Në Historinë e mjekësisë në Elbasan një vend të veçantë zënë edhe infermierët. Riza Kotherja është nga infermierët e vjetër në Elbasan. Lindi në vitin 1902 dhe ndërroi jetë në vitin 1962.

Riza Kotherja me të birin Hysenin, në vitin 1936

Riza Kotherja me të birin Hysenin, në vitin 1936

Nga një bisedë me vajzën e tij Liliana (Gjevori) arritëm të mësojmë se Rizai mbeti jetim rreth moshës 14 vjeç, kur babai i tij Qazim Kotherja ndërroi jetë dhe mbështetje për djalin e vogël u bë miku i tij, mjeku i mirënjohur Petraq Popa (vëllai i Miri Popa dhe xhaxhai i Ylli Popa).

Petraq Popa, mjek patolog, e mbante me vete Rizain dhe e çoi tek spitali ushtarak që ndodhej në Krastë, ku në atë kohë shërbenin mjekë anglezë dhe austriakë, që e hapën këtë spital gjatë Luftës I Botërore.

Me kërkesën dhe interesimin e tij, duke qëndruar në këtë spital, Rizai bëri edhe ushtrinë atje dhe njëherazi shërbente edhe si ndihmës – infermier në shërbim të doktor Petraqit dhe të mjekëve të tjerë. Pikërisht këtu mori njohuritë e para si infermier..

Në moshën 22 vjeçare, rreth vitit 1924, duke vlerësuar aftësitë e Rizait, doktor Petraqi e çon atë në Itali për të studiuar në një shkollë të specializuar ku u diplomua si ndihmës – mjek.

Ai iu përkushtua këtij zanati gjatë gjithë jetës së tij, duke fituar njohuri nga mjekët e ndryshëm dhe duke u shërbyer me përkushtim qytetarëve. Vajtja shtëpi më shtëpi e këtij infermieri ndihmës – mjek, e bëri atë të njohur si njeri.  Ishte i pranishëm gjithnjë pranë mjekëve kirurgë, sepse vëmendja që ai tregonte në punë spikaste tek kirurgët që donin t’a kishin gjithnjë pranë vetes.

Deri në kohën e luftës punoi si infermier në këtë spital në Krastë, ku shërbeu edhe gjatë kohës së luftës.

Më pas ai kalon tek spitali i parë, që ndodhej në hyrje të rrugës, poshtë lagjes “Namazgja”, në të ashtquajturën “Ndërtesa e Narazanëve”.

Pjesa tjetër e punës së tij ishte në spitalin e ri të asaj kohe, përtej shinave të trenit, që më pas u bë maternitet, aty  ku sot ndodhet Drejtoria e Bujqësisë.

Edhe pse ai mbushi moshën e pensionit atë nuk e lanë të dilte në pension. Punoi edhe 5 vite më pas, deri sa u sëmur. Pas 4 muajve ai ndërroi jetë.

Vetëm një nga fëmijët e Riza Kotheres u bë mjek Patolog – Baki Kotherja.

Gjithë jeta e tij ishte në shërbim të mjekësisë, të njerëzve, me konceptin e parimin “Nuk ka ditë, nuk ka natë, nuk ka të varfër, nuk ka të pasur, nuk ka të bardhë, nuk ka të zinj” që ishte edhe Betimi i Hipokratit.

E bija e tij Liliana Kotherja (Gjevori) shprehet se Dr. Reshat Kapshtica kur futej në operacion, nuk e niste atë pa qenë i pranishëm infermieri Riza Kotherja. Po kështu bënte edhe Kol Papajani. Vajza e tij tregon se ka patur raste kur një pacienti i thuhej se do të priste këmbët, ai nuk binte dakort dhe i bënte mjekime speciale pacientit, duke ia shpëtuar këmbën. Janë shumë raste të tilla që njerëz të ndryshëm kanë gjetur shpëtim nga mjekimet dhe këshillat e ndihmës – mjekut Riza Kotherja.

Gjatë kohës që ai ka qenë infermier ka punuar me kolegë të tjerë, nga të cilët përmendim: Isak Shehu, Ahmet Hoxholli, Makbule Pila, Diana Kapazi (Kapshtica, mbesa e doktor Kapshticës), Sadik Jazxhiu, Afërdita Nikolla (infermiere e vjetër që sot ka një vajzë mjeke). Një nga bashkëpunëtorët e Rizait ka qenë edhe Mukin Koçi laborant i Rontgenit (Radioskopisë), që ishte bashkë me të shoqen Lutfije Hajdari, edhe kjo infermiere që ka mbaruar shkollën në Itali.