Data 2 gusht e vitit 1908 është një datë e rëndësishme e kujtesës sonë lokale. Vazhdon të jetë e tillë edhe sot, sepse në 2 gusht të vitit të largët 1908 u hap shkolla e parë shqipe në Elbasan, e njohur gjërësisht si shkolla e Tebojës, kjo shkollë sot mban emrin “Naim Frashëri”.

Elbasan 1914. Godina e shkollës  së parë shqipe në Elbasan, e njohur si shkolla e Tebojës, sot shkolla “Naim Frashëri”

Elbasan 1914. Godina e shkollës së parë shqipe në Elbasan, e njohur si shkolla e Tebojës, sot shkolla “Naim Frashëri”

Fillimisht, me hapjen e saj, kjo shkollë me vetëm 4 mësues, frekuentohej nga 50 nxënës. Më pas numuri i personelit dhe i nxënësve erdhi duke u rritur me kalimin e viteve.

Shkolla e parë shqipe u hap nga Fejzullah Guranjaku, në një ndërtesë ngjitur me shtëpinë e Sejdinit, e më pas kaloi tek kjo e fundit. Në vitin 1910, shkolla u zhvendos pranë Kalasë së Elbasanit, në rrugën e njohur për elbasanasit me emrin “Xhepa”, në një godinë që kishte shërbyer si depo ushtarake e ushtrisë turke, prej nga i rrjedh edhe emri, shkolla e Tebojës ose Debojës, shqiptohej në dy forma. Kjo fjalë vjen nga turqishtja dhe ka kuptimin e një depoje ushtarake.

Në Luftën II Botërore, kjo shkollë u kthye në ambiente burgu nga ushtria italiane dhe më pas edhe ajo gjermane. Në vitit e pas luftës u rikthye përsëri si shkollë dhe më tej, për shkak të vjetërsisë, shërbeu si depo libri derisa iu dha një privati  me qera që e ka kthyer në një lokal (funksion të cilin e ka edhe aktualisht). Vlen për tu shënuar se gjatë kohës së diktaturës në murin e kësaj godine u vendos një pllakë përkujtimore ku shkruhej:  “Nxënës, kujtoni se më 25 qershor 1943 kjo shkollë u kthye nga fashistët italianë në vend burgimi dhe torturash. Ditët e lumtura që po gëzoni janë arritur me shumë luftë dhe përpjekje”.

Ndër vite ka pasur emërtime të ndryshme si: “Shkolla Nr.1”, “Qendrore”, “Teboja”, “Plotore”, dhe që nga viti 1935 e deri sot mban emrin e rilindasit tonë “Naim Frashëri”.

Nga kjo shkollë kanë dalë shumë personalitete të të gjithë fushave, njeri prej tyre edhe Sulejman Harri që më pas do të ishte edhe drejtori i parë i shkollës Ushtrimore, e njohur edhe si laboratori i Normales, ku përgatiteshin mësuesit e rinj që dilnin nga bankat e  shkollës.

Krenaria kombëtare që ndjejnë elbasanasit me shkollën e tyre 100 vjeçare “Naim Frashëri” është e ligjshme dhe historike. Janë mësuesit dhe nxënësit, janë qytetarët dhe breza të tërë nxënësish që ka nxjerrë kjo shkollë dhe mësuesish që kanë punuar në këtë tempull të dijes. Nderimi që meriton kjo shkollë, është një nderim që merr përmasa jo vetëm kombëtare, por mbarëkombëtare, për vetë faktin se bijtë e këtij kombi që kanë mësuar në këtë shkollë, kanë qenë dhe janë sot akademikë, shkencëtarë, burra shteti dhe figura të rëndësishme atdhetare.

Edhe muzeu brenda kësaj shkolle ka të sinkronizuar historikun e kësaj vlere kombëtare nga duart e mësuesit të respektuar Sami Domni – “Mësues i Merituar”, ashtu siç ka edhe emrin e lartësuar të një shkolle me nivel kombëtar.

Elbasan - 1942, Shkolla e Tebojës

Elbasan – 1942, Shkolla e Tebojës