Majlinda (Perriu) Peza

TIRANE- Në kuadrin e procesit të rishkrimit të historisë Studiuesja Majlinda Peza botoi një artikull në gazetën Shqiptarja.com, ku bëri prezente disa materiale historike që dokumentojnë ngritjen e flamurit në Elbasan dhe shpalljen e pavarësisë në këtë qytet jo në 25 nëntor 1912 që përfaqëson versionin zyrtar të historigrafisë së sotme, por në 28 nëntor 1912. Nxitur nga ky botim dhe për të zbuluar edhe disa fakte të tjera surprizë rreth kësaj ngjarje historike ne zhvilluam me historianen majlinda peza këtë intervistë.
Elbasani ishte qyteti i parë që pranoi Pavarësinë në 25 nëntor 1912
Znj. Peza, a mund te na thoni ku jeni mbështetur në parashtrimin e kësaj teze?
Së pari, dua të theksoj faktin se parashtrimi i një teze të tillë, nuk është diçka e rastit, por është rezultat i një pune kërkimore disa vjeçare në arkivat shqiptare, që më së shumti është realizuar përmes shfrytëzimit të  dokumentave  arkivore të botuara dhe të pabotuara vendase dhe të huaja dhe gjithashtu përmes konsultimit me profesorë dhe specialistë të fushës së historisë. Në këtë kuadër, mendoj se ajo çfarë i favorizon dhe i ndihmon studiuesit e sotëm në shkrimin e historisë (në raport me ata të periudhës moniste) është gama e gjerë e dokumentacionit historik, hapja e arkivave shqiptare për të gjithë, shfrytëzimi i arkivave të huaja, sepse duhet thënë se manipulimi që i është bërë edhe dokumentave arkivore para viteve ’90, ka ndikuar negativisht në pasqyrimin me objektivitet të histories sonë.

Ndërkaq, theksojmë se një dokument historik qoftë edhe i arkivave, nuk mund të trajtohet i shkëputur nga kuadri historik i zhvillimit të ngjarjeve për periudhën dhe problematikën që trajtohet. Së pari, dokumenti duhet parë në raport me të gjithë dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve dhe së dyti, duhet vlerësuar në kontekstin krahasues me dokumentacionin përkatës ekzistues. Pikërisht duke respektuar me rigorozitet të plotë kriteret e pasqyrimit dhe shkrimit të historisë, teza që ne parashtrojmë për këtë problem, mendojmë se qëndron më afër të vërtetës objektive historike. Qytetarët e Elbasanit duhet të dinë të vërtetën e historisë së qytetit të tyre, por të zhveshur nga deformimet apo ngjyrimet emocionale qytetare.

Në këtë kuadër duhet thënë se, deri më sot na rezulton se studiuesit nuk disponojnë ndonjë dokument që të dëshmojë ngritjen e flamurit në Elbasan në 25 nëntor 1912, ndërsa pavarësia e Elbasanit në nëntor 1912 është e lidhur me dy  data:
Së pari, 25 nëntori 1912, datë në të cilën është shprehur përkrahja dhe mbështetja ndaj Ismail Qemalit në nismën e ndërmarrë prej tij për organizimin e Kuvendit Kombëtar në Vlorë. Në këtë datë, paria e qytetit është prononcuar për pranimin e pavarësisë përmes telegramit dërguar Vlorës ku thuhet se: “Gjithë populli ynë, myslimanë e të krishtenë, me nji za  kan pranue independencën e Shqipniës”.

Theksojmë se, ky është i vetmi dokument që është marrë në konsideratë nga studiuesit në vitin 1963, për të arritur në konkluzionin se Elbasani e shpalli i pari pavarësinë në 25 nëntor 1912. Ndërkaq, akti i pranimit të pavarësisë në 25 nëntor 1912, ndriçon edhe një aspekt tjetër, dhe është tregues i kapaciteteve juridiko politike të elitës politike të këtij qyteti, që lidhet me faktin se, parimisht nuk mund të vlerësohet  koncepti i pavarësisë lokale para asaj kombëtare. Por në rrethanat e krijuara në nëntor 1912, ngritja e flamurit nga qytetet shqiptare më parë se në Vlorë, konsiderohej si një zgjidhje politike mëse e pranueshme dhe e domosdoshme. Gjithashtu, theksojmë se edhe dokumentacioni i kësaj periudhe që më së shumti përfaqësohet nga telegrame që i dërgoheshin Vlorës, në të cilat qytetet që kishin ngritur flamurin deklaronin se kishin shpallur pavarësinë më parë se në Vlorë, mbetet për tu interpretuar në aspektin nëse, këto telegrame parakuptonin pranimin e pavarësisë apo shpalljen, ndërkohë që pavarësia nuk ishte shpallur në shkallë kombëtare.

