Në fakt, qyteti im, Elbasani në Shqipëri, është i njohur për pasurinë e pemëve. Midis llojeve të mrekullueshme të pemëve, më shumë se të tjerët imagjinatën time, për disa arsye, e kanë ngacmuar rrapat. Dallohen nga pjesa më e madhe e pemëve, sepse i takojnë një familjeje nga më të hershmet në tokë, kanë përmasa shumë të mëdha dhe pamja e tyre është si ajo e gjigandëve të mirë dhe të dashur, kanë një jetë shumë të gjatë dhe janë vendstrehim dhe kënaqësi për krijesa të shumta dhe të ndryshme.

“Ishulli i gjelbër”, quhej dhe quhet dhe sot, Byshek. Gjendet në një zonë përtej lumit Shkumbin, në juglindje të qytetit. Është i njohur për praninë e disa rrapave dhe të një burimi uji të ftohtë që rrjedh drejtëpërdrejtë nga shtresëzimet shkëmbore të malit që ndodhet pas tij. Mendohet se epoka kur lindën a mbinë rrapat e tij – lindje spontane dhe jo e programuar –  përllogaritet rreth 10 vite para fundit të shek XV. Në ato vite sulltanët midis të cilëve Mehmeti II, me ushtritë e tyre kishin ndërmarë fushata kundër udhëheqësit dhe heroit shqiptar Gjergj Kastriotit, i cili, në Shqipërinë e pushtuar nga turqit, i kishte dhënë jetë një entiteti të pavarur me qendër administrative dhe komandimi në Krujë. Në marshimin e tyre drejt Krujës, duke zbritur nga qafa e malit në lindje të Elbasanit, mendohet se sulltanët kanë ngriturfushimin në Byshek. Mund të imagjinojmë që për të ngritur çadrat dhe për të krijuar rrethime për kafshët, ushtarët kanë përdorur hunj rrapi. Me kalimin e kohës, disa prej tyre, duke gjetur terren të përshtatshëm, kanë zënë rrënjë dhe janë zhvilluar, duke mbijetuar për më shumë se pesë shekuj deri në ditët tona…Pas pesë shekujsh të pranisë së kushtëzuar vetëm nga ritmet e natyrës, njeriu, me krenarinë e tij, mendoi ta racionalizojë dhe modernizojë atë mjedis, duke betonuar pjesë të shkëmbinjve nga rridhte burimi dhe duke ndërtuar kanale betoni që gjarpëronin midis rrapave.

Rrapi në Byshek

Rrapi në Byshek

Një “ishull i dytë i gjelbër”, ai i Vojvodës, krejt i veçantë, gjendej në varrezën muslimane, në periferinë lindore të qytetit, edhe ai i ndarë në mes nga rruga Durrës – Korçë….Dy rrapatafër një çezmeje që bënin pjesë tek “ishulli” i Vojvodës, ishin rritur përballë njëri – tjetrit në dy anët e rrugës dhe me degët e tyre formonin një lloj harku natyror, sikur të zëvendësonin atë që duhet të ishte menduar e ndërtuar nga njeriu dhe që mungonin edhe në qytet, në Elbasan.

Teqja e Madhe, ky “ishull i gjelbër” përbëhej nga një zgjerim rruge, nga një ndërtesë e shenjtë modeste, nga dy çezme, nga të cilat më e vogla dilte nga vetë muri i ndërtesës dhe, natyrisht, nga një rrap i madh që si figurë mbizotëruese, ishte i pari që priste vizitorët. E gjithë kjo ishte e rrethuar me gardhe, pemë të llojeve të ndryshme, ullishta, vreshta dhe fruta.

Nga Teqja e bektashinjve, duke marrë rrugën Korçë – Durrës në drejtim të qendrës së qytetit, pasi kaloje  “ishullin” e varrezës së vjetër e në një largësi të shkurtër nga kjo e fundit, mbërrihej te “ishulli”  i Bobollës, emri i të cilit duket se rrjedh nga turqishtja babë e bir…Ky ishull është më i gjëri nga pesë ekzistuesit në brendësi të qytetit. Rruga Korçë – Durrës e ndante në dy pjesë shumë të ndryshme. Pjesa në veri, një fushë e gjërë, e pambjellë, pak a shumë me pluhur, e rrethuar kryesisht me shtëpi midis të cilave ajo e piktorit Bukurosh Sejdini ishte një zonë loje dhe zbavitjeje për djemtë e lagjes. Nga pjesa e jugut, shumë më e ngushtë, përmbante elementët më interesantë. Në fakt, pikërisht te anët e rrugës ishin: një çezmë e bukur antike me presion të bollshëm uji, dy rrapa të mëdhenj shumëshekullorë dhe një sallatash (gur), siç i thonin. Pas çezmës dhe rrapave, paralel me rrugën, ishte një kanal me pak ujë dhe i lënë pas dore, në anën jugore të tij, pothuajse e fshehur midis shtëpive, ishte xhamia.

Bezistani…Behej fjalë për një shesh katërkëndor, pak më i gjatë se sa i gjërë, me një shatërvan, një xhami dhe një rrap që nga përmasat, mosha dhe historia ishte pema më interesante dhe më e njohur e qytetit. Në shesh gjemdeshin dyqane me mallra të ndryshme por, si atje ashu edhe afër tij, ndodheshin dyqanet më të mira të pëlhurave.

Rrapi i Bezistanit

Rrapi i Bezistanit

Ta lëmë edhe këtë vend dhe të nisemi në drejtimin e veriut. Pothuajse një a dy kilometra më larg nga aty, duke ndjekur rrugën kryesore dhe duke kapërcyer dy degëzime, i pari majtas dhe i dyti djathtas, arrihet në “ishullin e fundit të gjelbër” të marrë si shembull në këtë rrëfim, pra, te ai i “pusit që lahet vetë”….”ishulli i gjelbër” me formë pak a shumë katërkëndore, i shtruar mirë, në qendër kishte si pusin, nga i cili merrte emrin më të njohur, ashtu edhe rrapin. Në lindje dhe në perëndim kufizohej vetëm nga muret e shtëpive që ishin aty. Në veri ishte xhamia, një furrë dhe një a dy dyqane. Në jug gjendej një teqe tjetër e bektashinjve, e rrethuar nga të gjitha anët nga një gardh i mbuluar me urth.

Rrapi tek Pusi që lahet vetë

Rrapi tek Pusi që lahet vetë