Joan Vladimiri ka lindur në fshatin Vlladimir të krahinës së Krajës në Malin e Zi, që përfshin territorin midis liqenit të Shkodrës e detit Adriatik, lumit Buna e Cërnica, vënd nga i cili mori edhe mbiemrin e vet.  Joani doli nga një dinasti Bullgare e njohur e shekullit të IX. Oborri i kësaj familje ka qënë në Krajë, ku edhe ndodhet një kryq i madh druri i këtij shënjti.

Nemani, ati i tij, ishte mbret i Ilirisë dhe sundonte Malin Zi, Dalmacinë, Bosnjën dhe Arbërinë deri afër Prevezës. Ai mbretëronte në principatat e Zuhumiljesë dhe Presvala ( të quajtura ndryshe Zeta).

Vladimiri u dërgua në shkollë si princ që ishte dhe studioi artin ushtarak të kohës. Kështu ai po rritej me tërë forcën e trupit dhe të mëndjes. Ishte një djalosh i pashëm, i mënçur, i drejtë, i urtë, i dashur e zemërdhëmshur.

Oborri mbretëror, kishte në gjirin e tij episkopë dhe njërëz shpirtërorë shumë të ditur në doktrinën e fesë, të cilët ndihmuan në rritjen shpirtërore të Joan Vladimirit. Bukuri rrezatonte shpirti i tij i ndiçuar orë e çast nga besimi tek Zoti. Kur i ati vdiq, mori fronin e drejtimit të mbretërisë dhe rreth tij mblodhi një ushtri të madhe.

Në atë kohë ishte shumë e fortë mbretëria bullgare me oborrin e saj në qytetin Ohër . Kjo mbretëri ishte forcuar shumë e kërkonte të zgjeronte kufijtë e saj në të gjithë Ballkanin. Mbreti Vladimir ishte një profet i vertetë dhe si i tillë ai nuk dëshironte luftra e gjakderdhje. Nuk dëshironte që ushtria e tij të pushtonte toka të tjera, por as edhe të sakrifikohej kot në raste sulmesh të mbretërisë së tij.

Foto e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, të marra nga Margaret Hasluck, në vitin 1934.

Foto e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, të marra nga Margaret Hasluck, në vitin 1934.

Kështu pas disa vjetësh Cari bullgar Samuel (996 -1014) ndërmori një ofensivë kundër mbretërisë së Vladimirit. Samueli  dërgoi një lajmëtar për ta lajmëruar që të dorëzohej, por ai refuzoi.

Mbreti i Bullgarisë Samueli, nuk vonoi dhe erdhi e u vendos në tokat e mbretërisë së Vladimirit në krahinën e Dalmacisë. Mbreti Vladimir me ushtrinë e vet erdhi dhe u struk në Oblikë. Meqenëse mbreti Vladimir nuk e luftoi mbretin Samuel, ky i fundit ndau ushtrinë e tij në dy pjesë. Një pjesë e la nën breg dhe me pjesën tjetër u nis për të pushtuar Ulqinin. Vladimiri lutej vazhdimisht tek Zoti, që Samueli të mos bënte dëme dhe që Ai ta ruante popullin e tij.

Aty, n’atë vënd (Oblikë ), kishte shumë gjarpërinj helmues, që kafshonin bagëti e njerëz e prej helmit të tyre shuheshin jetë. Ai iu lut Zotit me lot në sy, që i plotfuqishmi ta shpëtonte popullin e tij nga kjo vdekje e papritur. Zoti e dëgjoi lutjen e shërbetorit të tij dhe që nga ajo kohë, asnjë njeri apo kafshë nuk u helmua më prej gjarpërinjve e po kështu mbeti gjer në ditët tona.

Pas plaçkitjeve, Samueli u afrua e i kërkoi Vladimirit të zbriste e ta takonte. Mbreti nuk pranoi. Atëherë i pari i asaj krahine iu çfaq me pamjen e Judës, Samuelit, duke i thënë: “- Çfarë do t’më japësh nëse unë t’a sjell Vladimirin?“  Mbreti bullgar iu përgjigj : “ – Nëse ti e bën këtë, unë do të bëj mëkëmbësin tim “. Në atë çast mbret Vladimiri parandjeu të keqen që do t’i ndodhte. Mblodhi ushtrinë e u tha: “ Më duket të dashur vëllezër, se është thënë që unë të plotësoj thënien e Ungjillit e cila thotë: “ Bariu i mirë, shpirtin e jep për dhëntë e tija. E po mendoj, që më mirë të jap shpirtin tim e të vritem unë, sesa ta pësoni ju, nga uria e shpata…”  Pas këtyre fjalëve u nda me ta e shkoi e iu dorëzua mbret Samuelit.

