kontribues1

Shkrim nga Bukurosh Dylgjeri.

Punimi i shajakut ishte një degë e rëndësishme e prodhimit zejtar në Elbasan.

Ky stof i fortë e i qëndrueshëm nga shiu dhe ferrat, me ngjyrë të bardhë ose të zezë, kishte mjaft konsumtarë, veçanërisht në fshat.

Leshi i dhenëve i larë nga gratë pasi punohej në tezgjah, dërgohej për t’u rilarë në derstile.

Me shajak bëheshin gunat e fshatarëve hejbet, brezat. Shajaku i prodhuar për guna shitej në copa në gjërësi 32 cm. Për zonat malore prodhohej edhe shajak për jelekët e bardhë të thurur me gajtana të zi, që kombinoheshin me mëngoret.

Në përputhje me kërkesat e blerësve në treg, shiteshin edhe copa për qepjen e xhybave që kërkoheshin nga gratë e fshatit.

Nga fundi i shek. XIX përdorimi i shajakut u përhap edhe në qytet, kryesisht për kostumet e burrave.

Në veshjet prej shajaku, prodhimi i gajtanit si mjet për të forcuar qepjen zinte një vend të rëndësishëm.

Gajtani kryente njëkohësisht edhe funksionin dekorativ, sepse theksonte format e prerjes dhe shërbente për të bërë motive e zbukurime, duke qënë njëherazi edhe ndërlidhës i pjesëve të ndryshme të veshjes.

Postoi: Enxhi Dylgjeri, Elbasan, prill 2016.