Së dyti, data tjetër që lidhet me pavarësinë e Elbasanit, është 28 nëntori i vitit 1912. Në mbasditen e kësaj dite, në Elbasan ngrihet flamuri, shpallet pavarësia, krijohet Qeveria e Përkohshme Lokale e Elbasanit dhe organizohet milicia. (Dokumentet përkatëse i kam botuar te Shqiptarja. com, dossier tetor 2014). Ky informacion na vjen përmes bisedës telegrafike midis telegrafistëve të Elbasanit nga njëra anë dhe Lef Nosit e Shefqet Daiut nga ana tjetër, që në mbasditen e 28 nëntorit 1912 gjendeshin në Vlorë, kur sapo po hapej Kuvendi Kombëtar. Përmes kësaj bisede, konstatojmë faktin se në mbasditen e 28 nëntorit flamuri në Elbasan akoma nuk ishte ngritur dhe Lef Nosi i kërkonte Elbasanit ngritjen sa më shpejt të flamurit. Pikërisht, këto ngjarje në Elbasan ndodhin pothuajse në të njëtën kohë me hapjen e Kuvendit Kombëtar në Vlorë.

Bisedë midis delegatëve të Elbasanit në Vlorë dhe telegrafistëve elbasanas, 28 Nëndor 1912, Arkivi Digjital Elbasan

Bisedë midis delegatëve të Elbasanit në Vlorë dhe telegrafistëve elbasanas, 28 Nëndor 1912

Për më tepër, duke ju referuar burimeve austro hungareze, rezulton se të parët qytete që shpallën pavarësinë për ta vënë para faktit të kryer ushtrinë serbe ishin Durrësi dhe Tirana. Në dokumentet austro – hungareze thuhet se : “…qytetet e Tiranës dhe të Durrësit ishin të parët, që pavarësisht zhvillimeve në Vlorë, proklamuan lirinë e Shqipërisë dhe ngritën flamurin kombëtar shqiptar. … me këtë lëvizje janë bashkuar të gjitha zonat e rrethit të Durrësit dhe Elbasanit”.(Raport i nënkonsullit Rudnay Durrësi për kontin Berchtold dhjetor 1912).

A është botuar më parë dokumenti që dëshmon ngritjen e flamurit në Elbasan në mbasditen e 28 nëntorit 1912?
Dokumenti në fjalë së bashku me dokumente të tjerë të kësaj periudhe rezulton i botuar që në vitin 1963 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, me rastin e 50 vjetorit të pavarësisë. Por, ky dokument nuk është i plotë, pasi në të nuk pasqyrohen emrat e personave që komunikojnë telegrafisht ndërmjet Elbasanit,(Hasan Osmanai dhe Mahmud Nedim Hakani) dhe përfaqëuesve të Elbasanit në Vlorë( Shefqet Daiu dhe Lef Nosi). Pikërisht, sikurse shihet një ndër këta emra është edhe ai i Lef Nosit, që natyrisht për qëndrimin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore u dënua me pushkatin në vitin 1946 dhe emri i tij, nuk mund të pasqyrohej në një dokument të tillë. Madje nuk e teprojmë nëse shprehemi se ndoshta, për shkak të ekzistencës së emrit të tij, dokumenti i dt. 28 nëntor 1912 nuk marrë në konsideratë dhe nuk është vlerësuar objektivisht si dokumenti i pavarësisë së Elbasanit.

