SHTAMAXHINJTË

 

Shtamaxhinjtë ishin vendosur gjatë rrugës nga ”Tri urat” e deri tek xhamia e Agait.
Prapa dyqanit shtamaxhiu në fushë të hapur, kishte furrën që piqte prodhimet si: qypa, shtamba, katruve, ibrikë, vorbe, tava, kupa, xhama (një llojë ene e thellë) dhe bucela.
Qypat, kupat e xhamat smaltoheshin për brenda. Shtambat dhe qypat ishin të madhësive të ndryshme dhe nxinin nga 2-10 ose deri 15 okë.(1 okë  1.5 kg)
Shtambat e mëdha quheshin voza. Përgatiteshin edhe shtamba e qypa që nxinin mbi 30 okë, të zmaltuara e që përdoreshin për vaj.
Si vegël pune përdorej rrota e shtamaxhinjve, që kishte formën e një rrethi të madh që lëvizte me këmbë, i lidhur me një koritë (govatë) mbi të cilën vendosej një rreth më i vogël druri se ai që ishte tek këmbët.