Elbasani u bë vendi i piketuar nga sistemi i diktaturës ku do të ndërtohej Kombinati i Metalurgjisë së zezë. Fusha e Bradasheshit me rreth 300 ha në perëndim të qytetit u caktua si vendi më i përshtatshëm ku do të ngrihej ky kombinat. E gjithë kjo me asistencën e shtetit kinez që do të investonte këtë industri të rëndë në Shqipëri.

Viti 1965 shënon fillimin e punimeve në uzinën e petëzimit të imët, ndërsa uzinat e tjera do të nisnin të ndërtoheshin në vitin 1971 ku edhe u bë një ceremoni e madhe dhe vetë Enver Hoxha ishte i pranishëm me vendosjen e tullës së parë.

Në këtë kombinat u ndërtuan 12 uzina dhe fuksionuan disa ndërmarrje në funksion të këtyre uzinave ku secila kishte në përbërje edhe uzina dhe fabrika më të vogla.

Në Kombinatin Metalurgjik kanë punuar rreth 12 mijë punonjës ku rreth 80% e tyre ishin me arsim të mesëm ndërsa me arsim të lartë ishin rreth 1000 kuadro, ku përfshihen punëtorë të thjeshtë, specialistë të mesëm, inxhinierë.

Në Kombinatin Metalurgjik u përgatit një plejadë e tërë specialistë të të gjitha fushave të punës, si muratorë, mekanikë, teknologë, kipistë, elektricistë etj.

Produktet që dolën nga Kombinati Metalurgjik kryesisht ishin çeliku dhe nënproduktet e tij i profileve të ndryshme për ndërtim dhe për industrinë mekanike etj. gjithashtu u prodhua në këtë Kombinat gizë, koks, nikel, kobalt (kripë), squfur, benzol, kreolinë që përdorej për zgjeben e bagëtive, sulfat amoni, dolomit gëlqere, gur gëlqeror për çimento, oksigjen, gaz karbonik, oksid squfuri (SO2), tulla refrektare etj.

Prodhime në Kombinatin Metalurgjik :

  • Çelik për dnërtime
  • Çelik për Uzinën mekanike
  • Gizë
  • Nikel metalik 99.99 %
  • Kripë kobalti CO
  • Tulla refrektare
  • Koks metalurgji e zezë
  • Koks metalurgji me ngjyra
  • Avull
  • Oksigjen
  • Azot
  • Gaz për djegie
  • Gaz karbonik CO2
  • Pjesë këmbimi nga uzina mekanike
  • Konstruksione për protat e HEC dhe për ferrokromin Burrel
  • Trajtim termik të të gjitha prodhimeve
  • Riparime elektrike në uzinat mekanike
  • Tulla dolomite
  • Gurë gëlqeror
  • Gëlqere
  • Prodhime karbonike
  • Squfur
  • Sulfat Amoni
  • Benzol
  • Bitum
  • kreolinë
  • Skorie për fabrikën e çimentos 

Përgatitur në bashkëpunim me Z. Kozma Biba