Autor: Shefqet Deliallisi

Ditët e fundit u rihap diskutimi për rishkrim të historisë. Sapo problemi u ringrit përfaqësuesit e historisë komuniste dhe pasuesit e tyre u hodhën përpjetë: me këtë problem duhet të merren historianët… Sigurisht që me historinë do merren historianët, por kur? Sa do duhet të presim? Problemi është se vitet kalojnë dhe brezat rriten duke mësuar një histori të deformuar deri në paturpësi.

Në dokumentat e trashëguara nga gjyshi im Ymer Deliallisi, nënshkrues i aktit të pavarsisë, në Vlorë në 1912, si përfaqësues i Shijakut, më tërhoqi vëmendjen një shkresë e gushtit 1937, e komisionit të ngritur në Shijak me rastin e 25 vjetorit të pavarsisë, nëpërmjet të cilit emërtohen disa shkolla në nënprefekturën e Shijakut.

Citoj nga dokumenti (vendimi Nr.1 datë 28.8. 1937):

“Komisjoni i cermonisë së 25 Vjetorit të këtushëm i mbledhun sod nën kryesinë e Kryetarit të Komunës Z.Kurt Shqytit me anëtarë Z.Mexhid Begteshi, Drejtori i shkollës, Z.Ymer Deliallisi, Z. Abaz Deliallisi e Z. Bajram Matalla, mori në bisedim veprat ne fushën Kombetare të të ndjemvet …. pasi studjoji jetshkrimet e tyne…. tue marrë parasysh veprat qi kanë ba në fushën Kombtare, u vendos njohja e tyne si veteran dhe: pagzimi i shkollës së Qendrës në emnin e Hamid Toptanit, e shkollës së Ishmit me emnin Haki Begteshi, e shkollës së Prezës me emnin Masar Deliallisi, e shkollës së Marikës me emnin Aqif Pashë Elbasani, e shkollës Matallaj Rodonik me emnin Dervish Hima, e shkollës së Strazës me emnin Don Nikoll Kaçorri, dhe e shkollës së Koxhasit me emnin Meleq Frashëri…… “ Emërtime për t’u pasur zili.
Dy fakte tërheqin vëmendjen. Fakti i parë: përzgjedhja tepër serioze, figurat dinjitoze, përzgjedhja pa asnjë frymë lokalizmi, apo ndasie fetare. Fakti i dytë: pas ardhjes së komunistëve në pushtet asnjë prej shkollave nuk mbajti më emrin e figurave të nderuara madje as të Aqif Pashë Elbasanit, apo Dom Nikollë Kaçorrit…

Emërtimi i rrugëve dhe institucioneve të një qyteti pasqyron historinë e tij, por a ndodh në të vërtetë kështu?

Elbasani është një nga qytet më të lashtë të Shqipërisë. Nga të dhënat historike rrezulton rreth 2000 vjeçar. Më parë le të bëjmë më të kuptueshme lashtësinë 2000 vjeçare të qytetit në raport me periudhat e ndryshme historike. Nëse për një moment, shtrirjen kohore 2000 vjeçare, do ta imagjinonim sikur të ishte 24 orë, atëhere periudha nga viti 1912 deri 1939 do të ishte 20 minuta, periudha e luftës së dytë botrore vetëm 1.5 minuta, periudha e diktaturës komuniste 32 minuta , ndërsa periudha e demokracisë, pas vitit 1990, diku 12 minuta. Të gjitha së bashku pak më shumë se një orë, ndërsa pjesa tjetër e historisë së qytetit plot 22 orë.

Si pasqyrohen këto periudha në emërtimet e rrugëve dhe institucioneve?