Kështu mbreti u bë rob. La pas tokën e mbretërinë e tij, pasurinë e të mirat e jetës, për të shpëtuar shpirtet e pafajshme të ushtarëve të tij. Kjo ishte një sakricë të cilën e bënte vetëm një njeri i urtë, i përulur e zemërdhëmshur. Ishte bindja tek Perëndia e Zoti Jesu Krisht, ajo që e bënte mbretin të zbriste gjer në atë shkallë përulësie. Joani u dërgua në vëndin e quajtur Ohër, ku edhe ishte oborri mbretëror i Samuelit.

I drejti kështu u barazua me të padrejtët. Provoi ashtu si vëtë Zoti Krisht sharjet, rrahjet e poshtërimet e panumërta. Gjithnjë lutej brenda në burg në çdo orë të ditës apo të natës. Perëndia me urtësi i dëgjonte lutjet e shërbetorit të mirë. Ajo nuk kërkon therore, por bindje nënshtrim e besim. Dhe Joani i gëzonte këto lule virtuti në shpirtin e zemrën e tij me bollëk.

Ndodhi, që një ditë sipas zakonit të atëhershëm, bija e mbretit Samuel kërkoi të vizitojë robërit edhe të lajë kokën e këmbët e saj me lotët e tyre.  Babai ia aprovoi kërkesën dhe ajo tok me oborrtaret e saj zbriti në qelitë dhe e kreu punën më së miri. Kur hyri në qelinë e mbret Vladimirit ajo u trondit e tëra. Vladimiri i pashëm, i urtë, i zgjuar, i sjellshëm e hyjnor e bëri të ndryshohet e tëra. Të dy nisën një bisedë aq të këndëshme e të paqshme sa edhe ëngjëjt në qiell do ta kishin zili. Vladimiri i fliste me fjalë të ëmbla nga shkrimi i shënjtë e dituria njerëzore dhe ajo i përgjigjej po ashtu.  Aty ajo mori vesh se ai ishte mbret e bir mbreti . Dashuria, kjo rreze hyjnore Perëndie i lidhi të dy zemrat e tyre e u ndriçoi shpirtet, për tu lidhur bashkë, për ta lavdëruar Perëndinë në jetë të jetëve e duke ia kushtuar jetët vetëm Atij.

Sapo takoi të atin, Samuelin, Kosara iu drejtua me fjalët : “ – Babai im dhe sundimtari im! E di që sipas zakonit do t’më martosh, por të lutem, që me dëshirën e plofuqishmërinë tënde t’ma plotësosh dëshirën, duke më dhënë për burrë vetëm mbret Vladimirin. Ai është njeriu i denjë për mua. Njeri tjetër nuk dua…”  Kështu tha Kosara e u largua.

Mbreti Samuel, sovrani prej të cilët të gjithë dridheshin u zhyt në mendime të mjegullta.  Ishte në dilemë: O të pranonte për dhëndërr një rob, i cili ishte edhe mbret, ose të priste vdekjen e vajzës. Të dyja e trondisnin pa masë, por më në fund pranoi që ta martonte Kosarën me rob Vladimirin. Thirri shërbetorët që të shkonin e ta merrnin e pasi ta lanin e ta vishnin me rroba të reja ta sillnin përpara tij. Shërbetorët ia zbatuan urdhërin në çast.

Vladimiri, i cili në lutje kishte pranuar të bënte çdo dëshirë të Perëndisë bëri sipas urdhërave që i jepnin. Edhe ai e dëshironte Kosarën. I dukej se ajo kishte shumë virtute të mira e që ishin të përbashkëta me të. Kur shkoi tek mbreti Samuel, ai i komunikoi dëshirën e vajzës dhe dha pëlqimin para tij . Vladimiri besoi plotësisht se ky ishte vërtet vullneti i Perëndisë, ndaj i ngazëlluar pranoi martesën.  Kështu mes gëzimit mbretëror u bë martesa e vajzës së Samuelit. Vladimiri, u emërua përsëri mbret, duke marrë sërish edhe tokat rreth Shkodrës, të pushtuara prej mbretit bullgar, tanimë të vjehrrit.

