kontribuesi2
 

Nga Shefqet DELIALLISI

Ishte viti 1916. Shqipëria ishte e pushtuar nga austriakët. Një grup personalitetesh dhe gjuhëtaresh mbarëshqipetarë, në Shkodër, organizuan “Komisijen Letrare” për standartizimin e gjuhës shqipe. Ky komision bëri një punë të pastër shkencore. Mjafton të përmendet fakti se në komision merrnin pjesë figura kombëtare të pa diskutueshme si Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, nga veriu i Shqipërisë, dhe si gjuhë e përbashkët u perzgjodh elbasanishtja, kur antari i vetëm elbasanas i komisionit ishte Aleksandër Xhuvani, në atë kohë vetëm një 36 vjeçar.

Të gjithë pranuan propozimin e Luigj Gurakuqit, që elbasanishtja të shërbente si një urë mes të dy dialekteve kryesore të shqipes, gegnishtes dhe toskërishtes, mbasi dhe kuptohej mirë dhe mund të përdorej me lehtë si prej toskërishtfolësve dhe gegnishtfolësve.

Por le t’i kthehemi historisë:  Shkëlqimit dhe rënies së elbasanishtes…

Faik Konica, në shkrimin shkrimin e tij : “Të zgjedhim toskërishten apo gegnishten ?”  në Gazetë Albania, në vitin 1905, përmend thënien :

“Është një gjë e thënë popullore në Shqipëri : turqisht’ e Stambollit, greqisht e Anthinës, shqip e Elbasanit. “

Ndërsa, Luigj Gurakuqi në fjalën e hapjes së shkollës Normale në Elbasan ne vitin 1909 do të thonte :

“ Elbasani sikundre asht mezi i Shqypnëniës landore, asht dhe do të jetë edhe mezi i Shqypëniës mendore : do të jetë truni, do të jetë zemra e të gjithë shqypëtarvet, Këtu katundësi dhe qytetari do të bashkëjetojnë e do të bahen nji. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do të ntreten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen ….këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjërate t’ambël do të marrë një fytyrë të përbashkme……..”

Aubery Herbert, parlamentari britanik, mik i madh i Shqiperisë, në ditarin e tij gjatë vizitës në Elbasan, disa vite më vonë, në 13 shtator 1913, bën një krahasim interesant mes shqipen së folur në Elbasan, dhe gjermanishtes së folur ne Hanover, që vlerësohej si gjermanishtja më e mirë :

“Elbasani është një lloj Hanoveri në Shqipëri. Në këtë vend, ku puqen veriu dhe jugu flitet shqipja më e mirë.”

Në vitin 1923 Kryeministri i Shqipërisë autorizoi administratën shtetërore që për bazë të gjuhës zyrtare të kishte të folmen e Elbasanit. këte urdhëresë të qeverisë e komenton Aleksandër Xhuvani në shkrimin “Dhialekti i Elbasanit” në Gazetën Elbasani :

“Urdhënin e Kryeministris për t’u përdorun dhialekti i Elbasanit në shkresat zyrtare e gjejmë të drejtë e t’arsyeshëm. Ky vendim i Kryeministris nuk asht nji gja arbitrore e pa vend, por nji punë qi vërteton edhe shtie në veprim shumë vendime të përparshme të marruna prej kongresesh të ndryshme qi janë mbledhun në kohë të Turqis për të rregullue çashtje të gjuhës e t’arsimit t’onë. Kongresi i Manastirit i mbledhun më 1909 e i marrun prapë me çashtje arsimi e gjuhe , u poqën e u bashkuen në nji pikë për punë të gjuhës : në përdorimin e të folmes s’Elbasanit si gjuhë shkrimi të përbashkët. Ky vendim i këtyne dy Kongreseve u përteri e u vërtes edhe në kohë të pushtimit austriak, kur u themelue në Shkodër Komisija Letrare për zhvillimin e përmirësimin e gjuhës e të letresis s’onë. Edhe ajo Komisi pranoi atëherë si themel të nji gjuhe të përbashkët dhialektin e Elbasanit. Veç këtyneve , ma të shumtët e dijetarëvet e të albanologëvet janë prapë të këtij mendimi : qi dhialekti i Elbasanit të merret si bazë për nji gjuhë shkrimi , por, natyrisht i përmirësuem e i qëruem. Në nji Promemoria qi bani në kohë t’Austris professor Nachtigalli, i cili bashkë me doktor Pekmezin e me Andre Mjedën u dërgue atëhere prej kumadës ushtriake n’Elbasan për të studiue gjuhën , kët dhialekt porosiste e këshillonte për me u marrë si bazë shkrimi të gjuhës. Arsyet qi përmendte profesor Nachtigali në Promemoria të tij për të pshtetun tezën e vet shkencore e glottologjike, po ne po përmendim këtu nji të vetme qi dihet prej të gjitheve : qi dhialekti i Elbasanit asht i kuptueshëm prej të dy kryefisevet shqiptare , prej Toskëvet e prej Gegëvet . Këte gja e kanë konstatue të gjithë ata qi kanë pasun kohën të qindrojnë pakë kohë n’Elbasan e të ndëgjojnë të folmen e këtij qyteti. Si fonetikisht, ashtu edhe morfologjisht e syndaktisht ky dhialekt i përmbleth elemente prej të dy dhialektevet të tjerë, prej Gegënistes së sipërme e prej Toskënishtes e asht si nji urë bashkimi në mes të këtyre dy dhialektëve.
Por sikurse ka ndodhun në gjuhët e tjera , kështu do të ngjajë edhe dhialekt, në të cilën do të kullojnë e në këte do të treten gjithë të mirat e dhialektevet të tjerë , tue u njazue ashpërija e Veriut me butësin e Jugut.
Pra, vendimi i Kryeministris , si kunorëzim i vendimevet e i dëshiravet të përparshme, asht si thamë, i drejtë e i arsyeshëm…..”