Ka një glorifikim deri në absurd të luftës antifashiste, dhe një injorim pothuajse total të periudhave të tjera të historisë. Janë shumë pak 1,5 minuta në 24 orë, apo 2 vjet në 2000 vjet histori. Historia nuk fillon në vitin 1943. Është e papranueshme që 99% e emërtimeve i përkasin periudhës se luftës më pak se 2 vjeçare, që për hir të së vëtetës historike, përfundoi në luftë civile dhe 1% e gjithë periudhës tjetër. Por, çështë më e keqja, një pjesë e konsiderueshme e emrave të rrugëve janë persona anonimë, të pa njohur, madje jo vetëm për qytetarët e sotëm të Elbasanit. Biografinë e tyre nuk e gjen askund. Sa për ilustrim, mu desh te pyesja shumë njerëz, për ditë me rradhë, për të gjetur kush ishte dhe çfarë kishte bërë Koço Brisku, emrin e të cilit mban një nga rrugët kryesore dhe më e gjata e qytetit që kalon pikërisht përpara shtëpive të patriotëve Fuat Biçaku e Thanas Floqi. Koço Brisku nga fshatrat e Beratit, paskish qenë kryetar i degës të punëve të brendshme të qytetit, simbolit më famëkeq të diktaturës, i cili vitin 1951, në përpjekje për të eleminuar fizikisht një familje nacionalistësh antikomunistë, në një fshat pranë qytetit është vrarë. Janë vrarë dhe 4 pjestarë të familjes antikomuniste… Sigurisht që lufta antifashiste është e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Sigurisht që dëshmorët e kësaj lufte duhet të nderohen për sakrificën e tyre, por jo vetëm ata. Në rradhë të parë jam për Lef Nosin, Qemal Karaosmanin, Thanas Floqin, Shefqet Daiun, Dervish Biçakun, nënshkrues të aktit të pavarsisë etj., etj., etj. Jam që t’i ipet vendi që meriton edhe punëtorit 18 vjeçar që u vra në luftë, por jo para patriotit që ngriti flamurin në Vlorë, apo patriotit që kryesoi Kongresin e Elbasanit, që hodhi themelet e arsimit shqiptar. Aq më keq, kur kur emrat e këtyre djelmoshave përsëriten vend e pavend në sheshe, rrugë, shkolla dhe askush nuk guxon t’i prekë. Luftë kundër fashizmit është bërë kudo në Europë, madje në disa vende shumë më tepër se te ne, shumë kanë dhënë jetën në këtë luftë, madje shumë më tepër se te ne, por emërtimet e rrugëve dhe institucioneve në qytete nuk janë uzurpuar në këtë mënyrë. Kjo besoj se nuk ndodh as në qytetet e ish-Bashkimit Sovjetik, se në vendet e Europës perëndimore jo e jo. Ka ardhur koha, madje ka kaluar, për korigjim, për t’i vendosur gjërat në vendin e tyre, që brezat e ardhshëm të mos qeshin me ne. Që të mos rrimë si guakë para fëmijve tanë kur na pyesin kush është dhe çfarë ka bërë filani që mban emrin shkolla apo rruga jonë. Pse nuk është bërë më parë? Çfarë pengese ka pasur?
Nuk është bërë më parë, dhe vazhdon të mos bëhet, se egziston një glorifikim deri në absurd dhe një politizim i tejskajshëm i një periudhe më pak se dy vjeçare. Vazhdojnë të egzistojnë reminishencat e luftës së klasave në vlerësimin e figurave të shquara, vazhdon tabuja se periudha e luftës antifashiste është më e lavdishmja, pa të ne nuk do të egzistonim, se dëshmorët e luftës janë pronë vetëm e një force politike etj. Vazhdon të egzistojë shqetësimi se mos mërziten veteranët, të cilët nga ana e tyre për karshillëk i kanë mbushur varrezat e dëshmorve të qytetit të Elbasanit me yjet e kuq, simbole të komunizmit, thuajse vetëm komunistët mund të jenë dëshmorë. Kjo stonon, aq më tepër kur Europa, antarë të së cilës ne aspirojmë të bëhemi, ka vite që kërkon dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit nga vendet ish komuniste.

Me historinë të merren historianët, dakord po si t’ia bëjmë që ata nuk duan të zgjohen nga gjumi? Ka ardhur koha që ata të zgjohen, të shkruajnë historinë ashtu si në të vërtetë është. Ka ardhur, madje ka kaluar koha, që këta shkencëtarë, nëse janë vërtetë të tillë, të çlirohen nga komplekset, që dijet e vërteta shkencore t’i rrezatojnë jashtë mureve të universitetit, jashtë sallave të konferencave, në qytet, në emërtimin e rugëve, shesheve, institucioneve.

Historia duhet rishkruar. Vetëm kështu mund të drejtojmë atë që është deformuar, vetëm kështu mund t’i kthejmë meritat e mohuara figurave të shquara, vetëm kështu mund të çlirojmë atë që padrejtësisht është uzurpuar. T’i japim të gjithëve atë që meritojnë. Në fund të fundit duhet t’i kthejmë historinë Shqipërisë.