Fillojmë me emrin e Zotit të Shenjtë dhe po shkruejmë për kujtim të pasardhësve se me ndihmën e Zotit, të krishterët mëshironjës të Neokastrës (Elbasanit, shën. im) dhuruan aspra, siç po shënohet mȃ poshtë, aspra të cilat i dhuruan për me bȃ shkollë të re për fëmijët pa dallim feje dhe tepricat e asprave t’i jepen mësuesit që do të jetë. Këto kapitale do të jenë të palëvizëshme dhe do të jenë të kishës. Dhe ata që i dhuruan, të përkujtohen të dielën e parë të Kreshmës për shpëtimin e shpirtit dhe kujtim të përjetshëm. Me këto të ardhura, grumbullohen 35 mijë aspra”. (Burime të Zgjedhura të Historisë së Shqipërisë, Vol. III, AQSH, dosja Nr.5, Dok.5174, faqe 42, Kodiku i kishës “Shën Maria”).

Shkolla në oborrin e kishës “Shën Maria” n’Kala t’Elbasanit ȃsht ndërtue para vitit 1900 dhe fillimisht ka qenë shkollë greke (sipas lehtësinave që Porta e Naltë u kishte krijue orthodhoksëve të Patriarkanës së Stambollit). Por, ȃsht fakt i padiskutueshëm që kjo shkollë ishte folé ku mçeftas m’sohej gjuha shqipe dhe përhapeshin idenat e përparimit dhe çlirimit kombtar. Mësuesit e saj mȃ të përmendun kanë qenë Teodor Haxhifilipi, Dona Tupja, Konstandin Kristoforidhi, Dhimitër (Tush) Pina, Vasil Andoni, Aleksandër Xhuvani etj. Që nga kjo shkollë e përndritshme kanë fillue me mësue shqip qindra e qindra fëmijë elbasanas.

Kjo shkollë ka shërbye edhe si vend takimi dhe organizimi i Kongresit të Elbasanit (2-7 shtator 1909) i cili vendosi çeljen sa mȃ shpejt të shkollës së mesme shqipe që do të përgatiste mësuesit shqiptarë, Normalja e Elbasanit. Vendi që Elbasani kishte zȃnë në lëvrimin dhe mësimin e shqipes si dhe pozita e favorshme gjeografike, bȃnë të mundun që këtu të thirrej Kongresi i Dytë Kombëtar për shkollat. Klubi “Bashkimi” ka lajmërue të gjitha shoqnitë shqiptare mrenda dhe jashtë vendit që t’dërgonin delegatët për në Kongres i cili u vendos me fillue punimet më datë 14 maj 1909, por për shkak të turbullinave që ndodhën në Perandorinë Osmane, u la me u zhvillue më datë 2 shtator 1909. Që më datë 1 shtator 1909 në Elbasan kanë mbërritun 35 delegatë që përfaqsonin 28 klube dhe shoqni të ngrituna nga elementë përparimtarë. Këta delegatë gjetën këtu një atmosferë festive jo vetëm nga mikpritësat, por te i tȃnë populli i Elbasanit.

Gjatë periudhës së Monarkisë dhe gjatë Luftës -II- Botnore, shkolla e kishës u kthye në shkollë ushtrimore ku praktikonin studentët normalistë.

Sot kjo shkollë e quejtun “Zëra Jete” ȃsht përshtatun për vijimin e mësimeve për fëmijët me aftësi të kufizueme.

Shkolla e Kishës

Shkolla e Kishës

 

Elbasan, Shkolla e kishes rreth vitit 1904, mësuese Dona Tupja

Elbasan, Shkolla e kishes rreth vitit 1904, mësuese Dona Tupja

Përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, Dhjetor 2014.