Në vitin 1963, studiuesi Stefanaq Pollo pasi është konsultuar me të dy dokumentet (telegramin që mban datën 25 nëntor dhe telegramin tjetër të datës 28 nëntor 1912), ka arritur në përfundimin se Elbasani e shpalli i pari pavarësinë në 25 nëntor 1912. Por gjithashtu studiuesi Pollo, (duke ju referuar telegramit të Ismail Qemalit në 28 nëntor 1912 që i kërkonte Elbasanit të shpallte pavarësinë) pranon se, flamuri në Elbasan është ngritur në 28 nëntor 1912 dhe jo në 25 nëntor 1912. Ndërkaq, çuditërisht në të gjithë botimet e vëllimeve të Historisë së Shqipërisë që nga vitit 1965 e deri më sot, nuk pasqyrohet ky fakt. Pra, në asnjë prej këtyre botimeve si para ashtu dhe pas viteve ’90, nuk shkruhet që Elbasani e ngriti flamurin në 28 nëntor 1912, krahas pohimit se Elbasani shpalli i pari pavarësinë në 25 nëntor 1912.

Një përcaktim të tillë e gjejmë në botimin e vëllimit të dytë të Historisë së Shqipërisë nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë në vitin 1965, faqe. 359). Të njëjtin përcaktim e gjejmë edhe në botimin Akademisë së Shkencave të vitit 2002, vëllimi i dytë (faqe. 510), ku rezulton që materiali i parashtruar për pavarësinë në këtë faqe, jo vetëm nuk është rishikuar  apo përpunuar, por nuk ka ndonjë ndryshim nga ai i vitit 1965. Për më tepër, si në botimin e vitit 1965 dhe të atij të vitit 2002, edhe data e shpalljes së pavarësisë së Peqinit rezulton jo e saktë (Peqini e ka ngritur flamurin në 26 nëntor dhe jo në 27 nëntor sikurse jepet aty).

Telegrafi mbi ngritjen e flamurit në Peqin, date 27 Nëndor 1912 (1)

Telegrafi mbi ngritjen e flamurit në Peqin, date 26 Nëndor 1912 (1), Arkivi Digjital Elbasan (2), Arkivi Digjital Elbasan

Telegrafi mbi ngritjen e flamurit në Peqin, date 27 Nëndor 1912 (2)

Si mendoni ju,a kishte kapacitete intelektuale Elbasani dhe a kishte mundësi për ta ngritur flamurin në 25 nëntor 1912? 
Duke u shprehur jo vetëm si qytetare, por edhe si studiuese unë jam e bindur që po, Elbasani mund ta ngrinte flamurin në këtë datë, por faktikisht nuk disponojmë ndonjë dokument të tillë. Për më tepër, sikurse do ta parashtroj edhe më poshtë, fakti që Elbasani nuk e ngriti flamurin deri sa u sigurua për hapjen e Kuvendit Kombëtar  në Vlorë ishte një qëndrim i paramenduar mirë, madje mund të themi që një qëndrim i tillë, pasqyronte një veprim taktik të përvijuar qartë nga elita politike e këtij qyteti.

A ka ndonjë lidhje midis zhvillimit paralelisht të ngjarjeve në Vlorë dhe në Elbasan në mbasditen e 28 nëntorit 1912?  
Duke ju referuar shqyrtimit të hollësishëm të dokumentcionit përkatës brenda kuadrit historik të krijuar në nëntor 1912, theksojmë se protagonistët kryesorë të këtij qyteti pritën deri në momentin e hapjes së Kuvendit Kombëtar në Vlorë për të ngritur flamurin në Elbasan, ndërkohë që mund ta ngrinin flamurin edhe në datat 25 26 27 nëntor 1912. Tashmë është i njohur fakti se, Ismail Qemali nuk ishte i vetmi në veprimtarinë e tij për krijimin e shtetit shqiptar. Me fillimin e Luftës së parë Ballkanike, në krye të nismës për krijimin e një shteti shqiptar, qëndronte kushëriri dhe njëkohësisht dhe rivali i tij Syrja Bej Vlora së bashku me të birin e tij, Eqeremin 27 vjeçar . Në udhëtimet e tyre për në Vjenë, në ditët e para të muajit tetor 1912, sapo kishte filluar lufta e parë Ballkanike, ata patën disa takime të rëndësishme me përfaqësuesit më të njohur të diplomacisë vjeneze, midis tyre me kontin Berchtold ministër i Punëve të jashtme të Austro – Hungarisë dhe zyrtarin e lartë të Ministrisë së Jashtme, kryekonsullin Alfred Rappaport, njohës i mirë i çështjes shqiptare.

