Më datë 31.07.2011  në një kanal televiziv tonin u dha një njoftim interesant, sipas të cilit vendi ynë zuri vendin e parë në një konkurs ndërkombëtar të gastronomisë (të ushqyerit duke gatuar) që u mbajt para disa ditësh në Napoli të Italisë. Shumë bukur deri këtu. Me të vërtetë u ndjeva krenar që restoranti “Sofra e Ariut” nga Tirana arriti që me gatime karakteristike shqiptare të nderohet në vendin fqinj mes shumë konkurentëve nga e gjithë bota. Por, pas kthimit në atdhe të mjeshtërve tanë të këtij restoranti, më bëri përshtypje që shefja e kuzhinës së “Sofra e Ariut” u shpreh para kamerave që “ne gatuam specialitetin shqiptar tavë-kosi (!) dhe  ia dolëm që të fitojmë vendin e parë falë bukurive që na ka falur natyra”. Deklarim më idiot nuk kam dëgjuar ndonjëherë, pasi unë nuk di që natyra të ketë gatuar ndonjë lloj gjelle, si dhe gatimi i tavës me kos është bindshëm traditë elbasanase. Kulinaria (të gatuarit) është karakteristikë e komuniteve dhe popujve të ndryshëm të cilët me durim dhe pas shumë e shumë vitesh e ndoshta shekujsh përvojë, arrijnë të formulojnë mënyrën dhe shumëllojshmërinë  e të gatuarit. Mendoj që veçantia e të gatuarit është element i kulturës shpirtërore të një komuniteti të caktuar, me veçantitë specifike në këtë art. Tek ne në Elbasan, si askund tjetër në Shqipëri ekziston një traditë goxha e larmishme në gatim. Këtu, si dhe më gjerë, tradita e të gatuarit është përcjellë gojarisht dhe vizualisht më shumë në linjën femërore, pra nga vjehrra tek nusja, më pas tek vajzat e shtëpisë e kështu me radhë, si pjesë e dijes kolektive komunitare dhe e traditës shqiptare në përgjithësi. Ja çfarë shënon udhëpërshkruesi osman E.Çelebi për shumëllojshmërinë e gatimeve në Elbasan në nëntor të vitit 1670 “…përgatitja e mirë profesionale dhe puna plot shije e mjeshtërve, duket edhe në prodhimin e artikujve ushqimorë ku dalloheshin sidomos furrxhinjtë dhe gjellëbërësit (akçinjtë) e Elbasanit” …

Por shtysa e këtij shkrimi nuk është thjeshtë se iu mohua Elbasanit një gjellë, por mbrojtja e kësaj tradite dhe nxitja për deklarimin me dinjitet nga kushdo qoftë e të vërtetës mbi këtë traditë. Të gjitha amvisat shqiptare që gatuajnë këtë tavë të mrekullueshme duhet të shprehen pa xhelozi që tava me kos si një gatim i veçantë, është gjellë e Elbasanit dhe vetëm e tij. Por kjo nuk thuhet. Këtë të vërtetë për habinë tonë e pohojnë të huajt pa asnjë kompleks. Nëpër restorantet e Stambollit të ftojnë për të ngrënë tavë me kos ku shkruhet “Elbasan – Tavasi”. Po kështu, në Selanik të servirin “Arni – Elbasan” (Qingj Elbasani – grekët ndoshta nuk kanë fjalë në gjuhën e tyre për tavën dhe për kosin, por i referohen mishit të qingjit me të cilin pëlqehet të gatuhet tava me kos). Ndërsa tek ne nuk thuhet asgjë dhe mohohet kjo traditë e mrekullueshme kulinarike, asnjë fjalë për tavën me pestil, për qullin me arra, për tavën me lëng të bardhë…..për shumë lloje byrekësh dhe për një mori ëmbëlsirash, një pjesë e madhe e të cilave tashmë janë harruar. Para disa vitesh pata rastin të takoj një turist turk i cili ishte mik në një familje të nderuar në Elbasan. Turkut të mahnitur nga gatimet tona i kishte mbetur mendja posaçërisht tek “spahi – byreku” i  cili sipas tij, as që njihej në Turqi.

