësish për mësimin në fshehtësi të gjuhës shqipe, të dokumentuara nga prof Besimi, vijmë në vitet e krijimit të klubeve “Bashkimi” e Vllaznia”, hapjes së shkollës së parë shqipe (me inisiativën e klubit “Bashkimi”) në Elbasan më 2 gusht 1908 me abetaren e Sami Frashërit me mësues si Josif Haxhimima, Simon Shuteriqi etj duke vijuar me Kongresin e Elbasanit i cili ndër të tjera vendosi hapjen  e Mësonjëtores së mësonjësve, dmth Shkollën Normale, më 1 dhjetor 1909.  Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes nga Luigj Gurakuqi, ai thotë: “Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnisë landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnies mendore: do të jetë truni, do të jetë zemra e të gjithë shqyptarëvet. Kështu katundësi me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkëtrajtojnë e do të bahen nji. Këtu toska me gegën do të derdhen, do të treten; këtu gjuha shqipe, tue u përkulun pas kësaj ligjerate të ambël, do të marrë nji trajtë e nji fytyrë të përbashkme; këndej do të dalin shqyptarë, vetëm shqyptarë.”[4]

Autori ndalet në një moment tjetër të rëndësishëm historik, Kongresin e Lushnjes 1920, i cili përveç të tjerash vendosi të mëkëmbë një komisi letrare për përgatitjen e teksteve shkollore në dialektin e Elbasanit, duke e bërë Elbasanin një qendër të rëndësishme për zbatimin e vendimeve të Kongresit Arsimor. Me gjithë përpjekjet në vazhdimësi që autori i punimit sjell me detaje, shohim sakrificën që bëhet në vite në emër të përparimit e të arsimit. Në një shkrim te gazeta Dajti, të datës 11.7.1924, Aleksandër Xhuvani shprehet: “Shumë kush sot, duke bërë krahasim me 20 vjet më parë kur shqipja s’lejohej, e quan këtë si shekullin e artë të kulturës sonë. Po s’asht ashtu, jemi prapa, ma mbrapa se në çdo degë tjetër të jetës sonë publike… duhet të na mbushet mendja se arsimi gjindet në një shkallë fort të dobët dhe është një problem i rëndë që duhet zgjidhë njëherë e mirë e sa më parë…” dhe me inisiativën e tij e të vlonjatit Jani Minga organizuan një tjetër kongres arsimor, pas atyre të 1920 dhe 1922. Kongresi i 1924, vendosi që arsimi të ishte mbi baza demokratike kombëtare dhe shkolla shqipe të qe e përbashkët në çdo vend e çdo pikë. Ishin ky kongres e përpjekjet e Xhuvanit me të tjerë që arritën të ruajnë e zhvillojnë arsimin si një projekt i nisur nga rilindasit, sidomos nga Sami Frashëri. Ky (S. Frashëri) mendimtar e pedagog i madh krijoi një platformë për ndërtimin e një sistemi të arsimit popullor, i cili mund të konsiderohet si një projekt ndër më demokratikët në Europë në shek XIX, që parashikonte:

  • një tërësi shkollash gjer në shkollat e larta,
  • dhënien e arsimit të detyruar pa pagesë,
  • sigurimin e fëmijëve të varfër me tekste e mjete mësimore gratis,
  • të drejtën e pakicave kombëtare për mësim në gjuhën amtare;

vepër që u konkretizua në një farë shkalle në dy kongreset pedagogjike, (Lushnjë 1920, Tiranë 1922).[5]

Prof Besim Qorri i evidenton këto momente historike të qytetit tonë si vepra qytetësie, si përpjekje të gjata e të zjarrta të popullit shqiptar për liri e qytetërim. Si nxënës i Normales, ai shprehet: “Ku e fillova karrierën e mësuesisë dhe ku e lashë! Krahasimi as që mund të bahet. Mjafton të them se sot lagja ku banoj ka ma shumë nxanës sa gjithë Elbasani n’atë kohë. I shoh çdo mëngjes, kur shkojnë turma-turma në shkollat e reja, me fytyra të qeshura, me çantat plot libra e tekste të bukura”[6]

Prof Besimi si një nxënës fillimisht dhe më pas në vitet 50 mësues i shkollës Normale, e sheh këtë institucion si një laborator të mirë për përpunimin dhe shqiptimin e terminologjive të përdorura në dispencat e para që u krijuan në frymën e rilindasve si Kristoforidhi, Naim dhe Sami Frashëri,  e me një kujdesje të veçantë për pastërtinë e gjuhës sonë duke krijuar fjalë të reja me brumin e shqipes.

Në një rubrikë të veçantë të gazetës Tomorri i vogël, i vitit 1942[7], me titull “Në historin e gjuhës”, prof Besimi si një dijedashës dhe pjesë e dijetarëve që vetë i radhit me kujdesjen e njeriut që do njeriun e dijes dhe të punës , hedh mendime mbi origjinën e gjuhës dhe ndër të tjera thotë. “Gjuha e nji populli ia përngjanë nji kroi i cili rrjedhë pa u ndalun e pa dijtun se ku do të shtyheshin fellë e mâ fellë e ndofta do të sosnim në origjinën e vërtetë të saj.”[8]

Puna e një njeriu nuk sos me vitet e tij, por me kujtesën e njerëzve për veprën që ai lë. Vitet shpesh shtrëngojnë njëri-tjetrin dhe nuk ndajnë dot data të shënuara. Na takon shpesh të ndalemi në ta e të mësojmë prej tyre.

Duke hulumtuar studimin e prof Besim Qorrit, bindem akoma më shumë se “Shkodra apo Korça ishin koka e arsimit shqiptar, ndërsa  Elbasani ishte dora e tij”.

[1] Camaj, Vepra 6, Parathënia nga A. Ndreca, Onufri, 2010, f. 98

[2] Besim Qorri, Lufta e popullit të Elbasanit për gjuhën dhe shkollën shqipe, Sejko, 2000, f.20

[3] Po aty f. 25

[4] Po aty f. 117

[5] Po aty f. 108

[6] Besim Qorri, Lufta e popullit të Elbasanit për gjuhën dhe shkollën shqipe, Sejko, 2000, f. 87

[7] Tomorri i vogël, 1942, 15 shtator 1942, 1 tetor 1942

[8] Tomorri i vogël, 1942, 15 shtator