Shënime të Abedin Çaushit

(ish tregu i qytetit, sot Sheshi i Bezistanit)

Sheshi_Idraj

Nga rruga e kasapve, nëpër nji rrugicë të ngushtë kalohesh në xhaminë e Idrajt. Kjo përmendet me emnin e themeluesit të saj, Hidër agai ose Hidrai, e mâ vonë âsht zhdukun germa H, për me mbetun në gojën e popullit Idraj. Xhamija në fjalë qëndronte e ngritun deri në Luftën -I- Botnore duke pasun pranë edhe nji bazament minareje dhe e rrethueme me vorreza.

Kjo xhami ka qenë fort e vjetër, fatkeqsisht nuk kemi gjetun asnji shënim mbi të. Ngjitun me këtë, si mbas zakonit të shekujve të kaluem, ishte ndërtue nji sallë për shkollë. Të tilla shkolla, ishin si me thânë fetare se aty mësohej vetëm a-b-c-ja  arabisht dhe leximi i Kur’anit. Rreth vitit 1900 aty ishte si mësues hafyz Gjeli, nji hoxhë me çallëm. Kategorija e këtyne hoxhëve ishte se ata zotëronin jo vetëm turqishten, por edhe leximin e Kur’anit e ndonji shkollë fetare. Këto lloj shkollash ishin private, nxânësit i paguenin mësuesit çdo hânë (muej arab), nji “pular”, monedhë bakri që vlente pesë “metelikë”, dhe disa të tjerë më gjendje ekonomike mâ të mirë dhe në mësime mâ të ngritun, paguenin nga nji “tresh” që do të thonte tre grosh. Edhe “tresh”-i ishte monedhë bakri por mâ i madh se “pulari”.

Nxânësi që kryente leximin fund e krye të Kur’anit, veç pagës së përmuejshme, do t’i çonte mësuesit bohçellëk, që do me thânë dhuratë e cila përmbânte këmishë e të linjta, nji abdes-peshqir dhe nji “mexhide”, monedhë argjendi me vlerë 1/5 e lirës turke të atëhershme, se do të zbriste hatme. Fjala hatme âsht marrë kallëp se kjo fjalë âsht arabisht dhe shqiptohet hatime, që do me thânë –me i dhânë fund, me përfundue diçka. Mbas hafyz Gjelit, në këtë shkollë doli si mësues hafyz Sulejman Fingoja që kishte krye mësimet e tij në medrese, i cili punoi për pak vjet dhe nga viti 1910 iku për në Stamboll.

Vorrezat e kësaj xhamije ishin të vjetra e nuk dihej se kur. Xhamija u prish nga zyra e Evkafit aty nga viti 1937-1938 dhe në Luftën Italo-Greke më 1941 vorrezat gati ishin sheshue, aty qëndronte vetëm bazamenti I minares. Ky vend pas vitit 1944 u caktue si shesh tregu për fshatarësinë dhe për këtë qëllim u shemb hani i Cem Jahos ke Leshnat dhe hani i Haxhi Sinanit ke mandi i Lleshit, trojet e të cilëve iu anësuan këtij sheshi. Ndërsa puntorët ishin duke punue në themelet e xhamisë, i poq kazma në nji enë prej balte që thyhet nga forca dhe vërtiten me grushta flori (monedha ari) në madhësi të ndryshme. Puntorët shtangën dhe mbetën të habitun nga ky thesar i fshehun nën tokë. Kur erdhi policia menjëherë vunë dorë mbi sa u gjend nën tokë, mblodhën edhe disa që u gjetën nëpër duar të popullit që u ndodh aty, dhe natyrisht u dorëzuan në Bankën e Shtetit. Të nesërmen, kur unë shkova për të dhânë mësim në shkollën shtatë-vjeçare “Sul Misiri”, gjeta në korridor nji grumbull nxânësish që diskutonin mbi këtë ngjarje dhe vëzhgonin me kureshtje nji flori të vogël që rastësisht kishin shtie në dorë. E pashë edhe vetë, e konstatova që ishte nji “mine” (emni i m

onedhës së florinit), i premë në ditët e sulltan Mahmudit  më 1804.

Për këta flori të fshehun në rrânxë të themelit të xhamisë, flitet se janë mbuluar prej ndonjë njeriu që të evitojë vjedhjen nga kusarët, porse nuk ka pasun rast e kohë që në momentet e fundit të jetës, ta marrë atë.

Sheshi Idraj tashmë u rregullue për treg fshatarësie dhe ndër popull dalëngadalë ka marrë emnin merkato, së cilës në rrugën e kasapve te hani i Haxhi Sinanit ashtu edhe në rrugën “11 Nandori” i âsht hapun nji portë e madhe. Në vitin 1955 kur po kanalizohej rruga “11 Nandori”, pikërisht në jug të sheshit Idraj, me 1/5 metër thellësi, u zbuluen vorre me kocka njerzish. Para se me u hap rruga “Kamo Sejdin” më 1915, vorrezat e xhamisë Idraj shtriheshin edhe mâ tutje nga jugu, nëpër të cilët ka rânë plani I rrugës.

Që nga kjo kohë, sheshi Idrajt u bâ sheshi kryesor I tregut të Elbasanit e mâ vonë u quejt Sheshi i Bezistanit. Në mes të këtij sheshi ngrihej nji rrap shekullor që hijeshonte thuajse gjysmën e këtij sheshi. Në lindje të këtij rrapi ndodhet nji shatërvan me hauz, që deri nga viti  1923 kur  transporti kryhej me karvane kuajsh, në hauzin e këtij shatërvani pinin ujë njiherazi të 12 kuajt e nji karvani. Në perëndim të rrapit ka qenë nji pus i mbyllun që në gjysmën e dytë te shek. XIX e nuk funksiononte mâ, se kur ka rânë zjarr në Pazar, tregtari i asaj kohe Haxhi Salih Çiftja që kishte dyqanin karshi pusit, ku për me shpëtue nga zjarri mallin e kushtueshëm, futi në pus topat me cohë, stof i atëhershëm prej të cilit bâheshin xhybe grash, dolloma burrash e grash, poturre, shallvare, xhamadanë, mintana etj. Si âsht largue rreziku, e ka nxjerrë materialin s’andejmi, pusin e kanë la disa herë, por prapë së prapi uji dilte me qime të imta e për këtë shkak e kanë pas mbyllun, se edhe nevoja e tij nuk ndihej aq e madhe mbasi aty afër ishte shatërvani me ujë të rrjedhshëm.

Aty nga viti 1928, zyra e Evkafit i shiti lagjes Dylgjer-Hysen gurët e gdhendun të grykës së këtij pusit për 6 napolona ari dhe me ato pare bâni meremetime në kubenë e xhamisë së Pazarit dhe pusin e mbushën me mbeturina si, gurë, dhe, tjegullishte, horosan etj.

Sheshi-Idraj-2

Sheshi-Idraj-3

Mblodhi: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Prill 2016.