Punishtja e sapunit përbëhej nga një kazan i madh dhe dy të vegjël për shkrirjen e bojës prej dy pllaka dërrase për tharjen e sapunit, një thikë për pastrimin e një tjetër për prerje. Një fije e ngjyrosur për vijat e prerjes dhe një stampë prej druri e cila rrihej mbi kallëp me një tokmak druri.

Vajin, që ishte lënda e parë për prodhimin e sapunit e siguronin në vend, ndërsa sodën kaustike e blinin tek tregëtarët që e sillnin nga jashtë. Siç dihet, sapuni prodhohet nga dy element, yndyrë dhe sodë kaustike. Në këtë përzierje mund të shtohej edhe aromatizues, bojra etj për t’i dhënë sapunit ngjyrë dhe aromë.

Në kazanin e madh bëhej sapunifikimi. Brumi që formohej zbrazej, caktoheshin me kompast pikat e madhësisë së kallëpit. Pas kësaj merrej fija e ngjyrosur me bojë te kuqe e sipas pikave të kompastit krijohej forma e kallëpit për prerje, bëhej stampimi dhe prerja me anën e një thike me bisht druri e lidhur me një litar ku futej një trup si peshë për tërheqje.

Prej këndej sapuni merrej dhe vendosej nëpër arka I gatshëm për t’u tregtuar.

Postoi: E. Dylgjeri, Elbasan, prill 2016.