Mbreti Vladimir filloi jetën e tij me të shoqen Kosarën, me pastërti e shkëlqim, duke dashur Zotin e duke sunduar popullin e tij me dashuri e frikë Perëndie. Gjithçka shkonte mirë e bukur. Ai dhe e shoqja Kosara, me lutje drejtuar Perëndisë jetonin në pastërti të plotë. Ata i ishin betuar njëri- tjetrit që gjithë jetën e tyre do t’ja kushtonin Perëndisë e do të bënin vullnetin e tij kudo qoftë. Edhe populli i tij ishte i qetë e i lumtur, punonte e pranonte me dashuri dhuratat që Perëndia i jepte me bollëk.

Si djalë i ri, i fuqishëm e plot gjallëri fizike e shpirtërore, Joani vizitonte jo rallë territoret e mbretërisë së tij. Shikonte popullin, qytetet e fshatrat, udhët, kishat e manastiret, fushat e malet, duart e Zotit në tokë që ishin plot e përplot me dhurata… Dhe gëzohej e ngazëllohej. Falenderonte Perëndinë për këtë bujari, me gjithë forcën e zemrës e të shpirtit dhe vriste mëndjen se si të gjente më shumë himne e lavdërime e t’ja drejtonte  krijuesit të Gjithëpushtetshëm.

Këtu nis edhe ngjarja aq e ndritshme që lidhet me fillimet e jetës së manastirit tonë dhe martirizimit të mbretit të shënjtë. Këto janë shënja Perëndie që u zbulohen e veprojnë vetëm tek shërbetorët e tij të zgjedhur.

Manastiri i Shen Joan Vladimirit

Manastiri i Shën Joan Vladimirit, viti 1940

Dhe ja, ç’farë ka ndodhur:

… Një ditë duke udhëtuar, Joani pa në një pyll pranë lumthit të Kushës në veriperëndim të Elbasanit një shqiponjë, e cila mbarte një kryq te ndritshëm mbi shpinë, të cilin e lëshoi në lëndinën para tij. Pasi lëshoi kryqin e ndritshëm në tokë shqiponja u zhduk, se qe një ëngjëll i Zotit. Atëherë mbreti i ri u përkul e puthi dhe me shumë lutje, falje e nderime e vendosi në një vënd aty pranë ku edhe ndërtoi një kishë. Thuhet se ia kushtoi nënës së Zotit, Shën Marisë. Joan Vladimiri me këto shënja pa se ky vënd ishte vërtet i shënjtë.

Ai u përbetua para ikonës së Shën Marisë duke i thënë, se do vinte të lutej këtu jo një, por shtatë herë në ditë, në shpërblim të kësaj zbulese hyjnore, e nuk do ta pengonte  për këtë as nata e errët dhe as pylli i dëndur. Sigurisht që shenjti e mbajti fjalën. Siç do ta shohim edhe më vonë, ai u dashurua me këtë vënd që atëherë e gjer në jetë të jetëve.

Veç nuk qe e thënë, që frutat e gëzimit në familjen mbretërore të mbretit Joan Vladimiri të jetonin gjatë.  Menjëherë u shtuan ambicjet e mbretërve fqinjë, për sulme e coptim të tokave të mbretërisë së tij.

Perandori i Bizantit Vasili II ( 976 – 1025 ) sulmoi car Samuelin e Bullgarisë ku edhe e mundi. Ai vdiq. Menjëherë u bë mbret i ri i bullgarëve biri i tij Radomiri ( Radovani). Ai mbretëroi vetëm një vit sepse u vra prej vëllait të tij prej nëne, Joan  Vlladisllavit, ndërsa kishin shkuar bashkë për gjah në një pyll të largët. Kështu që Joan Vlladisllavi( 1015 – `1018 ) ambicioz e egoist zuri fronin mbretëror. Ky mbret, që u ul në poltron të fronit mbretëror me gjak, me gjak do të mbretëronte edhe më vonë e po në gjak do të vdiste edhe vetë.

Joan Vladimiri, si njeri i zgjuar që qe, i shikonte me mëndje të kthjellët ngjarjet. Ai e kuptoi se djalli kishte hyrë në mbretërinë e njerëzve të bashkëshortes dhe punë të liga po ndodhnin e do të ndodhnin edhe më pas.

Për këtë ai edhe Kosara shtuan lutjet dhe agjërimin për të pastruar sa më shumë shpirtet e trupat e tyre. Episkopë e priftërinj, që shërbenin në këtë oborr drejtonin mbret e mbretëreshë. Sigurisht që i përgatitnin dhe i futnin gjithnjë e më shumë në lavdinë e shenjtërisë.