E vërteta e gjithë kësaj tendence për mosnjohje të qëllimshme dhe tjetërsim të traditave të Elbasanit në përgjithësi, është më e vjetër. Që më herët, me porosi të “arkitektëve” të mbrapshtë të diktaturës, fillimisht u goditën dhe u deformuan këngët tona të bukura qytetare. U ndërhy paturpsisht  në tekstin e tyre, në dialekt, në ritëm dhe në vijën melodike duke i dhënë këtyre këngëve magjepëse karakterin e bambum – muzikës, me orkestra  të çjerra që loznin me ritëm të shpejtë posi marshe revolucionare. Më pas, në koncerte të ndryshme apo në festivale të këngës qytetare, për këngët tona nuk thuhej që janë këngë të Elbasanit, të këtij apo atij autor, por përmendej shprehja abstrakte: këngë nga Shqipëria e Mesme. Absurd, pasi çdo krijim: mendor, material apo artistik ka origjinë, ka autor. Në të kundërt duket sikur jemi mbështetur tek era. Nuk ndodh kështu me këngët nga qytetet tona të tjera, por cilësohen ato me të drejtë që janë psh këngë  shkodrane, beratase etj. Për fat të keq kjo ndodhi edhe në spektaklin e magjishëm “Këngët e shekullit” që u transmetua nga TV Kombëtar KLAN pak muaj më parë, ku drejtuesi i emisioni prezentonte vëllezërit Mehdi dhe Demir Zena me …këngë nga Shqipëria e Mesme. Me shumë finesë dhe me plot të drejtë vëllezërit e mësipërm sqaruan të pranishmmit e “Këngët e shekullit” që këto këngë janë të Elbasanit me autor Isuf Myzyrin , Leksin e Vinit (Aleks Josifi) etj. Në përfundim, mendoj që të gjithë ne, individualisht apo institucionalisht duhet të reagojmë në mbrojtje të traditave tona, qofshin këto të Elbasanit apo të kujtdo krahine tjetër të vendit tonë.

***

Ja disa nga gatimet speciale të Elbasanit të përshkruara në formë bejtje gjatë një gostije që një personazh i parisë së qytetit në vitet 1930 i bëri klerikëve të qytetit me rastin e muajit të Ramazanit.

1. Pitet ke Lush Piçi/ jan’ me nâm’.
Çorba/ fërgohet me tëlyn e jo me dhjâm’.

2. Ullinjt’ e regj’/ me uthull e voj,
të çelin miden’ kur i fut në goj’.

3. Dhe qoftet e yftarit/ jan’ me fâm’,
të bâme me ve’ , s’mbesin nër’ dhâm’.

4. Dhe paça/ gjellë e mirë që nuk të velit.
Dhe tava me pestil/, me ynyrë’, nuk të mërzit.

5. Dhe qoftet me kos/ dhe peshku i fërgu’/,
gjell’ të mira, të lehta…për t’u lëvdu’.

6. Dhe mishi me pras/ dhe me spinaq/.
Dhe tava me bamje/ të kënaq.

7. Dhe pashaqoftet/ dhe vorbja me uthull/.
Dhe mish’ i pjek’ me kos e me hudhër/.

8. Kungulli i mush’/, patllixhanat/ dhe mullëza po ashtu/.
Dhe bumari me speca Stamolli’/, për t’u lëvdu’.

9. Dhe zorrët e pjekme/, me mëlçi/,
të lehta janë në verë, për çdo njeri.

10. Dhe brozhollat/, dhe sallata/, nuk përjashtohet;
Dhe djathi i njomë/, e kaçkavall/ lavdërohet.

11. Në daç’ me bâ mish dashi me kos/.
Gjel deti me dollëm/, byrek – koros/.

12. Keq nuk bâhet nji spahi-byrek/,
Laknuri me kos/, në furr’, i mir’, e i pjek’.

13. Âsht nji mal i bukur mush’ me bor’,
kabuni me rrush të thatë/, ta shemësh’ me dor’.

14. Dhe mishi me lakna/ që âsht tue ardh’.
Dhe biba e patës, – shumë e mirë – me lâng të bardhë/.

15. Dhe joprakët me kos/, të mirë jan’.
Dhe llahanâtë që bâhen me mish e me uthull/ të sha’ s’kanë.

16. Dhe dhallturi/ derdhun në tëlyn’.
Dhe ballakumet/, me revani/,
të mira jan’ për çdo njeri.

17. Dhe kadaifi me qumësh’ e me arra/ në goj’ njit’,
lum’ barku kur i ka përdit’.

18. Dhe laknuri me qumësh’/ me djathë/ e me mish/,
me spinaq/
e me të tjera, … i mirë ish’.

19. Në daç’ me bâ mish qingji-tavë me kos/;
I mirë âsht edhe me qepë e me majdanos/.

20. Ç’âsht nji gjâ që dridhet nër’ dur’
Âsht sultjashi/, me qumështur/.

21. Lloj-lloj reçeli/, dhe tollumat me kajmak/,
nuk dun’ përtyp, shkojn’ vet’ në bark.

22. Kto’ dy sende që i ka barku ilaç,
Mâ mirë: bakllavaja/, me gjylaç’/.

23. Mjaft mâ me kto’ gjellë që na bânë bejan’,
âsht nji tas me hoshaf/ që i ngre’ njerzit’ në kâm’.

24. Pastaj del kafja sade/ me pak sheqer,
ku i thotë njerzve’: – dilni në der’ ! -.

25. Për ktë’ yftar që na thirre, me kaq të mira plot:
Daim! Qofsh “der’ çelë” dhe festofsh për çdo mot !

Përgatiti dhe mblodhi: BUKUROSH DYLGJERI, Elbasan, Korrik 2011