Në kërkesën e tij drejtuar diplomatit vjenez, Syrja bej Vlora, pohon t’i ketë kërkuar kontit Berchtold; së pari, mbështetjen nga Vjena për të siguruar autonominë e Shqipërisë nëse ushtritë turke dilnin fitimtare dhe së dyti, mbështetjen për të realizuar pavarësinë në rastin e mundjes së Perandorisë Osmane nga liga ballkanike.( Ikonomi, 2012) Pas premtimit të marrë nga Vjena zyrtare, Syrja beu filloi menjëherë veprimtarinë e tij në Vlorë dhe në rrethet  shqiptare për krijimin e një komiteti për mbrojtjen e interesave kombëtare, me synim organizimin e një kuvendi kombëtar.

Duke ju referuar kujtimeve të Syrja bej Vlorës, rezulton se në 27 tetor 1912 ishin lajmëruar telegrafisht qytetet: Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Tiranë, Kavajë, Përmet, Leskovik, Delvinë, Tepelenë, Starovë, Lushnjë, Peqin, Krujë, Kolonjë e Skrapar. I njëjti informacion konfirmohet  edhe në raportet e konsullit austro – hungarez, i cili njoftonte se në 31 tetor 1912, qytetet e Shqipërisë së jugut, si Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, Delvina etj, që ishin lajmëruar nga Syrja bej Vlora për organizimin e një kuvendi kombëtar në Vlorë, kishin njoftur telegrafisht se ata pranonin të dërgonin delegatë në kongres.

Cili është pozicioni i Elbasanit në lidhje me këto zhvillime historike?
Interesant është fakti se, në 2 nëntor 1912 Syrja bej Vlora i dërgonte një telegram parisë së Elbasanit, [drejtuar personalisht Aqif Pashë Elbasanit, Shefqet bej Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit], duke i bërë të njohur pikpamjet dhe përpjekjet e tij për të organizuar një Kongres të patriotëve shqiptarë, me synim shpalljen e autonomisë ose pavarësisë së Shqipërisë, kjo në varësi të ndryshimit të konjukturave politike ushtarake në Ballkan, në favor ose jo të Perandorisë Osmane. Përmes këtij telegrami, ai kërkonte mbështetjen e parisë së Elbasanit dhe në të njëjtën kohë edhe caktimin e përfaqësuesve të Elbasanit që duhej të niseshin për në Vlorë.( Kujtime të Syrja Vlorës)

Përgjigja që Syrja bej Vlora priste nga Elbasani, i dërgohet Eqerem bej Vlorës në 9 nëntor 1912, përmes një letre që mbante firmat e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës. Në përmbajtjen e letrës, shprehet gadishmëria e tyre për të marrë pjesë në Kuvend, pavarësisht se, sikurse thuhej në letër: “ Sa do që njoftimit që i bënit Elbasanit nuk i është dhënë ende përgjigja, jemi gati të marrim pjesë në mbledhje. Në këtë rast, mendojmë se, Syrja bej Vlora ishte në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga paria e Elbasanit, përderisa telegrami i tij i drejtohej posaçërisht Aqif Pashës, Shefqet bej Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit. Por deri në 9 nëntor 1912 nga Elbasani akoma nuk ishte dhënë ndonjë përgjigje ndaj ftesës së tij dhe nuk jemi të sigurtë nëse, gadishmëria e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës për të marrë pjesë në kongres ishte një nismë individuale apo, në përgjigjen e tyre ata ishin të autorizuar nga paria e Elbasanit.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, situata në Vlorë nuk rezultonte e favorshme për mbështetësit e Syrja bej Vlorës. Ishte e pamundur, shkruante baronesha Amelie Von Godin t’i bashkoje vlonjatët për të marrë vendimin shumë të thjeshtë për caktimin e ditës së mbledhjes dhe mënyrën e drejtimit të saj”. Pavarësisht vështirësive që ekzistonin, Eqerem bej Vlora (i biri i Syrja Bej Vlorës), kishte arritur të njoftonte një pjesë të delegatëve nga qytete të ndryshme shqiptare. Por vonesat në caktimin e datës së mbledhjes së kuvendit dhe dërgimit të progamit të kuvendit, krijuan përçarje edhe në parinë e atyre qyteteve që kishin shprehur gadishmërinë për të marrë pjesë në kuvend sikurse ishin; Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra dhe Delvina.

