MAJLINDA PEZA – PERRIU

Elbasani e feston gabimisht pavarësinë në datën 25 nëntor 

Çfarë mund të na thoni përsa i përket dy dokumenteve të ngjashëm (deklatara e pavarësisë së Elbasanit) që keni përmendur edhe në artikullin tjetër të botuar në tetor 2014 ?

Dokumentin që ndodhet në bustin e Aqif Pashës, ka disa vite që e kanë cilësuar si deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Elbasanit. Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, ky dokument nuk ka ekzistuar në ndonjë fond të veçantë në Arkivin Qëndror Shtetëror para vitit 2006, por sipas ish drejtoreshës së AQSH është dorëzuar në Arkivin e Shtetit në vitin 2006 nga Ramiz Avduli (historian shqiptaro-maqedonas) dhe rezulton si dokumenti i parë i nxjerrë nga arkivat e Beogradit. Ndërsa, dokumenti tjetër po me të njëjtën përmbajtje është botuar nga historiani shqiptaro-maqedonas Skënder Hasani në vitin 2008, si një zbulim për herë të parë sipas tij, gjetur dhe ai në një mikrofilm në arkivat e Beogradit. Nga krahasimi që i është  bërë të dy dokumenteve të sipër përmendur konstatojmë se, përmbajtja e tyre është e njëjtë, porse në to duken qartë shenjat dhe gjurmët e disa ndërhyrjeve që janë bërë në pjesën e sipërme ku jepen të dhëna, si data, apo emërtimi i dokumentit etj. Në këtë kuadër po i pasqyrojmë të dy dokumentet bashkëngjitur me njëri tjetrin që edhe lexuesit të informohen rreth problematikave që ato shfaqin. Dokumenti i parë është më i qartë se i dyti, por kjo nuk përbën ndonjë problem sepse përmbajtja e tyre është identike.

 

Dokumenti i dorëzuar në AQSH në 2006 nga Ramiz Avduli (historian shqiptaro-maqedonas) dhe rezulton si dokumenti i parë i nxjerrë nga arkivat e Beogradit, Arkivi Digjital Elbasan

Dokumenti i dorëzuar në AQSH në 2006 nga Ramiz Avduli (historian shqiptaro-maqedonas) dhe që rezulton si dokumenti i parë i nxjerrë nga arkivat e Beogradit.

Dokumenti tjetër po me të njëjtën përmbajtje është botuar nga historiani shqiptaro-maqedonas Skënder Hasani në vitin 2008, si një zbulim për herë të parë sipas tij, gjetur dhe ai në një mikrofilm në arkivat e Beogradit, Arkivi Digjital Elbasan

Dokumenti tjetër po me të njëjtën përmbajtje është botuar nga historiani shqiptaro-maqedonas Skënder Hasani në vitin 2008, si një zbulim për herë të parë sipas tij, gjetur dhe ai në një mikrofilm në arkivat e Beogradit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në të dokumentet evidentohen gjurmë të ndërhyrjeve apo fshirjeve.

  • Më konkretisht, në dokumentin e parë (që është edhe në bustin e Aqif pashë Elbasanit), është e dukshme data 2 vjeshtë e tretë 912 dhe poshtë saj data 25-XI, ( çuditërisht për atë kohë, muaji nëntor jepet i shënuar me numër romak XI, ndërkohë që në dokumentet e asaj periudhe nuk rezulton te jenw pwrdorurr numra romakë ), ndërsa në dokumentin tjetër(të Skënder Hasanit) data 25 nëntor nuk ekziston.
  • Në asnjë prej tyre nuk ka emra të firmëtarëve.
  • Gjithashtu, duhet theksuar fakti se gjuha zyrtare e shkrimit në atë periudhë ishte osmanishtja, me të cilën shkruheshin të gjithë dokumentet e asaj kohe. Të dy dokumentet që disponojmë rezultojnë në gjuhën shqipe. Po origjinali në çfarë gjuhe është ? Pra lind pyetja se në çfarë gjuhe është shkruar nga paria e Elbasanit një deklaratë pavarësie që do t’i bëhej e njohur autoriteteve ushtarake serbe që pritej të pushtonin Elbasanin në nëntor 1912; në osmanisht, në shqip apo në serbisht ? Ndërkohë, që dëshmohet fakti se kjo deklaratë është lexuar edhe nga komandanti serb.
  • Ndërkaq, studiues të gjuhës shqipe në Universitetin e Elbasanit, janë të mendimit se dialekti me të cilën janë shkruar dy dokumentet, nuk përngjason me elbasanishten, por me tepër ka ngjashmëri me gegërishten e veriut. Duke u nisur edhe nga ky fakt, mendoj se teksti i kësaj deklarate është formuluar në Vlorë, ndoshta nga Luigj Gurakuqi dhe sikurse dëshmohet i është dërguar telegrafisht Elbasanit.
  • Përmbajtja e të dy dokumenteve rezulton e njëjtë, por duket se teksti nuk është shkruar nga e njëjta dorë, nëse e shikon me kujdes, paragrafë të ndryshën brenda tekstit nuk kanë të njëjtën kaligrafi.

