Autor: Migena Kapllani

Dikur, kur e pyeta një miken time se cila do ishte gjëja që do ta rikthente gjithnjë në Elbasan, ma ktheu “gjallëria, atëherë kur ta shoh të gjallë e me jetë këtë qytet, vetëm atëherë do vij me kënaqësi”. Një qytet që edhe muret i flasin, që përmendet për histori e vlera, një qytet që është qendër dhe pjesë rrugësh kryesore, ky qytet s’ka jetë!

Nuk do nis të gjej të vërtetën dhe t’i jap fund të këqijave, por do flas për dashuritë e këtij qyteti, për rrugicat që çdokënd do ta përhumbnin në lojëra fëmijërie apo në historitë e para të dashurive, për shtëpitë me çati e hajate të sajuara me çimento e gurë plot lule e hardhi, apo me hurma e portokaj. Do flisja për nanat që sa herë shkon tek to, të ofrojnë brenda me shprehjen “a t’baj nana içik bukë?”, do flisja për këngët e Myzyrit dhe gëzimin e thjeshtë të festave familjare, për vizitat tek shtëpitë e fqinjëve, tek guri i derës kur ulen e flasin për halle e gëzime, për rrugicat e pastra që i fshijnë çdo mëngjes gratë shtëpiake, e do heshtja për të tjerat. Ime më gjithnjë më thotë të mos i them të gjitha.

Elbasani është një qytet që ka klimë të mirë, kurrë nuk bën aq ftohtë sa të ndjesh peshë rrobat në trup, që ka erën e Krastës si për ta ndihmuar të largojë ajrin që shpesh i ndotet, një qytet i bukur për natyrën, por jo për ndërtimet. Do ishte fat nëse do e kishe shtëpinë përballë mureve të kalasë, i vetmi vend ku mbase nuk do ndërtohet kurrë ndonjë pallat i shëmtuar.

Lindjet e ditës i ka të bukura, por një qytet pa gjallëri, mbase i humb shpesh këto momente e përsëri nuk ndjehet. Një qytet që rrethohet nga ullinj, por që askush s’i merr në mbrojtje, një qytet që moshën e ka në rrape e asnjë “s’e meriton” të jetë elbasanas, po qe i ardhur pas kohës së tyre. Një qytet që luks ka qejfin dhe rakinë gjithnjë me këngë.

E ky qytet gjykohet keqazi, sikur të mbajë akoma në kurriz si damkë, ringjalljen e tij prej turqve, e shpesh e emërtojnë anadollak e fanatik e që njerëzit i ka turkoshafë. Po nëse këtë qytet e njeh, vetëm rrugës për të ikur në Korçë, sigurisht do e gjykosh shpejtazi, me atë mundësinë që të jep shikimi përtej xhamit të mjetit e të thuash i çuditur “E Elbasani ku asht?!”. Është aty “Ndër zaje të Shkumbinit ku rrëqethen / e të shkumbuëme valët prap përndahen, / ku lisat buzës s’tij e rrisin gjethen…”. Është qytet i urtë, i butë, ku shprehjet më domethënëse janë “shih punën tënde”, “lerja zotit, mos u merr ti me të”, “respektoji të mëdhenjtë”, “mos na turpëro se na njohin”, “mos e prish gojën me njeri” etj.

Këto shprehje vlejnë sigurisht edhe sot, se përcjellin vlerën e njeriut që e do tjetrin dhe ia di rëndësinë miqësisë, njohjeve, por koha bën të sajën dhe muret e shtëpive nuk janë më aq të gjerë sa dikur për ta mbyllur çdo problem brenda tyre. Sot duhet parë përtej “dyerve të mëdha e me çekiç”, pasi të rinjtë kanë krijuar hapësira të tjera. Ata nuk i kuptojnë dot se ç’lidhje ka sjellja e mirë me dëshirën për të patur një qytet të gjallë, ku jeta dhe puna i bën të ndjehen të dobishëm, ku vendi i punës merret se e meriton, jo se ai është i biri i filanit apo fistekut e si feudalë të vjetër zënë e zaptojnë pa e menduar se ai gëlon si një tenxhere presioni e dikur do e shohin veten në fluturim.

Ta duash dhe të përpiqesh ta mbrosh dikë/diçka, nuk mjafton. Nuk mbush më mendjen e të riut, justifimi i të vjetrit që “s’kemi gjë në dorë”.

Ky qytet nuk duhet të mbetet peng i mendjeve të vjetra, që dinë vetëm të godasin gjoksin se janë elbasanllinj të vjetër. Tek ata dikur përzihej shpirti i tregtarit, por që ëndërr kishte shkollimin në perëndim të fëmijës. Sot duket sikur ka mbetur vetëm tregtari dhe shkollën e ka bërë treg. Qytet me fytyrë të plakur, a thua se i ngjason një burri në prag pensioni.

Elbasani është qytet i bukur e i mirë dhe  ndonjëherë, siç ndodh kudo me ne njerëzit, gjërat e mira t’i shohin për dobësi, e me vite të tëra, këtë qytet e kanë lënë, harruar e pse jo, menduar si një metalurgji.

E kur ti kujton të gjitha këto, thua, si ka mundësi që të kthehesh?!

Unë do kthehesha gjithnjë tek ai, sepse gjërat që më lidhin me të nuk janë emra që lëvizin, por janë emra që mbeten e zënë rrënjë.