Në Shqipërinë e mesme, Syrja bej Vlora kishte mbështetjen e plotë të vëllezërve Toptanas të Tiranës. Përfaqësuesit e Shqipërisë së veriut ishin grumbulluar në Tiranë dhe në 10 nëntor 1912 ishin në pritje të njoftimit të Eqerem bej Vlorës, për tu nisur për në Vlorë. Duke mos gjetur mbështetjen e pritur në Vlorë, nisja e tyre u shty për disa ditë. Për më tepër, theksojmë se në Vlorë Ismail Qemali dhe përkrahësit e tij kishin ndikimin më të madh. Një shqetësim i tillë, pasqyrohet qartë në letrën e dërguar nga Eqerem bej Vlora në 6 nëntor 1912 konsullit austro – hungarez në Vlorë, i cili shprehej tepër i shqetësuar për faktin se, në Vlorë mund të mbërrinte edhe Ismail Qemali, që sikurse shprehej konsulli Lejhanec : “… mund të kërkojë të marrë në dorën e tij drejtimin e kongresit dhe të ndikojë  që vendimet e saj të kenë një drejtim të favorshëm për miqtë e tij politikë të jashtëm”. (Raport i nënkonsullit Lejhanec në Vlorë për ambasadorin Pallavicini në Stamboll).

Nga informacionet e konsullit austro – hungarez të Durrësit, informohemi për udhëtimin e  Syrja bej Vlorës drejt Vjenës në 12 nëntor 1912. Edhe Ismail Qemali, kishte udhëtuar nga Budapesti  në Vjenë për tu takuar me diplomatët vjenezë për çështjen shqiptare. Përse shkonte Ismail Qemali në Vjenë ? Shkruante baronesha Amelie von Godin. Ismaili kishte vendosur të luante kartën e diplomacisë. Ai kërkonte përkrahjen morale dhe ndoshta materiale të Vjenës. Aq më tepër i duhej konfirmimi i Austrisë tani që ishte bërë e qartë se një grup rival, ai i Syrja bej Vlorës po përpiqej të mobilizonte bejlerët në Shqipëri për ta arritur një qëllim të ngjashëm. Në intervistën e dhënë në Vjenë gazetës NEUE FREIE PRESSE, në 8 nëntor 1912, Ismail Qemali shpreh pikpamjet e tij për krijimin e Shqipërisë së pavarur. Në pyetjen e bërë nga gazetari rreth kryeqytetit të ardhshëm të Shqipërisë, na rezulton që Ismail Qemali të ketë përmendur emrin e Elbasanit, por duke pranuar edhe rëndësinë që kishte Vlora ku mund të kalonte hekurudha, duke u shprehur se: “Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë” (Konomi 2012).

Çfarë marrëdhëniesh kishin midis Syrja bej Vlora  dhe Ismail Qemali?

Në nëntor të vitit 1912, rivaliteti politik midis Ismail Qemalit dhe Syrja bej Vlorës qëndronte në çështjen se, cili prej tyre do të siguronte në kohën e duhur mbështetjen më të madhe brenda vendit, në funksion të përmbushjes së një objektivi të përbashkët dhe final thirrjen e një Kuvendi Kombëtar. Nuk është rastësi fakti që Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora, po shfrytëzonin të gjithë njohjet dhe reputacionin e tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare por, pa bashkëpunuar me njëri tjetrin. Kushërinjtë ishin dy burra  të mençur dhe nuk lejonin që rivaliteti t’iu infektonte dëshirën për ta parë rracën e tyre të çliruar dhe të begatë (Konomi 2012).