Atë që e mori me mëndje një ditë Vladimiri edhe e ndjeu t’i vijë pranë. Njerëz të kunatit Vlladisllav erdhën dhe i thanë se mbreti e kishte ftuar në oborrin e tij mbretëror në Ohër. Sapo e dëgjoi Kosara e ndaloi duke i thënë: – “ Mos shko imzot se mund të ndodhë ashtu siç i ndodhi vëllait tim Radomir. Më mirë më lejo mua të shkoj njëherë e të shikoj e të dëgjoj se ç’farë thotë mbreti pastaj mund të vish edhe ti. Nëse duan të zhdukin ty më mirë të më zhdukin mua “. Vladimiri e lejoi të shoqen të shkonte. Dhe ajo shkoi në Ohër.

Vlladisllavi e priti me gjitha të mirat, por me dyer të mbylluara të motrën. Kosara shkoi dhe nuk u informua dot saktë për qëllimin e të vëllait. Vetë Joan  Vlladisllavi e kishte menduar me kohë atë që donte të bënte. Duke e ftuar me besë Vladimirin, me të pabesë do ta vriste, duke i nxjerrë njerëzit e tij në shtigje të thella e në gryka malesh . Më pas do të përhapej lajmi se nga njerëz të panjohur ishte vrarë e kështu do ta kishte fare të lehtë marrjen e zotërimeve të mbretit Vladimir, burrit të së motrës.

Duke enduar në mëndje e zemër këto fije të errëta, i dërgoi sërish fjalë Vladimirit duke i thënë se ishte i mirëpritur dhe shumë i nderuar e i respektuar në oborrin e mbretërisë së tij. I dërgoi kryqin e artë dhe besën duke i përcjellë edhe fjalët: –

“ Përse trëmbesh e nuk vjen?  Ja motra ime dhe gruaja jote erdhi tek unë dhe asgjë e keqe nuk i ndodhi. Unë me njerëzit e mij e nderuam dhe e respektuam sipas zakonit . Ti je më shumë i nderuar e respektuar sepse je mbret e njëkohësisht edhe kunati im. Pranoje kryqin si shenjë të besnikërisë sime dhe eja të të shoh e kthehu kur të duash në vëndin dhe dashurinë tëndë ”.

Mbreti Vladimir iu përgjigj nëpërmjet bashkëpuntorëve të tij:

“ E dimë që i madhi zoti ynë Jisu Krisht u kryqëzua në kryq, por jo në kryq të artë e të argjëndtë, por në një kryq prej druri. Nëse besa jote është e vërtetë dhe fjalët e tua janë të sinqerta, dërgomë me njerëz të besuar kryqin e drurit dhe unë atëherë do të vij, duke shpresuar në besën dhe forcën e Zotit tonë Jisu Krisht, kryqëzuar mbi drurin e pastër “.

Kur dëgjoi Vlladisllavi këto fjalë dërgoi dy episkopë e një njeri të varfër për të mbajtur kryqin në krahë tek Joani. Ata shkuan tek mbreti, i dorëzuan kryqin edhe besën e ky, pasi u përkul në tokë e puthi kryqin e drunjtë me shumë dashuri. Joani besoi, sepse vetë besonte në drejtësinëe Perëndisë, Krishtin e kryqëzuar, vdekur, ringjallur e ngjitur pranë Atit në mbretëri të qiejve.  Kunati i lig dërgoi njerëz duke i zënë jo një, po disa prita gjatë rrugës. Mbreti Joan, i drejtë siç ishte në të vërtetë, lutej papushim tek Jesui i kryqëzuar që të shkonte shëndoshë e mirë tok me oborrtarët e tij të zgjedhur në Ohër. Rrugës vazhdimisht e shoqëronin karvanin e tij shqiponja me flamuj në duar që ishin ëngjëj të Zotit. Ata që i kishin zënë prita Vladimirit, të trëmbur shkuan në shtëpitë e tyre duke e lënë të lirë e të pacënuar.

