Shaban Baxhaku  lindi më 14 janar 1931 në qytetin e Elbasanit.

Fatos-Baxhaku

Shaban Baxhaku

Një pjesë të shkollës së mesme Shabani e kreu në Normalen e Elbasanit, ndërsa klasat e fundit i kreu në Pedagogjiken dhe Gjimnazin e Shkodrës, të cilat i përfundoi më 1950.

Në shkollat e mesme të Shkodrës u dërguan si konviktorë, me bursë shteti, disa nxënës me rezultate të larta nga zonat e tjera të vendit. Shabani ishte një ndër nxënësit më të mirë, prandaj në përfundim të shkollës së mesme u nderua me medalje.

Në vjeshtë të vitit 1950 u dërgua për studime të larta në degën e Matematikës, në Universitetin e Sofias, në Bullgari. Edhe aty Shabani ishte një nga studentët e dalluar.

Në përfundim të studimeve të plota universitare, më 1955, ai emërohet pedagog  në katedrën e Matematikës dhe Fizikës së Institutit të Lartë Pedagogjik 4-vjeçar të Tiranës, që ishte themeluar katër vite më parë.

Pas një kohe mjaft të shkurtër, në përgjigje të një propozimi të katedrës së Gjeometrisë së Universitetit të Sofjes, Shaban Baxhaku  u dërgua atje për të bërë dhe një vit studime, të ngjashme, me atë të çka më vonë u bë dega 5-vjeçare. Aty ai bëri profilizimin shkencor nën drejtimin e Akademikut Petkançin dhe fitoi diplomën universitare e cila në kushtet e sotme do të emërtohej ‘master’ ose ‘magjistër’.

Kthimi i tij në katedër, në vitin shkollor 1956-1957, në kushtet e një mungese të madhe të kuadrove mësimdhënëse, ishte një ngjarje e rëndësishme. Atij, që në fillim, iu ngarkuan disiplinat gjeometrike. Në vitin 1958, Shabani u dërgua për studime të plota aspiranture me shkëputje nga puna në Fakultetin  Mekanikes e Matematikes në Universitetin “Lomonosov”, në Moskë.  Në historinë e shkencave shqiptare matematike, Shabani ishte i pari i kësaj. Në katedrën e Gjeometrisë Diferenciale të Fakultetit Mekaniko-Matematik, dha me sukses të katër-ta  provimet. Në gusht të vitit 1961 ishte në përfundim të disertacionit me temë “Mbi disa kongruenca vijë përkulëta në hapësirën projektive”. Prishja në këtë kohë e marrëdhënieve me ish BRSS solli kthimin e tij në Atdhe, kështu që i mbeti puna e  papërfunduar. Studimet për këtë temë u përfunduan në Universitetin “Futan”, të Shangait, në vitin 1965.

Ai ishte i pari që shtroi idenë per organizimin e Olimpiadave Matematike Kombëtare, të niveleve të ndryshme.

Në vlerësim të  aktivitetit të tij të shumëanshëm dhe  shkencor, në vitin 1972, fiton titullin”Profesor”, të cilin e mbajti për 20 vjet.

Në diskutime të ndryshme lidhur me sistemin arsimor dhe me përmbajtjen e tij, mendimet e Shabanit për forcimin e formimit matematiko-natyror në të gjitha hallkat e shkollës, kanë qenë gjithmonë racionale dhe me ndikime pozitive. Edhe në periudhën e fundit të viteve të gjashtëdhjeta, kur nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez u shkurtuan afatet e studimit në shumë degë të Universitetit, Shabani ishte në krah të atyre që me argumente luftonin për të ruajtur afatet e të dyja degëve të  matematikës. Dihet që, me gjithë presionin e madh që i bëhej Fakultetit dhe Katedrës, për shkurtime, u arrit që afatet e studimit në këto dy degë të mos preken.

Për gati 35 vjet ka punuar në U.T, që nga themelimi në vitin 1957.

Nga dhjetori 1970 deri në dhjetor te 1976, ka dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës.

Shabani për shumë vite ka qenë zgjedhur në organet drejtuese të Fakultetit. Punoi si Dekan i FSHN-së gjatë viteve 1983-1988.

Shabani ka qenë nji nga lëvruesit e parë e të sukseshëm të kërkimeve gjeometrike në Shqiperi. Ka botuar mjaft artikuj e studime, ndër to dhe një studim të plotë për kongruencat vijëpërkulta në hapsirën projektive.

Në jetën relativisht të shkurtër të arsimit të lartë në Shqipëri, figura e doktorit të shkencave matematike, profesorit Shaban Baxhaku pa dyshim është një nga më të spikaturat.

Kishte hobi fotografinë, që në Moskë, por e praktikoi edhe në Tiranë. Po kështu i pëlqente shumë shahu.

Shabani rriti tre djem dhe pati fatin që arriti t’i shohë që të tre të shkolluarArturin-profesor të matematikës, Fatosin-historian e gazetar dhe Tanin-mësues i italishtes.

Shaban Baxhaku  nuk ka qenë vetëm një profesor e shkencëtar i dalluar në katedër e në grupin e gjeometrisë, por edhe atdhetar e dashamirës për progresin e vendit.

Profesor Shabani Baxhaku ndërroi jetë me 4 prill 1992.

(Dhënë për ADE nga Z.Fatos Bajraktari)