Natyrisht, këto janë probleme që mund t’i evidentojë çdo njeri i vëmendshëm që i shikon këto dokumente qoftë edhe njëherë dhe për më tepër çdo studiues i kësaj fushe.

 

A pasqyrohet në dokumentacion vendas  fakti i  hartimit të një deklarate të tillë ?

 

Fatmirësisht, përmes burimeve të nxjerra nga fondi Lef Nosi, pasqyrohet historiku i hartimit të kësaj deklarate apo shkrese(sikurse cilësohet në to), e më komkretisht përmes analizës së studimit dhe të krahasimit të dokumentacionit përkatës të kësaj periudhe dhe përmbajtjes se tekstit të këtij dokumenti.

  • Lidhjet telegrafike të kohës ndërmjet Elbasanit dhe Vlorës, dëshmojnë në favor të faktit se dokumenti që konsiderohet si deklarata e Pavarësisë së Elbasanit është hartuar në 28 – 29 nëntor 1912, me kërkesën e Ismail Qemalit nga Vlora, pasi në Elbasan ishte ngritur flamuri dhe ishte shpallur Pavarësia në 28 nëntor 1912). Kjo deklaratë hartohet nga Elbasani me të vetmin qëllim; për t’ia dorëzuar ushtarakëve serbë që priteshin të vinin në Elbasan dhe fakti që ky dokument është gjendur vetëm në arkivat e Beogradit, konfirmon më së miri qëllimin e hartimit të saj.

Ndërkaq, në favor të qëllimit të hartimit të deklaratës nga Elbasani rezultojnë burimet vendase.

Kështu, në natën e 28 nëntorit 1912 ndërmjet orës 4-5, që përkon me mëngjesin e dt. 29 nëntor,  nga Vlora i është kërkuar Elbasanit të ngrihet një komision dhe të formulohet një shkresë e firmosur prej Këshillës Administratore të Elbasanit për t’ja dorëzuar komandantit të ushtrisë serbe në Ohër., ku t’i bëhet e njohur se Elbasani si e gjithë Shqipëria ka shpallur independencën.

Telegraf dërguar parisë së Elbasanit nga Ismail Qemali në Dt. 28 Nëndor 1912 ndërmjet orës 4-5 të mëngjesit. Arkivi Digjital Elbasan

Telegraf dërguar parisë së Elbasanit nga Ismail Qemali në Dt. 28 Nëndor 1912 ndërmjet orës 4-5 të mëngjesit.

Me kërkesën e Taq Budës, Hasan Mezes dhe z. Cilka, drejtuar Luigj Gurakuqit në Vlorë, kërkohet që kjo shkresë të shkruhet nga Ismail Qemali dhe t’i dërgohej telegrafisht Elbasanit nga Vlora, pikërisht për të shmangur ndonjë incident diplomatik. Në këtë telegram, nuk përmendet ekzistenca e ndonjë deklarate apo dokumenti tjetër të pavarësisë.

