Proces–Verbal,  

për ngjarjen e ndodhur në lagjen Dautbej për vrasjen e Syrja Dylgjerit nga ushtria italiane

Sipas njoftimit verbal, se në lagjen “Dautbej” janë gjetur disa persona të vrarë prej ushtrisë, sot, më datën 2 korrik 1943, pasdite, pa humbur kohë, neve, prokuror i mbretit-FeritHysenbegasi, i shoqëruar prej mareshalit të kuesturës DemirAliHaxhillarit, prej mjekut zv/drejtor i spitalit-dr.FejziMirakut, si dhe një numri agjentësh, me kamionçinën e kuesturës u nisëm në vendin e ngjarjes. Posa mbërritëm në fund të lagjes “Dautbej” na u prezantuan kapiteni i ushtrisë. Së bashku me këtë, të rrethuar prej ushtarësh, hymë në lagje. Në të hyrë të shtëpisë gjetëm një person të shtrirë në kurriz me kryet drejt perëndimit. E këqyrëm. Kishte një plagë të rëndë në kafkën e kokës, prej së cilës i ishte shkaktuar vdekja. Hymë pastaj në oborr…pamë të shtrirë në tokë një grua të mbuluar me çarçaf, rreth 30 vjeç. Konstatuam shumë plagë nëpër fytyrë e trup të cilat i kishin shkaktuar vdekjen. Pyetëm zonjën e z.Sul Bradasheshi, e cila na tha se viktima që i gjet jashtë derës quhej Hysen Bajram Liçi, ishte biri i saj, i cili sapo kish ardhur prej druve, ishte qëlluar nga ushtria në derë e vrarë në vend.

Pyetëm pastaj Zyke Hasan Peqinin, e cila tha se viktima që ndodhej në dhomë quhej Dije Zan Peqini, e cila së bashku me fëmijën e saj kishin qenë në oborr dhe porsa kishin parë ushtarët, kish dash të futej brenda, por ishte qëlluar dhe vrarë. Fëmija 2-vjepar ishte dërguar në spital i plagosur.

Pas kësaj, nën udhëheqjen e kapitenit të ushtrisë dhe ushtarëve, kemi hyrë në lagjen “Dautbej”. Këtu na u tregua se në shtëpinë e Pali Xhem Tiranës ndodhej i vrarë edhe vëllai i saj, Selman Osman Rexhepi. Hymë brenda në dhe pamë të shtrirë të mbuluar me një çarçaf një person të cilin e zbuam e pamë se ishte në moshën 35 vjeçe. Në trup kishte mjaft plagë me armë moderne. E motra e tij Pulija na deklaroi se viktima kish qenë në arë duke punuar, por ishte vrarë prej ushtrisë. Pastaj e kishin marrë dhe sjellë në shtëpi. Me këtë rast, na tregoi një trastë të vjetër me bukë si dhe shatin që kish pasur viktima.

Kapiteni i ushtrisë na tregoi se ishte vrarë një djalosh të cilin e kishte kapur patrulla ushtarake me disa komunikata dhe bomba dhe se ky ndodhej në kampin ushtarak të Shkumbinit. Menjëherë shkuam në kamp. Na u paraqit komandanti i grupit të karabinierisë, major Mori, këshilltari i kuesturës. Së bashku këqyrëm një grua rreth moshës 35-40 vjeç që ishte duke dhënë shpirt dhe që e transportonin disa ushtarë me vik. E këqyrëm edhe këtë. Kishte plagë të rënda shkaktuar prej plumbit armë moderne dhe me drejtim kallk më kallk. Pyetëm e na thanë se quhej SabireVeselja, e cila ka qenë duke punuar në arë. Urdhëruam menjëherë transportin e saj për në spital civil të vendit.

