p’rroi i ManasderesQyteti i Elbasanit ȃsht përmbledhun mrenda nji hapsine në formën e germës U, që formojnë dy përrenjtë, Manasdere në lindje dhe Zaranika në perëndim, të cilët derdhen paqsisht në jug, n’Shkumbin. Midis këtyne ujnave, të Zaranikës, Manasderes dhe Shkumbinit shtrihet Elbasani. I ndërtue në nji fushë pjellore me pak pjerr’si për nga jugu dhe rrethue në veri me ullishta, na bȃn t’mendojmë që të moçmit kanë ditun t’themelojn’ nji qendër urbane në nji vend ideal për jetesë pa shumë mundime.

Pra, në lindje dredhon ky p’rrue i vogël, i quejtun Manasdere. Ȃsht i gjatë rreth 3 km dhe shtrati i tij i ngushtë e kufizon periferinë lindore të qytetit nga veriu deri në jug, për të mbërritun në Shkumbin ku e mbyll rrjedhën e tij të shkurtën. Manasdere-ja e merr ujin nga burimi i Kroit të Kalit, si dhe nga kullesat e ullishtave në të dy krahët e tij. Ȃsht përrua piktoresk dhe ka qenë vijë kufizuese midis dy ullishtave të quejtuna: Harmas në të djathtë të rrjedhës së tij, si dhe Karroq, në të majtë ku dikur ka qenë edhe Rrapishta e Nossit. Pak mȃ tej, në lindje, ndodhet Rrapi i Mansit. Ky toponim, Rrapi i Mansit, i cili në lashtësi mendohet se ka qenë stacion i Egnatias, reflekton në të gjithë atë hapsinë dhe ȃsht mjaft i njohun për banorët e k’tij qyteti prej shekujsh. Por, çdo me thȃnë Manasdere; çfarë kuptimi ka?

Nga studimi dhe krahasimi i këtyne fjalëve, kuptojmë që ȃsht nji fjalë e përbȃme nga dy fjalë të hueja: MANAS dhe DERE. Mendoj që fjala MANAS ȃsht nji deformim i fjalës MANSIO – emërtimi romak i vendpushimit të rrugës Egnatia aty pranë (Rrapi i Mansit), ndërsa DERE ȃsht fjalë turke që do të thotë PËRRUA. Pra, kemi të bȃjm me nji emërtim latino-turk për kët’ p’rrue që mund të shprehet si, P’rroi i Mansit (ngjashëm me Rrapi i Mansit).

Në lidhje me termin Mansio, vërejmë Itinerarin e Bordosë, shkrue nga nji murg i panjohun në vitin 333 e.s. gjatë kthimit të tij nga Jeruzalemi. Ai ka shënue emnat e stacioneve ku pushoi dhe distancat nga njȃni stacion tek tjetri. Distancat janë matun me udhëtime gjysmëdite. Stacionet ku ka fjetun ai i ka shënue si “mansio” dhe ato ku ka ndërrue kuajt si “mutatio”. Mendohet se stacionet ishin 30-40 milje larg njȃni-tjetrit dhe shërbenin për çlodhje, ushqim, higjenë, shërbime etj.

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Dhjetor 2014.