Mbreti Vladimir erdhi në oborrin mbretëror në vëndin e quajtur Ohër. Sapo u fut sipas zakonit nisi t’i lutej Zotit. Mbreti Vlladisllav mendonte se ishte eleminuar rrugës dhe kur dëgjoi se kunati hyri në oborr u habit së tepërmi. E ndërsa lutej ushtarët e rrethuan Joanin. Ai pa aty në oborr dy episkopët dhe varfanjakun që kshte mbajtur kryqin e iu drejtua atyre me fjalët:

“ – Ç’farë është kjo Imzotër dhe shërbetor i mirë? Pse më keni mashtruar?  Pse kërkoni që unë të vritem kur nuk jam fajtor, borxhe kujt nuk i kam e që veçse u besova fjalëve tua? “

Ata të turpëruar nuk e panë fare në fytyrë. Atëherë Vladimiri tok me episkopët hynë në kishën aty afër mori në duar kryqin e përgatitur nga Vlladisllavi e ju drejtua episkopëve duke thënë:

-“Lutjuni Zotit o Imzotër, që ky kryq i nderuar së bashku me ju të jetë dëshmitar në ditën e  gjykimit të madh e të më tregoni atje siç jam i pafajshëm e i paborxhlishëm”. Episkopët me lot në sy u përshëndetën me Vladimirin, i cili doli nga kisha.

Oborrtarëve të tij Joani u tha:

“ Mos derdhni gjak vëllazëror për vdekjen time. Mos luftoni për mua. Ruani paqen dhe lavdinë e besimit Orthodhoks të Krishtit, Zotit të vërtetë. Të sundohet me drejtësi dhe dashuri populli im. “

Vlladisllavi i tërbuar nxori shpatën për t’i prerë kokën, por nuk qe e mundur. Atëherë, i shenjti Vladimir i dha kryqin e tij të drunjtë dhe i tha:

“ – Me këtë që më tradhëtove dhe prema kokën e pafajëshme”.  Kunati ja preu kryet, por mrekullisht të gjithë e panë përsëri të gjallë, të hipte mbi kalin e tij, duke marrë kokën e prerë me dorën e majtë dhe me të djathtën duke shtrënguar fort kryqin e tij. Ashtu siç ishte i hipur mbi kalin e tij Vladimiri shkoi në kishën që kishte ndërtuar vetë pranë lumthit të Kushës në afërsi të Elbasanit.

Burime të tjera thonë se trupi u mor prej së shoqes Kosarës dhe u varros në Krajë, vendlindjen e tij. Populli mori vesh vrasjen e mbretit dhe me lot ndër sy ushtarë, oborrtarë, besimtarë, priftërinj e episkopë u drejtuan atje ku ai kishte shkuar me kokën e prerë. Kur mbërriti në atë vend, u çfaq përsëri shqiponja e mëparshme dhe zëra ëngjëllorë dëgjoheshin prej qiellit. Shënjti la trupin e tij e thirri:

“ Në duart e tua po e lë shpirtin tim o Zot! “ .

Atëherë psalme filluan të vinin prej qiellit dhe vëndi i tërë u mbush me erë të këndëshme. Populli besimtar, priftërinjtë dhe episkopët me lutje e liturgji e varrosën trupin e tij të shenjtë. Ndriçimi zbriti mbi varrin e tij ato ditë e shumë  çudira ndodhën. Të verbuarit filluan të shohin, të pabesët filluan të kërkonin ndjesë të fajeve, të sëmurët u shëruan e plot mrekullira u dukën faqeza.

Kosara, nga dashuria e madhe që kishte për të shoqin, ndërtoi një dhomë pranë varrit dhe ndenji aty gjersa fjeti duke u lutur tek Zoti. Shenjti e deshi vëndin aq shumë, sa i largoi lipsanet e tij nga luftrat, për të mos u shpërndarë dhe përsëri i solli aty, që ta ndiçonin atë dhe popullin ta mbronin nga të ligat e botës.

Mësohet se mbreti i lig Joan Vlladisllavi, kërkoi të realizojë synimet e tij të mbrapshta. Ai erdhi me ushtrinë e tij dhe e pushtoi Ilirinë. Një gojëdhënë tregon, se ndërsa ai Joan Vlladisllavi po darkonte një natë në Durrës me ushtarët, i shfaqet një ushtar i armatosur me pamjen e Vladimirit. Ai u trondit nga pamja e tmerrshme dhe ulëriti me zë të madh:

“- Ngrihuni ushtarët e mij e më mbroni se po më vret Joan Vladimiri”.

Duke thirrur u ngrit nga froni që të largohej por, ëngjëlli menjëherë e goditi dhe ai u shëmb përtokë e ra i vdekur në trup e në shpirt. Po atë natë ushtarët lanë Durrësin e ikën të tmerruar nga sytë këmbët.

Kështu mbyllet historia e jetës së shën Joan Vladimirit, histori që jetoi, jeton e që do të vazhdojë të jetojë edhe në shekujt që do të vijnë.