Telegraf i dërguar nga Zotërinjte Buda, Cilka dhe Meze, Luigj Gurakuqit në Vlorë, në datë 28 Nëndor 1912 (1). Arkivi Digjital Elbasan

Telegraf i dërguar nga Zotërinjte Buda, Cilka dhe Meze, Luigj Gurakuqit në Vlorë, në datë 28 Nëndor 1912. (2). Arkivi Digjital Elbasan

Telegraf i dërguar nga Zotërinjte Buda, Cilka dhe Meze, Luigj Gurakuqit në Vlorë, në datë 28 Nëndor 1912.

Komisioni përfaqësues i Elbasanit i dorëzon deklaratën (shkresën) kapitenit serb në 29 nëntor 1912.

  • Kontaktet e shumta telegrafike midis Elbasanit dhe Vlorës dëshmojnë se, një pjesë e tekstit të kësaj shkrese i dërgohet telegrafisht Elbasanit nga Vlora, në 29 nëntor 1912.(Lef Nosi, dokumenta historike, f. 108)
  • Duke ju referuar bisedës telegrafike të telegrafistit të Elbasanit Hasan Osmanait, i cili pohon që ka qenë së bashku me komandantin(togerin) serb në Qukës në 29 nëntor 1912, thuhet se: “Rrugës hasëm me komisionin [e Elbasanit] i cili i dha shkresën për me e këndue. Atje ke undodhëm në malt, togeri serb mbajti një fjalë dhe thirri: Rroftë Shqipnia!

E përbashkëta në deklaratën e pavarësisë që mban datën 25 nëntor 1912 dhe telegramin që Hasan Osmanai i dërgon Vlorës është shprehja:  Rroftë Shqipnia dhe nëse pranojmë sikurse dëshmohet që deklarata ekzistuese e  pavarësisë dhe dokumenti që përcaktohet me fjalën shkresa (që cilësohet në telegram) janë i njëjti dokument, rrjedhimisht i përkasin datës 28 nëntor 1912.

Bisedë midis telgrafistëve elbasanas dhe delegatëve të Elbasanit në Vlorë 29. 12 1912 (1), Arkivi Digjital Elbasan

Bisedë midis telgrafistëve elbasanas dhe delegatëve të Elbasanit në Vlorë 29. 12 1912 (2), Arkivi Digjital Elbasan

Bisedë midis telgrafistëve elbasanas dhe delegatëve të Elbasanit në Vlorë 29. 12 1912.

Për më tepër, duke kaluar në analizën e tekstit të  dokumentit me datë 25 nëntor, rezulton se përmbajtja e tij  nuk përkon me zhvillimet politike të ngjarjeve jo vetëm në Elbasan por edhe në shkallë kombëtare.

  • Çdo njohës i mirë i historisë së periudhës së pavarësisë, nëse do të lexonte përmbajtjen e deklaratës së pavarësisë së Elbasanit, do të çuditej rreth faktit se, në 25 nëntor 1912, (kur akoma nuk dihej se çfarë do të ndodhte në Vlorë, nëse do të arrihej të shpallej apo jo pavarësia), Elbasani prononcohet në emër të qyteteve shqiptare, duke deklaruar shkëputjen nga Mbreterija Otomane dhe duke u renditur kështu përkrah kombeve të lira. Por, ndërkaq theksojmë se një deklaratë e tillë, përkon më së miri me zhvillimet politike në Elbasan dhe në Shqipëri pas shpalljes së pavarësisë(28-29 nëntor 1912)
  • Duke vazhduar më tej në përmbajtjen e deklaratës së pavarësisë së Elbasanit, konstatohet fakti i krijimit të një Qeverie të Përkohshme sikurse thuhet aty përmes fjalëve: “ Ç’do shqipëtar ose i huaj, ndën këtë qeverië Shqipëtare do të mundi të rroi lirisht …”. Pyetja që lind, ka të bëjë me faktin, se cilës qeveri i referohet deklarata e pavarësisë së Elbasanit, kur në 25 nëntor 1912 nuk rezulton të jetë formuar ndonjë qeveri shqiptare dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe ajo e Elbasanit dokumentohet që janë formuar në 28 nëntor 1912.
  • Ndërkaq, përmes kësaj deklarate të pavarësisë së Elbasanit, parsqyrohet gjithashtu edhe orientimi diplomatik i shqiptarëve apo shtetit shqiptar, duke u shprehur se, edhe na kemi ndërmend të rrojmë vëllazërisht edhe me qeveritë fqinje…., duke ju kërkuar atyre ndihmë në vetqeverimin tonë, madje sikurse thuhet aty, duke i falenderuar fqinjët e Shqipërisë që ndihmuan në rrëzimin e qeverisë otomane, (ndërkohë që në 25 nëntor 1912, akoma nuk ishte shpallur shkëputja nga Perandoria Otomane). Për më tepër, njoftimi për t’i konsideruar ushtritë e shteteve ballkanike si miq, i dërgohet Elbasanit pas dt. 28 nëntor 1912, që përfaqësonte gjithashtu edhe qëndrimin zyrtar në politikën e jashtme të Qeverisë së Vlorës.
  • Nëse i referohemi tekstit të këtij dokumenti që cilësohet si deklarata e pavarësisë së Elbasanit, mendoj që kjo deklaratë nuk ka lidhje me datën 25 nëntor 1912 por me datat 28-29 nëntor 1912 dhe fare mirë nëse në të nuk do të përmendej emri i Elbasanit,  mund të vlerësohej nga historianët si deklarata e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, sikurse thuhet edhe në krye të këtij dokumenti: “ Shpallje për vetëqeverimin e Shqipëniës”.

