Qemal Stafa

Qemal Stafa

Lindi në Elbasan në 20 mars të vitit 1920 . Fëmijërinë dhe adoleshencën e kaloi në Shkodër, ku edhe u arsimua, por gjithmonë kudo ku shkonte ai prezantohej si elbasanas dhe nuk reshti kurrë së promovuari këtë qytet dhe figurat e tij, veçanërisht Konstandin Kristoforidhin, për të cilin gëzonte një simpati të veçantë.

Në qytetin e Shkodrës ai ra në kontakt me idetë komuniste dhe u aktivizua në shoqërinë rinore “Besa shqiptare”, e cila u formua në vitin 1928, në të cilën shërbeu si përhapës i ideve komuniste. U ngarkua me detyra të rëndësishme në organizatën e rinisë komuniste shqiptare. Që në gjimnaz filloi të ishte aktiv në grumbullimin e rinisë për mbrojtjen e idealit që kishte, gjë të cilën e ktheu në qëllimin më të rëndësishëm të jetës së tij, duke u bërë kështu edhe drejtuesi i grupeve të gjimnazistëve, që mbronin një kauzë të drejtë sipas tij.

Qemal Stafa u kujdes veçanërisht të demaskonte kishën, të cilën e shihte si një organ që vetëm deformonte të vërtetat e shenjta dhe të kujtonte mesjetën, për këtë ai mendonte se kjo përbënte një “luftë” të një lloj të veçantë, së cilës i duhej mëshuar fort. Ai iu kundërvu ashpër klerit dhe për këtë i shërbeu edhe anëtarësimi në shoqërinë “Besa Shqiptare:, e cila bashkonte të rinjtë e tri feve, nga krahina të ndryshme për t’iu kundërvënë shoqatave klerikale.

Po ashtu një rëndësi të veçantë i kushtoi edhe të lexuarit, jo vetëm të vetes, por edhe të të tjerëve. U mundua që me grupin që kishte krijuar të gjenin e lexonin veprat e Tolstojit, Dostojevskit, Çehovit etj, revista si: ‘Rilindja”, “Illyrija”, ato franceze: “Lu”, “Vy” etj. U frymëzua nga revolucioni francez, nga lëvizjet punëtore në Bashkimin Sovjetik dhe nga veprat që lexoi, që në thelb trajtonin një lloj tjetër lufte, atë shoqërore. U frymëzua edhe nga shkrimet e Migjenit, tek i cili e gjeti veten mirë.

Hyrja në shkollën komuniste ishte një hap i rëndësishëm për të, kjo ishte një shkollë më vete për formimin e tij. Veprimtarinë e tij e zhvilloi kryesisht në formë ilegale.

Luajti rol kryesor në botimin e revistës “Shkëndija”, emrin e të cilës e përktheu nga gazeta “Iskra” e Leninit.

Kishte talent në letërsi, madje shkroi edhe proza e poezi. Në krijimet e shkrimet e tij shpesh vinte pseudonimin “Brutus”.

Qemal Stafa botoi dy skica letrare, një për fëmijë një tjetër 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare.

Skica “Nanë” u botua për herë të parë në revistën “Vatra e Rinisë” më 10 shkurt 1935. U ribotua në gazetën “Zëri i Rinisë”, në 5 maj 1956 dhe në gazetën “Drita”,  në 30 prill 1961.

Më 1936 shkroi tregimin “Qortimet e vjeshtës”. Në 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij. Atë e tërhiqte shumë edhe teatri, madje disa herë edhe ka recituar e aktruar në skenë.

Pëlqente shumë muzikën dhe që fëmijë kishte arritur të kultivonte një lloj kulture muzikore ndër vete, kulturë të cilën e përforcoi me ikjen e tij në Firence, ku u lidh edhe më shumë me muzikën. Që kur ishte fëmijë, në Shkodër mësoi t’i binte violinës. Ndër të gjithë muzikantët adhuronte Bethovenin dhe Moxartin.

Qemal Stafa ishte një intelektual, i cili nuk u pengua aspak nga rrethanat e kohës për të shprehur hapur atë që mendonte. Figura e tij, e aftë për t’u integruar në një rreth të gjërë problemesh dhe e integruar në fusha të ndryshme, edhe sot e kësaj dite zgjon polemika të shumta, sa i përket interpretimeve e argumenteve të veprimtarisë së tij e rrethanave historike të Shqipërisë.

Vritet duke luftuar  kunder fashistëve,edhe pse kjo tezë e vdekjes së tij hidhet poshtë nga shumë persona dhe ka kundërshimet e aludimet e saj. Në qytetin e Elbasanit ka rrugë e institucione që mbajnë emrin e tij, madje edhe dita kur ka vdekur ai 5 maji njihet si dita e dëshmorëve