Por, Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora më shumë se kushërinj ishin rivalë me një histori të vjetër. Në parlamentin e ri xhonturk të vitit 1912, Syrja bej Vlora ishte zgjedhur deputet i sanxhakut të Beratit, në të cilin përfshihej kazaja e Vlorës, pavarësisht faktit se ai pothuajse nuk jetonte në Vlorë. Ndryshe nga Ismail Qemali, ai i përkiste partisë xhonturke dhe e kishte marrë votën me përkrahjen e tyre.  Mendojmë se kjo është edhe arsyeja e mbështetjes së pakët dhe kundërshtive që gjeti Syrja beu dhe i biri i tij në përpjekjet për organizimin e kuvendit kombëtar në Vlorë në nëntor 1912. Përpjekjet e Syrja Vlorës, kishin hasur në kundërshtimin e një pjese të parisë së Vlorës, ndër ta përmendim Elmas efendi Kaninën dhe Adem bej Risilinë, të cilët e akuzonin atë si të shitur tek austriakët. Sipas Eqerem bej Vlorës, grupi kundërshtar kishte njoftuar edhe autoritetet osmane, që pavarësisht se nuk morën masa kundër Syrja beut, e paralajmëruan atë për pasojat që mund të kishte nëse nuk ndërpriste veprimtarinë e tij në favor të çështjes shqiptare. Në një situatë të tillë, organizimi i kuvendit në qytetin e Vlorës nga Syrja bej Vlora, do të rezultojë i pamundur.

Elbasani në pritje të organizimit të një Kuvendi Kombëtar në 14 nëntor 1912
Në një kontekst të tillë, në pamundësi të organizimit të kuvendit në Vlorë, propozimet ishin për Tiranën, Krujën, Durrësin dhe Elbasanin. Në 12 nëntor 1912 së bashku me Eqerem bej Vlorën dhe delegatët e Beratit, në Vlorë gjendeshin edhe delegatë të Elbasanit, porse nuk jepet ndonjë informacion përsa i përket emrave të tyre, pavarësisht faktit se të gatshëm për të vajtur në Vlorë në 9 nëntor 1912 ishin shprehur Lef Nosi dhe Grigor Cilka.
Fillimisht, si qyteti më i përshtatshëm nga organizatorët e kongresit u mendua Durrësi, për faktin se atje Syrja bej Vlora dhe grupi i tij gëzonin edhe mbështetjen e plotë të nën/konsullit austro – hungarez Rudnay.

Pas, njoftimit në 12 nëntor 1912, për mbajtjen e kongresit kombëtar në Durrës, kundështitë që erdhën nga hoxhallarët dhe pjesa më fanatike e popullsisë së qytetit ishin aq të mëdha, sa që e bënë të pamundur organizimin e tij. Në një situatë të tillë, meqënëse organizimi i këtij kuvendi në Durrës nuk pati sukses, me miratimin edhe të Esad Pashë Toptanit në Shkodër, me të cilin popullsia fanatike e Durrësit kishte hyrë në kontakt, delegatët që ishin në Durrës do të drejtoheshin në Tiranë për të parë mundësinë e organizimit atje të kongresit.(Burimet austro  hungareze)

Por njoftimet telegrafike raportonin për përparimin e shpejtë të ushtrisë serbe. Në kujtimet e tij Mit’hat Frashëri shprehej se: “Atëhere, duke u lenë me nj’anë Tirana dhe Durrësi, vështrimet u këthyenë drejt Elbasant”. Duke përmendur traditat patriotike të këtij qyteti dhe faktin se edhe më parë në Elbasan ishin organizuar kuvende kombëtare(arsimore), ai theksonte se në Elbasan ishte më e lehtë të mblidheshin delegatët duke gjetur edhe mbështetjen e plotë të parisë vendase. Në një situatë të tillë, në pamundësi të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të planifikuar në Durrës dhe Tiranë, Elbasani tashmë konsiderohej si qyteti më i përshtatshëm ku mund të mbahej Kuvendi Kombëtar. Nën/konsulli austriak në Durrës, njoftonte se në 14 nëntor 1912, Elbasani ishte lajmëruar për të qenë në pritje të organizimit të Kuvendit Kombëtar, duke i raportuar eprorëve të tij se: “Ftesa në këtë drejtim janë bërë” . Ndërkaq, Mit’hat Frashëri pohonte se Elbasani jo vetëm që kishte marrë njoftimin por kishte nisur kontaktet me qytetet e tjera duke u shprehur se: “Tek Elbasani zgjidhte përfaqësonjësit e tij dhe këmbente mëndimetë me qendrat e tjera, na se ku po faqetë një çështje e re …”.

