Në zbukurimin e mjediseve të brendshme të shtëpiave, një vend të posaçëm zënë dollapët dekorativë të murit, të vegjël e të mëdhenj, tavanët, musandat, sergjenët, arkat, tavolinat, karriket e tjerë që janë zbukuruar me figura të ndryshme gjeometrike e imitacione të marra nga natyra, nga bota bimore, shtazore e tjerë.

Mjaft tërheqëse janë punimet e rozetave të cilat të duken sikur janë qëndisur.

Mjeshtrit popullorë kanë përdorur me kujdes ngjyrat, kryesisht atë të drurit dhe në raste të vecanta kanë ditur të kombinojnë plot krijimtari edhe suvanë me gëlqere të vendosur afër kornizave të jashtme të tavanit apo pareteve të murit. Me mjeshtëri janë punuar edhe kafazët e parmakët e dritareve të ndërthurura me kangjella të bukura prej hekuri. Mjeshtëria artistike e punimit të drurit spikat në mënyrë të vecantë në objektet e kultit. Kryevepër është ikonstasi i kishës së Shën Marisë në lagjen ”Kala” rindërthuar në vitin 1833. Kjo vepër ngjall kureshtjen dhe interesimin e vazhdueshëm të studiuesve tanë dhe të huaj.

Në punimin artistik të drurit në Elbasan i cili arriti një nivel të lartë vecanërisht gjatë shekujve XVIII dhe XIX, dallon dora e mjeshtrave të njohur si usta Hasteta, Nezir Duli, Sule Borici, Ahmet Balla, Isuf Teta, Ymer Duli, Pjetër Filipi, Diço Zografi e të tjerë.

Mblodhi dhe përgatiti : Bukurosh Dylgjeri