Mund të thuhet pa mëdyshje se qyteti i Elbasanit lindi si rezultat i kësaj rruge dhe nëse do të shkatërrohet si qytet, kjo do të ndodhë vetëm nëse kjo rrugë nuk do të funksionojë më.

Rruga mori emrin e realizuesit të kësaj vepre gjigande të antikitetit, i cili ishte gjykatësi romak në Selanik i quajtur Cnaeus Egnatius, i biri i Caius prokonsull në Selanik. Pra, u ndërtua nga romakët për qëllime ushtarake dhe tregtare gjatë mësymjeve të tyre në Iliri, Maqedoni, Greqi e tutje. Për herë të parë këtë rrugë e përmend Polibi në vitin 120 p.e.s. dhe më pas Straboni. Ky i fundit thotë se rruga kishte dy degëzime, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Apollonia (ka mendime të ndryshme edhe për një linjë tjetër nga Vlora). Po nga Straboni mësojmë se një pjesë e rrugës quhej rruga e Kandavisë (Kandavia quhej atëhere një mal me emër ilir në malësinë e Polisit të Elbasanit). Kjo rrugë, është vazhdim i rrugës Apia dhe niste me itinerarin:  RomëBeneventumBrindizi (Itali) – deti Adriatik Iliria, Maqedonia, Greqia e dilte në Azinë e Vogël e deri në Persi. E gjatë 535 milje dhe e gjerë 30 këmbë (1 këmbë = 30,5 cm), kjo rrugë u ndërtua me kalldrëm dhe shërbente edhe për transport udhëtarësh dhe mallrash. Përgjatë saj kishte sheshe dhe vendpushime të ngjashme me stacionet e sotme. Burimi më i besuar deri më sot mbi këtë rrugë është Itinerari i Bordosë, që është shkruar nga një murg i panjohur në vitin 333 e.s. gjatë kthimit të tij nga Jeruzalemi. Ai ka shënuar stacionet dhe distancat nga njëri stacion te tjetri. Distancat janë matur me udhëtime gjysmëdite. Stacionet ku ka fjetur i ka shënuar si “mansio” dhe ato ku ka ndërruar kuajt si “mutatio”. Mendohet se stacionet ishin 30-40 milje larg njëri-tjetrit dhe shërbenin për shlodhje, ushqim, shërbime për karrot dhe kuajt etj.

Kjo rrugë që kalon edhe nëpër Elbasan, zë fill në Durrës me dy degëzime, njëra të shpie në Apoloni dhe dega tjetër vijon përgjatë bregur të Adriatikut: Ura e Dajlanit – Shkëmbi i Kavajës – Kavajë, kalon lumin e Darçit mbi një urë-Hani i Gorës – Bishti Zhurit – Peqin – Çobanaj – urë. Nuk ka shenja për stacione të mundëshme nga Durrësi deri në Peqin. Ndërsa nga Peqini deri në Elbasan ka vetëm një stacion i quajtur Add Quintum i cili ndodhet në fshatin Bradashesh dhe ruhet në një gjendje të mirë.

Stacioni i rrugës antike Egnatia në Bradashesh

Stacioni i rrugës antike Egnatia në Bradashesh

Ura e Kamaresnë fshatin Mirakë të Librazhdit

Ura e Kamaresnë fshatin Mirakë të Librazhdit

Më pas Egnatia futej në Elbasan mbi një urë guri në përroin e Zaranikës dhe “triumfalisht e përshëndeste” kalanë me hyrje në portën perëndimore të saj. Pasi përshkon mes për mes atë, del në portën lindore për të vazhduar tek Rrapi i Bobolles e më pas në luginën midis Teqesë së Madhe (Rrapi i Mansit) dhe Krastës – Mengël – Labinot-Fushë – deri në Mirakë (mansio Genesis). Për shkak të terrenit të vështirë, kjo udhë i shmanget rrjedhës së djathtë të Shkumbinit nëpërmjet Urës së Haxhi Beqarit (mutattio Freicto) duke u ngjitur nëpër male: Babje – Spatharë – Dardhë – Gurrat e Zeza – Qukës (Tres Tabernas) – kalon sërish lumin Shkumbin – Fusha e Torvjollit – Prrenjas – Qafë-Thanë (mansio Claudanon) e më tej në Strugë – Ohër – Manastir – Selanik (Greqi) dhe vijon në Stamboll e përtej. Degëzimi i Apollonisë bashkohet me pjesën kryesore pikërisht në qytetin e Peqinit (Klodiana antike).
Për t’u lidhur me këtë “superstradë” të kohës kishte edhe mjaft rrugë dytësore që zanafillonin nga brendësia e krahinave tona. Një e tillë vinte nga Berati dhe pasi kapërcente me një urë lumin Devoll, futej në zonën e Dumresë (Belësh-Shalës-Cërrik-Shirgjan-Kuqan-Topçias) dhe bashkohej me magjistralin kryesor pikërisht në lumin Shkumbin ku ka qenë ndërtuar edhe një urë, bazamentet e së cilës ndonëse të rrënuara ruhen ende në shtratin e këtij lumi, pikërisht ku bashkohet derdhja e përroit të Zaranikës me Shkumbinin. Nëndegëzime të tjera kjo rrugë ka pasur edhe në zona të ndryshme të Elbasanit.
Segmente të shkëputura të kësaj udhe më famë botërore ruhen ende në gjendje të mirë në fshatin Babje të Librazhdit. Duhet thënë se, pjesërisht kjo rrugë nga Elbasani deri në Qukës u riparua nga ushtria italiane gjatë luftës -II- Botërore dhe u përdor prej tyre për t’iu shmangur avionëve bombardues grekë, gjatë konfliktit me Greqinë në vitin 1941.

Përgatiti: B.Dylgjeri, Elbasan, shtator 2014.