Por, zhvillimi i shpejtë i situatës politiko – ushtarake do t’i ndërpresë përpjekjet e nisura për organizimin e kuvendit kombëtar në Elbasan. Njoftimet për  përparimin e shpejtë të ushtrisë serbe dhe mbërritjen e saj në Ohër dhe në Strugë, përbënin rrezikun më kryesor që i kanosej Elbasanit. Ja si shprehej Mit’hat Frashëri për këtë problem: “ Serbët janë tue zbriturë në Ohër dhe në Strugë, telegrafi është në rrezik të pritet” . Në këtë kuadër, jemi të prirur të mendojmë se faktorët që e privuan Elbasanin nga organizimi në këtë qytet i kësaj ngjarje me dimensione mbarëkombëtare, më së shumti lidhen me mungesën në Elbasan të lidhjes telegrafike me botën e jashtme dhe konsullatave të huaja.

Në rast të sulmit të qytetit të Elbasanit nga ushtria serbe, qyteti i zgjedhur si vendi i mbledhjes jo vetëm që ishte i hapur(ekspozuar) ndaj pushtimit, por edhe pa mjet komunikimi me botën e jashtme, që e bënte tashmë të pamundur mbajtjen e kongresit në Elbasan. Në këtë kuadër, duke qenë të informuar edhe për njoftimet e Ismail Qemalit nga Trieste në 18 nëntor 1912 dhe për faktin se, Vlora gjendej larg rrezikut serb dhe kishte lidhje telegrafike me botën e jashtme u pa e arsyeshme që kuvendi të mbahej atje, pikërisht atje ku Syrja bej Vlora nuk gjeti mështetje duke u tërhequr përfundimisht nga nisma e tij për organizimin e kuvendit Kombëtar.

Në një kontekst të tillë historik, nisur nga situata e parashtruar theksojmë se, përfaqësuesit më në zë të elitës politike të Elbasanit, jo më larg se disa ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali, kishin qenë në rolin e organizatorëve dhe në pritje të organizimit të Kuvendit Kombëtar. Ata kishin mundësi ta ngrinin flamurin në Elbasan por, hezituan ta ngrinin atë deri në 28 nëntor 1912. Mendojmë se, një qëndrim i tillë shpjegohet me faktin se patriotët elbasanas qëndronin në gadishmëri në rast të ndonjë incidenti të papritur që mund t’i ndodhte rrugës Ismail Qemalit, [duke ditur se ishte dhënë edhe urdhri për arrestimin e tij ] dhe që mund të pengonte seriozisht mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, pse jo, në pritje për ta organizuar Kuvendin Kombëtar në Elbasan, për ti dhënë këtij qyteti një status që me të vërtetë e meritonte. Pikërisht, në mbasditen e 28 nëntorit, pasi morën sigurinë nga Lef Nosi që gjendej në Vlorë përmes fjalëve: “Kuvendi ndashti do të hapet”, Elbasani jep përgjigjen “ Ndashti po e ngremë [flamurin]”.

Ndërkaq, theksojmë se Elbasani i përmbushte të gjitha kushtet e mundshme dhe posejdonte kapacitetet për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe pse jo për tu shpallur kryeqendër e Shqipërisë së Pavarur. Një kërkesë e tillë, ka parahistorinë e vet dhe është bërë prezente që në kongresin e Dibrës të vitit 1880, ku kandidatura më e fortë për kryeqendrën e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar në atë kohë ka qenë Elbasani. Ndërkaq, kontributi gjithnjë e në rritje i trevës së Elbasanit në kuadrin e lëvizjes politike dhe arsimore shqiptare në fillim të shek. XX, e përforcoi edhe më shumë një kërkesë të tillë. Mendojmë se një pretendim i tillë në nëntor 1912, përfaqësonte ambicjen politike më të madhe të prefektit të parë të Elbasanit nën Qeverinë e Vlorës, Aqif Pashë Elbasanit, që përmes veprimtarisë së tij u përpoq ta realizojë si para ashtu edhe pas shpalljes së Pavarësisë.

