Sami Domni

Sami Domni

Ka lindur në vitin 1942 nga një familje tregtare elbasanase. Është pensionist tashmë, por për të nuk kanë rëndësi vitet që bart mbi supe. Ashtu i urtë, i palodhur ai e ka lidhur jetën përfundimisht me arsimin, veçanërisht me shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” ku ka punuar pa ndërprerje 30 vjet si mësues i vizatimit. Samiu edhe sot nuk shkëputet dot nga arsimi dhe veprimtaritë që lidhen me arsimin. Ai nuk le asnjë aktivitet arsimor pa ndjekur dhe dokumentuar. Shkon kudo pa u mërzitur dhe shpesh me shpenzimet e veta, nëpër shkolla të ndryshme, takime të mësuesve veteranë dhe efektivë, familje të arsimtarëve të ndryshëm, me qëllim që të plotësojë e sistemojë aktivitetin dhe jetën e tyre, ngritjen e këndeve fotografike të mësuesve dhe veprimtarëve elbasanas të arsimit.
Sot, ndonëse në moshë relativisht të thyer, mësues Samiu e vazhdon këtë punë me një përkushtim dhe dashamirësi të pabesueshme. Ai ka qenë ideatori dhe organizatori i ngritjes së muzeut te shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” i vlerësuar në nivel kombëtar për seriozitetin dhe rigorozitetin e treguar. Është autor i “Metodika e vizatimit, klasa V-VIII”, albumin historik “80 Vjetori i shkollës “Naim Frashëri”, librin “Pasaporta e shkollës”, ka botuar 172 artikuj me karakter metodik e studimor për arsimin, për të janë botuar në shtyp 18 shkrime vlerësuese, si dhe janë transmetuar 6 kronika televizive, ka botuar libërthin “Mirënjohje” për 115 mësuesit elbasanas me titujt “Mësues i Merituar” dhe “Mësues i Popullit”, duke na dhënë në mënyrë të përmbledhur jetëshkrimin e secilit prej tyre. Këtë botim modest, por me vlerë, unë jam me fat që e kam të dhuruar me autograf nga vetë mësues Samiu. Gjithashtu, ai ka krijuar këndin fotografik të gjithë drejtuesve të arsimit në vite të Elbasanit, që është ekspozuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale.
Sami Domni ka mbaruar fillimisht gjimnazin e Shkodrës për vizatim, por nuk mundi të vazhdojë më tej për shkak të biografisë. Fillon punë arsimtar në fshatin Mollas të krahinës së Sulovës për pak vite. Më pas kthehet në Elbasan dhe drejton Repartin e pikturës së moshave të vogla për 6 vjet. Arrin të përfundojë studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik në Elbasan. Për 26 vjet ai drejton komisionin metodik të lëndës së vizatimin në bazë rrethi. Ka qenë për 14 vjet anëtar i kolegjiumit të revistës “Pionieri” që shumë nga ne e mbajnë mend etj. Për punën e tij të Bashkia Elbasan e ka nderuar me titullin e nderit “Mirënjohja e qytetit”.
Nderimet dhe respektet tona për këtë qytetar vërtetë dinjitoz. Ç’duhet të bëj më shumë një njeri në jetën e tij për qytetin dhe arsimin?

Mblodhi: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Mars 2015.