Sadefqar Mehmeti lindi në vitin 1562 në Elbasan. Dihet pak rreth jetës së tij private e më shumë rreth jetës së tij profesionale. Ai u përzgjodh nga një i dërguar i sulltanit, që në moshë të mitur dhe u dërgua më pas si “devshirme” në Turqi, duke shërbyer fillimisht në korpusin e jeniçerëve e më pas në detyra të tjera. Për një farë kohe shërbeu edhe si lulishtar. Kishte prirje edhe në fusha të tjera si në: muzikë, matematikë, gjeometri, punimin e sadefit etj.  Për pak kohë shërbeu edhe pranë administratës së kanalizimit të ujrave e më pas u bë pjesë e shoqatës së arkitektëve, “esnafët”.  Në   viset e perandorisë osmane ai ndërtoi shumë faltore, shatrivanë e ndërtesa të tjera e po ashtu riparoi Xhaminë e Madhe të Qabes në Arabi, por pavarsisht këtyre ai spikati për ndërtimin e një prej kryeveprave botërore të historisë së arkitekturës, “Xhaminë Blu” në Stamboll.

Në foto: çesme e ndërtuar në Elbasan nga Sadefqar Mehmeti

Në foto: çesme e ndërtuar në Elbasan nga Sadefqar Mehmeti

Ruga e tij artistike mendohet të ketë nisur që në kohën kur ai ishte lulishtar, sepse ky profesion nuk nënvlerësohej aspak në Stambollin e madh të asaj kohe. Më pas ai hoqi dorë nga kjo punë dhe filloi të merrej me punimin e sadefit, që përdorej për të zbukuruar e stolisur objekte luksi si: kuti, vegla muzikore etj. Ai u mor më vonë edhe me zbulim e burimeve ujore në male dhe shpërndarjen e ujit në qytet. Lidhur me këtë Evlia Çelebi shkruan: “vetëm shqiptarët e ushtrojnë këtë mjeshtëri të çuditëshme që arrihet me vështirësi nga aftësitë e njeriut”. Pra Sadefqar Mehmeti  mori shumë nga kjo zotësi e bashkatdhetarëve të tij dhe mësoi kështu teknikën e zbulimit të gurrave të ujit të pijshëm, grumbullimin e tyre dhe shpërndarjen në qytet. Përveç njohurive që mori, ai mësoi më shumë dhe u përsos në teknikën e ndërtimit. Ndërtoi në të gjithë perandorinë osmane shumë faltore, medrese, hamame, tyrbe, bujtina, çezma etj , për të cilat nuk kemi njohuri të mjaftueshme. Të gjitha njohuritë e tij mbi ndërtimin mendohet ti ketë marrë në shoqatën e esnafëve, që merrej me përgatitjen e inxhinierëve e arkitektëve. Thuhet se S.Mehmeti ka qenë nxënës i arkitektit të njohur Koxha Sinani. Në shek.XVII Mehmeti ishte kryetar i një shoqate të rëndësishme që kujdesej për ndërtime publike, private e shtetërore.

Aftësia e tij në ndërtim bëri që të ishte ai  arkitekti i përzgjedhur nga  Sulltan Ahmeti për ndërtimin e një xhamie në hipodromin e Stambollit. Sedefqar Mehmeti në këtë periudhë ishte në moshën 45 vjeçare dhe me  një famë të madhe profesionale. Ndërtimi i xhamisë filloi në vitin 1609 dhe mbaroi në vitin 1616, pra për 7 vite, gjatë të cilave u punua intensivisht me turne dhe rezultati doli një kryevepër. Arkitekti sajoi elementët strukturalë si shtyllakët e qemerët mbi të cilët u vendos qiellza e kubesë qendrore, me një pamje sa të madhe, aq edhe të lehtë, në harmoni me efektet e brendëshme dhe dritaret nëpër mure. Xhamia ishte ndërthurje e pamjes dhe e cilësisë.

Përsa i përket kontributit të tij në qytetin e lindjen, në Elbasan, udhëtari turk Evlia Çelebi, i cili vizitoi Shqipërinë në verën e vitit 1670, shprehet kështu: ” dyzet nga këto kroje janë vepër bamirësie e kryearqitektit që ka ndërtuar xhaminë e re në sheshin e Hypodromit, në Stamboll”, duke kuptuar ndërtimin e 40 çesmave në Elbasan. Këto çesma kishin të gjitha të njëjtën mënyrë ndërtimi: me dy kolona, tuba shkarkimi me pllakë guri  e plumbi, me një pllakë fajanse në kolona, në të cilën ishin mbishkrime që i njihnin atributet e ndërtimit pikërisht Sadefqar Mhemetit.  Një çesme të tillë, që i ka rezistuar kohës e kemi edhe sot në sheshin qendror, pranë Bazilikës së Elbasanit. Mendohet të ketë vdekur  pas vitit 1622.