Elbasani kryeqytet, ishte dhe premtimi që Ismail Qemali gjatë qeverisjes së tij i kishte bërë Aqif Pashës. Propozimi për Shkodrën apo Elbasanin kryeqytet ishte dhe një ndër kërkesat që Ismail Qemali i kishte parashtruar diplomatëve europianë nnë atë kohë. Në korrespondencën e tij me Elbasanin, në 7 nëntor 1912  Ismail Qemali i kërkonte  Aqif Pashës që për hir të interesave të atdheut t’i linte mënjanë konfliktet personale me Qemal Karaosmanin. Përmes këtij burimi, fillimisht informohemi për divergjencat që ekzistonin midis Aqif Pashës dhe Qemal bej Karaosmanit, që ishte një ndër këshilltarët më të afër të Ismail Qemalit në Vlorë. Nuk është e qartë se çfarë natyre kishin kontradiktat midis tyre, por letra e Ismail Qemalit mbyllet me premtimin që ai i bën Aqif Pashës se, së shpejti Elbasani mund të shpallej kryeqendër e Shqipërisë dhe të dy së bashku [Aqif Pasha dhe Qemal Karaosmani} do ta qeverisnin Elbasanin. (Letra mban datën 24 tetor 1329/ 7 nëntor 1913).

Një premtim ky që nuk u përmbush asnjëherë nga Ismail Qemali edhe pse këmbëngulja e Aqif Pashë Elbasanit në momente të caktuara do të shkojë edhe më tej, duke u shprehur në ndonjë formë tjetër, sikurse do të jetë njoftimi i Aqif Pashës rreth mundësisë për dorëheqje nga posti i prefektit të Elbasanit, drejtuar Ismail Qemalit në nëntor të vitit 1913, por duke e kushtëzuar qëndrimin e tij në këtë post vetëm nëse Qeveria e Vlorës do të vendosej në Elbasan, duke u shprehur përmes fjalëve : “Në rast se Qeveria Qëndrore tranferohet këtu, mosmarrëveshja do të zhduket. Shtoj e Jua parashtroj se brënda kësaj kohe Qeveria Qendrore duhet me doemos të urdhërojë e të vijë këtu” (Letër dërguar nga Aqif Pasha që mban dt. 14 nëntor 1912)

Sikurse dihet, Aqif Pasha jo vetëm që nuk do të dorëhiqet, madje edhe në momentet më të vështira të qëndrimit të tij për asnjë moment nuk do të largohet nga Elbasani (edhe pas propozimeve të Ismail Qemalit për të vajtur në Korçë). Ndërkaq, sikurse dihet për sa kohë që Ismail Qemali qëndroi në Vlorë qeveria e Vlorës nuk do të vendoset ndonjëherë në Elbasan dhe Elbasani nuk u shpall ndonjëherë kryeqendër e Shqipërisë, pavarësisht se në favor të pozicionit të Elbasanit si kryeqendër e Shqipërisë rezultonin edhe diplomatë të huaj.

Kështu, Antonio Baldaçi në studimin e tij për Shqipërinë, kur i referohet vendimeve që priteshin të merreshin nga konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1912, na informon edhe për kryeqytetin e ardhshëm të planifikuar të Shqipërisë, duke shkruar se: “Një vështirësi shumë e madhe do të jetë edhe gjetja e kryeqytetit që për mendimin tonë duhet të jetë Elbasani; qendra e mundshme dhe selia e aristokracisë së Shqipërisë i ndodhur në drejtimet kryesore drejt Maqedonisë. Roma kishte në Shqipërinë qendrore rrugën e saj më të rëndësishme drejt brendësisë. ” Kështu, propozimin për ta shpallur Elbasanin kryeqytet e gjejmë në marrëveshjet e fshehta diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha, e më konkretisht midis diplomacisë Ruse dhe Italiane në 18 janar 1913.( Dokumente britanike)