Ndër shumë qytetarë të huaj dhe vendas që kanë marrë titullin “Qytetar Nderi” në Elbasan, rradhitet edhe një emër i nderuar në historinë e arsimit tonë kombëtar, por edhe i një atdhetari që i kaloi përmasat e një njeriu të zakonshëm në jetën e një qyteti apo të një vendi. Salih Iliaz Çeka, është i pari qytetar shqiptar nga Filati i Çamërisë që i jepet një titull i tillë në një qytet të Shqipërisë si Elbasani, që i njeh, u respekton dhe i vlerëson kontributet e njerëzve të shquar, pavarësisht se janë apo nuk janë elbasanas me taban.

Nē ditën e dhënies së titullit të nderit,  Shoqëria P.A. Çamëria, Shoqata Kombëtare Normalisti, Bashkia Elbasan dhe Këshilli i Qarkut organizoi  në atë ditë në  Teatrin “Skampa” një sesion shkencor me temë “Salih Çeka – Mësues I Popullit, Martir I Demokracisë”, ku u referua nga studiuesi Dr. Shkencave Sulë Dedej, nga kryenormalisti Kristaq Mullisi dhe studiuesi Ahmet Mehmeti, veç shumë përshëndetjeve dhe recitimeve të poezive për Çamërinë. Ndërkohë që kryetari I këshillit bashkiak I qytetit Elbasan, Shefqet Deliallisi i dorëzoi mbesës së Salih Çekës Zana Isufaj (Çini) titullin “Qytetar Nderi”.

Për ata që nuk e njohin një figurë të tillë, është me interes të themi se sudiuesi dhe historiani Sulë Dedej, ka shkruar edhe një monografi, ku ndër të tjera shkruan se “Salih Iliaz Çeka është një publicist, demokrat, veprimtar i arsimit kombëtar, “Mësues i Popullit” dhe Dëshmor i Kombit. Lindi në qytetin e Filatit të Çamërisë më 20 gusht 1892 në një familje atdhetarësh. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ; arsimin e mesëm në gjimnazin e Janinës më 1911. Duke përfituar nga bursat për studime që jepte Perandoria Osmane për nxënësit e shkëlqyer në mësime, më 1913 kreu Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Bezansonit në Francë. Në korrik 1913 vihet në dispozicion të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Më 27 shtator 1913 emërohet mësues në Normalen e Elbasanit, ku jep lëndët e pedagogjisë, psikologjisë dhe logjikës. Që nga ajo kohë, Salih Çeka kreu detyra të rëndësishme :

– Drejtor dhe inspektor i arsimit në Berat – 1916.

– Mësues në Normalen e Elbasanit – 1917.

– Sekretar në kryesi të kabinetit që doli nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes – 1920.

– Anëtar i Komisisë Arsimore – 1920.

– Drejtor i shkollës Normale të Elbasanit – 1921.

– Kryeinspektor i arsimit në Elbasan – 1922.

– Inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Elbasan – 1922.

– Inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë – 1923.

Salih  Çeka ka marrë pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si përfaqësues i Sulovës të qarkut të Elbasanit. Gjatë fushatës së zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese në dhjetor 1923, ishte anëtar I grupit politik “As i pashës, as i beut”. Pikpamjet e tij politike e shoqërore i shpalos në gazetën “Ku vemi ?” që e drejtoi dhe e botoi vetë nga numri i parë i saj më 12 janar 1924 e deri në nr. 20, më 19 tetor 1924. Parimet bazë të ndërtimit të shkollës së re shqiptare, Salih Çeka i ka shprehur në “Revistën pedagogjike”, të cilën ai e drejtoi nga numri i parë shtator 1922 deri në nr.11, në korrik 1923. Salih Çeka luftoi që arsimi fillor të ishte i detyrueshëm e të drejtohej nga shteti, të ishte i përgjithshëm, falas dhe i barabartë për djemtë dhe vajzat, si dhe të ishte laik. Në faqet e gazetës “Ku vemi ?” e të “Revistës pedagogjike”, si dhe në Kongreset Arsimore Kombëtare të viteve 1922 e 1924, që u mbajtën në Tiranë, Salih Çeka ka zhvilluar një polemikë të gjerë duke mbrojtur laicizmin e shkollës shqiptare. Në vitin 1920 Salih  Çeka botoi në Elbasan “Këndim i shpejtë e i shpjeguem për rendin III-IV të shkollave fillore”. Më vitin 1921 përshtati e botoi në Tiranë “Libri i parë i njehsimit” për shkollat fillore, rend i parë. Më 1923 botoi në Tiranë “Mësime mbi shkenca fizike e natyrore me zbatime në shëndetsi, bujqësi, në industri”, në dy pjesë. Të dy këta libra u ribotuan në Vlorë më 1927 dhe në Tiranë më 1928. Përveç këtyre botimeve, Salih Çeka ka bërë disa përkthime me karakter pedagogjik. Më 1 shkurt 1925 vritet në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës së Elbasanit nga reaksioni feudal dhe forcat obskurantiste të kohës”.

Vajza e tij e vetme që jetonte në kohën e dhënies së titullit “Qytetar I Nderit” , Mentare Çeka, që ndodhej e sëmurë në moshën 80 vjeçare në Kanada, përmes nipit të saj Hajro Çini, biri i disidentit të diktaturës, shprehu respektin e saj për anëtarët dhe drejtuesit e këshillit bashkiak dhe veçanërisht për kryebashkiakun Ardian Turku për këtë vlerësim që iu bë një njeriu që gjithë jetën e tij ia kushtoi demokratizimit të kombit shqiptar.

Për të gjithë atdhetarët shqiptarë që e nisën shekullin XX me një mesazh të madh që dha Pavarësia e Shqipërisë, në panteonin e njërëzve që erdhën nga Perëndimi Europian dhe që shkollimin e tyre e kthyen në një mision për t’i shërbyer kombit, futet edhe Salih Çeka, biri i Çamërisë dhe elbasanasi i viteve, kur ky burr kishte vlerat e vërteta të mbedhura bashkë. Në kujtesën e njërzve që e njohën dhe që e ruajtën në kujtesë mësuesin e talentuar, ka mbetur i skalitur fakti se Salih Çeka ishte një djalë trim i Çamërisë, i emancipuar dhe me një shpirt të madh demokrati dhe intelektuali që kujtohet më nderim dhe respekt nga studiuesit e historisë dhe veprave të personaliteteve të shquar të kombit tonë.

Eshtrat e Salih Çekës janë sot të vendosura në varresat e dëshmorëve të kombit në Elbasan, në shtëpinë ku ai ka jetuar dhe u familjarizua me një vajzë nga dera e mirë e Dedejve (motra e juristit të mirënjohur elbasanas Ibrahim Dedej) është e vendosur një pllakë kujtese me mbishkrim, ashtu si edhe në vendin ku ai u vra më 1 shkurt 1925 ndodhet lapidari në kujtim të këtij “Mësuesi të Popullit”, aq sa edhe vendi ku ai u varros në atë kohë ka marrë emrin “Kodra e Mësuesit”. Edhe shkolla e mesme industriale në Elbasan ka emrin e tij. Salih Iliaz Çeka është njëherazi edhe Nderi i Çamërisë, historia e së cilës është e mbushur me figura të shquara që lindi dhe edukoi ajo tokë e lashtë epirotase.

 

Nga Hyqmet ZANE