Mbas kësaj, të udhëhequr prej majorit të karabinierisë, shkuam pothuaj në të dalë të kampit ushtarak, ku pamë dy kufoma të shtrirë, njëri pas tjetrit. Na u deklarua se ishin vrarë prej ushtrisë dhe për njërin prej tyre që mbante shumë plagë, na u njoftua se quhej Jusuf Xhemal Kondakçiu. Emri ishte lexuar nga triska e Fashios së Elbasanit që i kishin gjetur në xhep dhe për tjetrin nuk dinin si quhej. Si majori i karabinierisë dhe i ushtrisë deklaruan se personi i paidentifikuar, kur kalonin 5 ushtarë të aviacionit në rrugën e kampit, mbante në dorë një valixhe. Ushtarët dyshuan se mos kishte sende të jashtëligjshme dhe i kanë parë në xhep dy bomba. Si u kap prej ushtarëve, ka nxjerrë revolen që mbante në xhepin e brendshëm të palltos dhe qëlloi kundër dy ushtarëve të cilët janë plagosur. Ushtarët e tjerë, kanë qitë zjarr mbi të dhe e kanë plagosur. Si e kanë gjurmuar kanë shkuar në shtëpinë e Veiz Lamçes. Aty në një dhomë përdhese e kanë gjet të plagosur dhe e kanë vrarë. Pastaj e kanë transportuan në vendin ku gjendet tash. Personi tjetër gjithashtu është vrarë prej ushtrisë pasi një detashment ushtarësh duke ndjekur persona të dyshimtë ka marrë drejtimin në lagjen “Dautbej” dhe në këtë rast janë vrarë edhe personat e tjerë. Mbas kësaj, u urdhëruan të transportoheshin për në spitalin civil të dy këto kufoma.

Mbas kësaj, pasi na u njoftua se ndodheshin dhe kufoma të tjera nëpër ara, së bashku të gjithë shkuam në një arë të mbjellë me misër ku në mes zë saj, në kohë prashitje, gjetëm një person me plagë plumbi në ballë dhe pjesë të tjera të trupit. I identifikuari u mor vesh se ishte Nikolla Stefan Biqiku nga lagjja “Shënkoll”. Afro 300 metra në një arë tjetër, pamë një person tjetër të shtrirë krah saj që mbante 2 plagë, njërën në krahun e djathtë të thyer në gjithë bërrylin dhe tjetrën në nofullën e majtë, plagë këto të shkaktuara e para prej bombe dhe e dyta prej plumbi armë moderne.

E identifikuam, quhej Fan Gjorduni, i cili ka qenë duke punuar në arë. Duke kaluar nga vendi i viktimës së mëparshme, te ky i fundit në krye të një are pamë një tas me fasule, buke dhe sende të tjera përtokë si dhe një xhaketë që dukej se ishte e viktimës.

Të këtej, shkuam buzë rruge të ngushtë që zbret nga lagja “Dautbej” për të shkuar në drejtim të rrugës së përgjithshme të Shkumbinit. Në qoshen dhe në kthesën e kësaj rruge, pamë dy persona, njëri i shtrirë buzë hendekut dhe tjetri 4-5 metra. I pari, në moshën rreth 30 vjeç, kishte plagë të ndryshme në trup. I dyti rreth 30-33 vjeç, i cili kishte gjysmën e kokës së prishur. I pari i identifikuar ishte Malo Jevgu dhe i dytë Veli XhemalVaskja. Sipas thënieve të MuratLleshanakut dhe JonuzLleshanakut, këta të dy së bashku me personat që thamë si dhe të tjerë, kanë qenë duke zbrit në lagje pas dëgjimit të pushkëve, por janë kapur prej ushtrisë, i janë lidhur duart, po i çonin tatëpjetë. Dy viktimat e fundit janë bërë më pas dhe në këtë rast janë vrarë. Pas kësaj shkuam në spitalin e shtetit të këtushëm ku nga personat e pranishëm i identifikuar se personi quhej Syrja Dylgjeri.

Prej anës së karabinierisë dhe ushtrisë nuk na u tregua as valixhja me bombat si dhe nuk u ftuan të të vinin të këqyrnin ushtarët e plagosur. Menjëherë dhamë lejen e varrimit të gjithë personave si dhe të Sabire Veselit, mbasi në moment dha shpirt në spital. U dha urdhër që xhandarmërisë dhe kuesturës dhe komandantit të karabinierisë, që të vazhdonin hetimet

Elbasan, 2 korrik 1943

Mareshall i Kuesturës

Murat Lleshanjaku

Prokurori i Mbretit

Jonus Lleshanjaku

Adjutant i Qarkut të Gjindarmerisë së Elbasanit

Ndoe Radovani