Por, faktikisht ekzistojnë dy dokumente dhe nëse pranojmë si të besueshëm të dy dokumentet, që sipas atyre që i kanë gjetur, të dy kanë dalë nga arkivat e Beogradit, rrjedhimisht duhet të pranojmë faktin se Elbasani në 29 nëntor 1912 i ka dorëzuar komandantit serb dy dokumente apo shkresa, pra dy deklarata pavarësie, njera që ka një datë 25-XI dhe tjetra pa këtë datë, sepse përmbajtja e tyre rezulton e njëjtë. Pavarësisht se ekzistojnë dy deklarata të pavarësisë së Elbasanit dhe ajo që mban dt. 25 nëntor sikurse e kemi parashtruar më lart nuk përkon me zhvillimet e ngjarjeve në Elbasan dhe në Vlorë, mendojmë se më afër dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve në atë kohë qëndron dokumenti tjetër, ai pa datën 25 nëntor 1912.

A është marrë në konsideratë nga institucionet e fushës përkatëse teza e parashtruar prej jush?

Me aq sa di unë, deri më sot jo vetëm që nuk është marrë në konsideratë, por nuk ka pasur as edhe ndonjë përpjekje prej institucioneve përkatëse, për tu informuar dhe për të diskutuar rreth këtij problemi kaq të rëndësishëm që ka të bëjë me historinë e këtij qyteti. Për sa kohë që intitucionet përkatëse nuk kanë arritur të hulumtojnë në arkivat ku thuhet se gjendet deklarata e pavarësisë së Elbasanit, për të gjetur origjinalin dhe për të ditur më shumë, teza që ne parashtrojmë qëndron më afër të vërtetës historike. Nuk përjashtohet mundësia që të dalin edhe dokumente të tjera që, ose mund ta përforcojnë edhe më shumë një tezë të tillë por edhe mund ta lëkundin atë, e tillë është historia, atë e bëjnë dokumentet dhe jo dëshirat e mira.

Si mendon a duhet ta festojë Elbasani pavarësinë në 25 nëntor 1912 ?

Ky është një problem që nuk di se çfarë të them, jo se nuk kam se çfarë të them, por kjo është një çështje që vlerësohet dhe përcaktohet nga institucionet dhe jo nga individët. Elbasani ka shumë vite që e feston pavarësinë e qytetit në 25 nëntor 1912, dhe mendoj se është shumë e vështirë të heqë dorë nga një traditë e tillë. Por ajo, për të cilën jemi të sigurtë është fakti se në 25 nëntor 1912 në Elbasan nuk është ngritur flamuri dhe këtë, nuk e kam thënë unë për herë të parë. Në se do vijojmë sipas kësaj logjike, rezulton që pavarësisht se në  Elbasan pavarësia festohet në 25 nëntor 1912, flamuri nuk është ngritur ndonjëherë në këtë datë në nëntor të vitit 1912. POR A KA PAVARËSI PA FLAMUR !!!!!