Dialekti i Elbasanit përmendet si përparësi e Elbasanit në momentin e caktimit të Kryeqytetit të Shqipërisë në vitin 1923. Në një editorial të gazetës Elbasani shruhej:

“Elbasani në pikpamje gjuhsore, asht i vetmi qytet, i cili sikundër e lidhë politikisht Shqipniën e veriut me atë të Jugës, ashtu edhe me gjuhë lidhë këto dy pjesë, në këtë mënyrë dialekti i Elbasanit, asht “trait d’ union i” i dialektevet të Gegniës e të Toskëniës. Për këte arsye në kohën e Turqiës më 1909, Kongresi Arsimuër u mblodhë n’ Elbasan, dhe vendosi hapjen e Shkollës Normale t’ atëhershme po këtu n’ Elbasan, e cila prej asij kohe, ishte Instituti ma i nalt I rilindjes Kombëtare. Gjithashtu po për këtë arsye, Komisioni Arsimuër në kohën e okupasionit Austriak, patë pranuë dialektin e Elbasanit, si për gjuhë zyrtare të Shqipniës. Nashti së voni, edhe Ministrija e Arsimit që prej vitit 1920, po këtë dialekt ka pranuë e pëdoruë gjer më sot, si për gjuhë zyrtare të Shtetit.”
 Nuk kishte si të mos shprehej për këtë problem dhe “ babai i tragjedisë shqiptare”  shkrimtari Et’hem Haxhiademi. Në nje intervistë me titull : ‘ Gjuha Letrare : të preferohet dialekti i Elbasanit’, në vitin 1940 ne Gazeten Tomorri :

“Dialekti i Elbasanit  është bashkimi natyral i dy dialekteve të mëdhenj : toskërishtes dhe gegnishtes. Në pikpamje morfologjike dialekti i Elbasanit është toskërisht, dhe në pikëpamje fonetike është gegënisht.”

Në prill të vitit 1940 ne Kuvendin e Parë Albanologjik te Institutit të Studimeve në Tiranë, Mustafa Kruja një nga gjuhëtarët më të shquar të Shqipërisë  vazhdoi të mbështesë të folmen e Elbasanit si bazë për gjuhën standarte shqipe.

Përmbysja e madhe filloi në vitin 1946.

Arbitrarisht Ministria e Informacionit dhe Propagandës, drejtuar nga Sejfulla Malëshovës urdhëroi mos respektimin e gjuhës zyrtare. Gjithçka të shkruhej toskërisht. Ministria e Arsimit urdhëroi që edhe abetarja të shkruhej toskërisht. Ky veprim u kundërshtua fort nga prof. Aleksandër Xhuvani (në vitin 1952) që nuk e pranoi heqjen e elbasanishtes. Me të u bashkua dhe prof. Eqerem Cabej.

Në 1972 ne Kongresin e Drejtshkrimit u ligjërua perfundimisht gjuha që ishte inponuar në vitin 1946. Ajo që të habit në gjithë këtë histori është fakti se në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, elbasanishtntja,si një dialekt kompromisi mes toskërishtes dhe gegërishtes, u injorua plotesisht. U injoruan dhe konsideratat ne vite të gjithë personaliteteve të shquar të gjuhësisë e më gjerë.?!! U injorua fakti që gjuha standarde, me bazë elbasanishten ishte zbatuar tashmë për 30 vjet në Shqipëri (nga 1916 deri me vitin 1946), dhe 50 vjet në Kosovë dhe në trojet e tjera jashtë Shqiperisë…
Një pyetje natyrshëm lind : a është më e mundur të kthehemi pas te elbasanishtja apo ajo i tashmë i takon vetëm historisë ?

Po e mbyll shkrimin me vjershën“Dialekti Elbasanas” te shkrimtarit dhe publicistit te shquar elbasanas Filip Papajani:  

“Gjuh’ e pastër’ e Elbasanit;

Thjesht shqiptare.

N’tingëllim t’ambël t’zanit,

Asht letrare!

Ambëlson t’egrën Gegnishte,

Fort shijon t’thatën Toskënishte….