Përgatiti Enxhi Dylgjeri

Pjesa e mëposhtme është shkëputur nga libri “Shqiptarët në Ballkanin Lindor” të historianit bullgar Bojan Gjyzelev. Ndër të tjera, ky autor na ofron një këndvështrim ndryshe mbi popullimin e qytetit të Elbasanit fill sapo ushtria osmane rindërtoi kështjellën në verën e vitit 1466. Është i njohur koncepti mesjetar i përcaktimit të grupeve të ndryshme etnike vetëm mbi bazën e përkatsisë fetare, por për historiografinë tonë është i panjohur ky emigrimi etnik bullgar në trojet tona, qoftë ky forcërisht apo vullnetar. Ne mendojmë se jo çdo i krishterë që erdhi në Elbasan ishte bullgar, pasi vetë shqiptarët e kohës në fjalë (arbërorët) i përkisnin po atij besimi. Asnjë dokument autoritar e nuk e vërteton këtë hipotezë mbi gjoja ardhje të bullgarëve në Elbasan. Por, gjithashtu dihet se në kuadër të Perandorisë Osmane ka pasur zhvendosje të grupeve të ndryshme etnike për shkaqe nga më të ndryshmet, por ishin të huajt ata që erdhën këtu dhe jo e kundërta. Megjithatë, ky material i shkurtër përmban kureshtje sepse na paraqet një mundësi për t’u njohur me mendimet e historianëve fqinj dhe tezave të tyre mbi banorë e pare të kështjellës së qytetit të Elbasanit.

***

“Së bashku me procesin e shpërnguljes nga malet shqiptare, ka pasur edhe raste të vendosjes së bullgarëve në brendësi të Shqipërisë. Paraqet interes shpërngulja me forcë e bullgarëve në kështjellën osmane të posa ndërtuar në Elbasan në vitin 1466. Sipas dy shkrimtarëve të njohur të bashkëkombësve, 15 familje kristiane u kaluan me forcë nga Shkupi në Koniuh në vitet 1466-1467. Bullgarët u vendosën aty si “myslimanë” (kategori e privilegjuar e popullatës), me qëllim që të mirëmbanin kështjellën dhe në rast nevoje ta mbronin atë. Bullgarët janë vendosur atëhere me forcë në fshatin Babje që gjendej në rrugën drejt Ohrit. Qysh në themelimin e tij, qyteti i Elbasanit ishte i njohur ndër bullgarët me emrin Koniuh. Më e mundëshme është që ky të ketë qenë emri i fshatit mbi të cilin osmanët ngritën kështjellën. Nga burimet sllave e greke të shek. XV-XVII Elbasani është quajtur gjithashtu Novi Grad (Qyteti Ri) dhe Neokatra, ndërsa në disa burime italiane është quajtur Terra Nova. Prejardhja e emrit sllav të qytetit mund të lidhet me emrin e stacionit të rrugës që ekzistonte qysh nga koha romake e byzantine e hershme. Ky stacion, ku ndërroheshin kuajt me emrin Add Quintum ndodhej 7 km në perëndim të Elbasanit të sotëm. Ka të ngjarë që në kështjellën e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II, të jenë vendosur bullgarë jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga krahinat e tjera të Maqedonisë, si dhe kristianë ortodoksë nga kombësitë e tjera të Ballkanit. Gjatë kthimit të tij nga Elbasani në vitin 1466, Mehmeti II tërheq në Carigradin e shkatërruar e të zbrazur një pjesë të madhe të banorëve nga Ohri, së bashku me klerin vendas.

Kolonia bullgare në Elbasan e ruajti identitetin e vet, shkruan Evlija Çelebiu në vitin 1670. Vendosja e bullgarëve në Elbasan, ka të ngjarë të jetë bërë gjatë dimrit të viti 1466-1467. Kjo kështjellë e ndërtuar në vitin 1466 iu nënshtrua një rrethimi pa sukses të Skënderbeut në verën e vitit 1467.

Në regjistrin osman të vitit 1528, kristianët e vendosur aty formojnë “komunitetin e të ardhurve kristianë në qytetin e Elbasanit”. Atëhere numri I familjeve ishte 73 dhe ata ishin çliruar nga pagesa e detyrimeve (avarizeve). 97 familje të tjera kristiane kishin ardhur aty dhe ishin vendosur në qytet me vullnetin e tyre. Gjatë shek. XVI Elbasani u zhvillua me shpejtësi. Në vitin 1570 regjistri osman i tatimeve numëronte 177 familje që ishin të lira nga pagesa e tatimeve dhe taksave, kundrejt të cilave detyroheshin të mbanin kështjellën dhe urën mbi lumin Shkumbin. Të bën përshtypje se të ardhurit vullnetarisht morën të njëjta të drejta si edhe ata që erdhën me forcë. Kjo mund të merret edhe si një bazë për fillimin e proceseve të asimilimit në kuadrin e komunitetit kristian. Elbasani transformohet shpejt në një qendër artizanale dhe tregtare në Shqipërinë e Mesme. Në një shkrim italisht të vitit 1570 thuhet se Elbasani është lokalitet tregtar…”.