Atë Josif Papamihali (1912-1947) “Martir i Shqiptarizmit”

Sot është plotësisht e njohur përndjekja barbare që pësoi Kleri Katolik Shqiptar fill mbas ardhjes në pushtet të Komunizmit Shqiptar. Janë rreth 130 priftërinj të arrestuar, të burgosur, të torturuar, të dënuar pa më të voglin faj. Përmasat e sakta të këtij terrori shtetëror i gjen në librin me titull : “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, hartuar nga një redaksi prej tetë personalitetesh dhe i botuar në Shkodër më 1993.

Në libër jepen një për një emrat e secilit prej viktimave që përfshiu ai tmerr. Ato emra janë dhënë të ndarë në shtatë grupe sipas vuajtjeve dhe pasojave që pësuan. Kështu nga 129 priftërinjtë e arrestuar, 31 u pushkatuan, 8 vdiqën në tortura, 4 u mbytën apo u helmuan, 3 vdiqën sapo dolën nga burgu, 24 vdiqën në burgje apo kampe internimi, 38 vdiqën mbasi dolën nga burgu dhe 25 dolën të gjallë më 1990 dhe vazhduan detyrën e priftit.

Sipas llogarisë së autorëve, të gjithë të arrestuarit të marrë së bashku kanë kryer 450 vjet studime universitare dhe po të marrë së bashku janë dënuar me 881 vjet burg dhe internim!

Në libër jepet midis të tjerave edhe fjala e fundit që kanë thanë disa nga të pushkatuarit para skuadrës së pushkatimit. Në ato fjalë s’ka asnjë sharje, asnjë mallkim, asnjë urrejtje ndaj atyre që i torturuan e i dënuan pa të drejtë. Secili me fjalët e veta ka shprehur besnikërinë dhe përkushtimin ndaj Fesë dhe Atdheut. Këtu po jap vetëm fjalët e Imzot Frano Gjinit. Ai para pushkatimit deklaron: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia edhe pa Ne!”. (f.88). Edhe autorët e tekstit në fjalët e tyre kanë ndjekur po këtë rrugë. Kështu në parathënie autori Vili Kamsi, mbasi vë në dukje se sa antinjerëzorë qenë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj masakre, shton:

“Leximi i atyne që përshkruhen në këtë përmbledhje do të na mbushë me dhimje për ato që vuejtën martirizimin ma të naltë për Fe e Atdhe, por njikohësisht nuk duhet të na nxisë urrejtjen e hakmarrjes për kriminelët komunistë që i shkatues kaq e kaq vuejtje e mjerimi këtij popullit tonë. Zoti i pastë falë!” (libri f. 2).

Që të gjithë priftërinjtë e dënuar qenë nga Veriu, përvec njerit që qe elbasanas nga Lagjja Kala. Ai quhej Atë Josif Papamihali dhe bën pjesë në katershen e të mbyturve dhe të të helmuarve.

Read More